Dosja për ekstradimin e Albert Veliut, i njohur si Babalja, është nisur drejt Kosovës ditën e premte nga Ministria e Drejtësisë.
Bëhet fjalë për audio-përgjimin i cili përfshin edhe vëllanë e Ministrit të Brendshëm, Agron Xhafën.
Burime konfidenciale pranë Ministrisë së Drejtësisë, kanë pohuar se menjëherë pasi policia e Kosovës e arrestoi Albert Veliun në bazë të urdhër-kërkimit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritet shqiptare, ministria e Drejtësisë përgatiti dosjen që do të shërbejë për ekstradimin e Veliut në vendin tonë.
Gjykata e Prishtinës e ka lënë të lirë Albert Veliun, deri në momentin kur do të zhvillohet gjyqi për ekstradimin e tij.
Gjithashtu Babalja ka bërë edhe një kërkesë për azil në Kosovë, kërkesë e cila ende nuk ka një vendim nga autoritetet kosovare.