MENU
klinika

Banka e Shqipërisë me Misionin Monitorues të FMN-së

Çfarë politikash janë ndjekur për përballimin e pandemisë?

28.09.2020 - 17:58

Gjatë dy javëve të fundit, nëpërmjet komunikimit virtual, përfaqësues të Bankës së Shqipërisë kanë zhvilluar bisedime me Misionin e FMN-së, në kuadrin e Monitorimit Post-Programor që FMN i bën vendit tonë.

“Me Misionin e FMN-së kemi ndarë pikëpamje të ngjashme mbi stadin e zhvillimit të vendit, sfidat që kemi përpara, dhe politikat e masat e nevojshme për adresimin e tyre.”, thuhet në deklaratën për shty të BSH.

Po sipas deklaratës, për të të lehtësuar koston financiare të goditjes për bizneset dhe familjet shqiptare, duke shmangur falimentimet masive dhe rritjen e fortë të papunësisë; dhe për të ruajtur ekuilibrat monetarë dhe financiarë të vendit, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë këto hapa:

“Në fushën e politikës monetare, ne kemi ulur normën bazë të interesit dhe i kemi ofruar sektorit bankar sasi të pakufizuara likuiditeti, në interes të funksionimit normal të tregjeve të parasë dhe të uljes së kostos së financimit për të gjithë agjentët ekonomikë; Në fushën e mbikëqyrjes dhe rregullimit të sektorit bankar, ne kemi prezantuar stimuj rregullatorë, për të nxitur shtyrjen e pagesës së kësteve të kredisë për klientët në vështirësi të përkohshme dhe ristrukturimin e kredive për klientët në vështirësi më afatgjata; kemi pezulluar shpërndarjen e dividendit për industrinë bankare gjatë vitit 2020, në interes të përmirësimit të qëndrueshmërisë së bilancit të sektorit bankar. Në fushën e sistemeve të pagesave, Banka e Shqipërisë ka marrë masa për uljen e kostos së pagesave elektronike.”

Së fundi, Banka e Shqipërisë ka rritur kapacitetet e saj operacionale për garantimin e furnizimit të ekonomisë me para fizike.

Sipas deklaratës së BSH, këto politika kanë dhënë efektin e dëshiruar, Duke gjykuar nga ecuria e depozitave në sistemin bankar, bilancet e biznesit dhe të familjeve kanë mbetur likuide. Po ashtu, tregjet e brendshme financiare shfaqen të qeta, të karakterizuara nga norma të ulëta interesi dhe kurs i qëndrueshëm këmbimi. Sektori bankar ka vijuar të kreditojë bizneset dhe familjet shqiptare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


COVID-19/ Nga përballimi i emergjencës tek...

Pesë sfidat e biznesit dhe sektorit bankar

Guvernatori Sejko: Kriza më e thellë në 20 vjet

“Bankat të shtyjnë afatin e kredive”