Ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare, shkrimtari dhe regjisori Gjergj Vlashi.
Lajmi u bë me dije nga faqja e Teatrit ‘’Aleksandër Moisiu’’, ku shkruhet se “kjo është një humbje e madhe për komunitetin artistik, duke e konsideruar regjisorin, si ‘’Gjergjin e madh të Durrësit”.
Ai u lind në Durrës më 13 korrik 1928. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në qytetin e lindjes. Që në vitet e para të pasluftës u mor me teatrin amator dhe debutoi në disa shfaqje, si: “Nën gështenjat e Pragës’, “Prefekti”, “Çani hoxhë”, etj.
Pas shërbimit ushtarak punoi si regjisor ne klubin e portit detar dhe në vitin 1957, u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës. Më 5 maj të vitit 1960, u krijua trupa e estradës profesioniste dhe u caktua regjisor, detyrë që e mbajti deri në vitin 1990, kur doli në pension.
Ndërkohë ka punuar me shumë trupa të tjera, duke vënë shfaqje në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, me Estradën e Ushtarit, etj. Ka punuar për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ka marrë pjesë me trupën e Durrësit në shumë festivale, duke fituar disa çmime të para.
Gjithashtu, ai është autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin. I nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”, Gjergj Vlashi është i njohur si themelues i Varietesë dhe regjisor i Estradës së Durrësit në vitin 1960, ndërsa ka botuar rreth 50 vepra në letërsi origjinale, përkthime dhe komedi.
Njohës i disa gjuhëve të huaja, Gjergj Vlashi ka sjellë në gjuhën shqipe një varg botimesh me përkthime nga autorë të njohur, si: Franz Kafka, Jose Saramago, Agata Kristi, Dino Buxati, shkrimtarë rusë, italianë, austriakë, spanjollë, portugezë dhe hispanoamerikanë te shekullit te XX-të, etj.