Do të keni një pamje të mrekullueshme të Marsit nga e marta në mbrëmje, nëse lejon moti.
Planeti i kuq do të jetë jashtëzakonisht afër Tokës nga e marta, më 6 tetor e tutje, thonë astronomët. Fqinji ynë do të jetë “vetëm” 38.6 milion milje larg, që është distanca më e afërt ndaj Tokës për 15 vitet e ardhshme.
“Astronomët amatorë porositen se Marsi do të jetë i ndritshëm, i madh dhe i lehtë për t’u parë me ose pa teleskop,” shkruan Science Alert.
Kur Marsi dhe Toka janë kaq afër njëra-tjetetrit, Marsi duket shumë i ndritshëm në qiellin tonë, thotë NASA. Gjithashtu e bën më të lehtë për t’u parë me teleskopë ose me sy të lirë.
Planeti i Kuq afrohet mjaftueshëm për shikim të jashtëzakonshëm vetëm një ose dy herë në 15 ose 17 vjet.
Space.com thotë që nëse shikoni ulët në qiellin lindor, menjëherë pasi të bie errësira, do të shihni një “yll” të zjarrtë, ngjyrë kungulli, që flakëron shkëlqyeshëm.
Sidoqoftë, përkundër nofkës “Planet i Kuq”, kjo është një kohë e përkryer për të “vlerësuar ngjyrën e vërtetë të planetit, një portokalli e verdhë, ngjyra e një shkretëtire të thatë nën një diell të lartë – është pikërisht ajo që ju po shikoni,” tha për Space.com Joe Rao.
Nëse e humbisni shfaqjen të martën, mos u shqetësoni: Marsi do të duket ende mjaft i ndritshëm në qiell gjatë gjithë muajit. Gjatë pjesës më të madhe të tetorit, Marsi do të shkëlqejë më shumë se çdo objekt tjetër në qiell, përveç hënës, thotë Space.com.