Presidenti rus ka deklaruar se Rusia është e gatshme të punojë me cilindo president që do zgjidhet me votën e qytetarëve në krye të Sheteve të Bashkuara.
“Përpjekjet për të poshtëruar presidentin e SHBA-ve, Donald Trump duke e akuzuar për lidhjet me Rusinë nuk e përmirësojnë situatën,” tha presidenti rus Vladimir Putin.
“Kur dikush përpiqet të poshtërojë ose fyejë kreun e shtetit në detyrë duke e akuzuar për lidhje me Rusinë, ata thjesht na lartësojnë dhe flasin për ndikimin dhe fuqinë tonë të jashtëzakonshme. Në një farë mënyre kjo është një kartë në favorin tonë”, tha Putin.
Presidenti rus deklaroi se Moska nuk po ndërhyn në fushatën zgjedhore të SHBA-ve, u takon votuesve të bëjnë zgjedhjen e tyre në lidhje me kandidatët.
“Votuesit, në këtë rast qytetarët e SH.B.A.-ve, duhet të vlerësojnë pozicionet e kandidatëve që garojnë për president në krye të një vendi që sinqerisht e cilësoj fuqi të madhe botërore”, komentoi ai.
“Ne jemi vëzhgues dhe nuk jemi përfshirë, nuk po ndërhyjmë,” vuri në dukje udhëheqësi rus.
“Nuk është puna jonë, në fund të fundit, le të merren me njëri-tjetrin siç e gjykojnë të arsyeshme bazuar në zhvillimet që janë në proces e sipër,” shtoi udhëheqësi.
Duke folur për baltën e hedhur mbi njëri-tjetrin të kandidatëve gjatë fushatës aktuale, Putini i etiketoi të gjitha si “manifestime të nivelit të kulturës politike ose mungesës së saj”.
“Sidoqoftë, e përsëris, ne nuk do të përfshihemi në këtë gjë. Kjo përcaktohet nga të gjitha proceset e brendshme politike”, theksoi presidenti.
Do punojmë me cilindo që zgjidhet president i SHBA-ve
Putin tha se Rusia është e gatshme të punojë me çdo president amerikan që do të zgjidhet nga qytetarët e Shteteve të Bashkuara.
“Ne jemi të gatshëm të punojmë me çdo president të ardhshëm të SHBA-ve, me atë person të cilit populli amerikan do t’i besojë”.
Putin vuri në dukje se kishte shumë pluse dhe minuse në marrëdhëniet dypalëshe gjatë mandatit të Trump.
Duke folur për aspektin pozitiv, në veçanti, ai përgëzoi rritjen e marrëdhënieve tregëtare dhe stabilitetin në tregjet e energjisë, ndërsa mes aspekteve negative, përmendi sanksionet dhe tërheqjen e Uashingtonit nga Traktati i Forcave Bërthamore.
Përkthyer dhe përshtatur nga reuters/ F.H, konica.al