MENU
klinika

Pas kritikave nga Dhoma Amerikane e Tregtisë/ Detajet

Qeveria konsultohet me ndërkombëtarët për draftin e amnistisë fiskale

12.10.2020 - 07:17

Amnistia fiskale është kthyer sërish në vëmendje. Ndonëse ishte një draft i cili kaloi shumë shpejt në Kuvend, mazhoranca u tërhoq pas kritikave të shumta që erdhën nga ndërkombëtarët. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Enio Jaço u shpreh pak kohë më parë, se përpara prezantimit të draftit duhet të ketë një konsultim intensiv me ndërkombëtarët, dhe duhet të krijohen mekanizma për të shmangur pastrimin e parave.

Një tjetër faktor ndërkombëtar që kritikoi draftin e amnistisë fiskale ishte edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili u shpreh se ajo krijon kushte për pastrimin e parave dhe godet bizneset e ndershme. FMN theksoi se vendi ka nevojë së pari të ngrejë sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion dhe jo për t’i nxitur edhe më shumë ato. Por mes institucioneve që kritikuan mazhorancën për amnistinë fiskale ishin edhe ato vendase. Kryeprokurori Olsian Çela e rrëzoi këtë draft dhe kërkoi rishikim të neneve.

Ndërkohë që ditën e djeshme kryeministri Edi Rama deklaroi se ky draft do të jetë realitet shumë shpejt, duke theksuar se është në proces konsultimi me faktorin ndërkombëtar. Gjatë komunikimit me qytetarët në rrjetin social Facebook, kryeministri Rama u shpreh se kjo është një mundësi e mirë për emigrantët që punojnë në të zezë jashtë të deklarojnë të ardhurat e tyre në Shqipëri. “Jam i vetëdijshëm që lehtësimi i bërë për bizneset është i madh. Po punojmë me ekspertizë ndërkombëtare, pasi jam i bindur pasi njerëzve si ti, që janë dhjetëra mijëra së kanë kursyer në emigracion dhe për më tepër ata që kthehen në Shqipëri, duhet t’u japim mundësinë për amnistinë fiskale.

Durim, pasi punët e mira duan mundin. Ki besim se më shpejt se vonë edhe këtë instrument do ta kesh gati”, tha Rama. Pak kohë më parë, komponentë të mazhorancës deklaruan se shtyrja e draftit për miratim në vjeshtë nuk është një tërheqje e qeverisë, por duhet më shumë kohë për t’u arritur një dakordësi e gjerë për këtë amnisti dhe më shumë profesionalizëm në këtë drejtim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Pas TAP-Devollit, investin nga SHBA për Skavicën"

Presidenti i Dhomës Amerikane zbulon projektin strategjik