Pas protestave të të burgosurve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka zhvilluar monitorime në dy prej burgjeve të vendit, Peqin dhe Shënkoll.
Pas kontaktit me vetë të burgosurit, KShH, përmes një letre të hapur i ka adresuar të gjitha konkluzionet te Ministria e Drejtësisë.
“Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në funksion të misionit të tij për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive të shtetasve, ka realizuar misione monitorimi në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale (IEVP), në dt. 02.10.2020 (IEVP Peqin) dhe në dt. 05.10.2020 (IEVP Shënkoll). Vëzhguesit morën takim me stafin institucional, me të dënuarit si dhe verifikuan regjistra, dosje e praktika konkrete.
Në përfundim të këtyre monitorimeve, KShH e ka parë të nevojshme adresimin e gjetjeve dhe konkluzioneve kryesore, nëpërmjet një letre të hapur drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, për dijeni Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve“, njofton Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Protesta dhe greva urie nuk ka patur vetëm në Peqin dhe Shënkoll, por edhe në burgun e Reçit dhe atë “313” në Tiranë.
Protestat në burgun e Peqinit, i kushtuan shkarkimin nga detyra drejtorit të burgut të Peqinit, Bukurosh Malluta.
Urdhri për shkarkimin e tij është firmosur nga Ministrja Etilda Gjonaj për keqmenaxhim të situatës.