MENU
klinika

A kemi kapacitet mjekësor për të përballuar fluksin?

Pipero: Personeli mjekësor po bezdiset nga respektimi i protokolleve strikte

17.10.2020 - 11:46

Doktori i njohur Pëllumb Pipero në një intervistë dhënë ekskluzivisht për “Fjala.al” ka komentuar për situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi ynë si pasojë e koronavirusit.

Në fjalën e tij ai shprehet se nuk i beson valëve të kësaj sëmundje, ndërsa thekson se indikator i rëndësishëm duhet të jetë numërimi rasteve të shtruara në spitale jo numërini rasteve pozitive. I pyetur për infektimet e shumta në rradhët e bluzave të bardha, Pipero sqaron se personeli mjekësor po “bezdiset” nga respektimi i protokolleve strikte.

Në fund ai nuk harroi që të përcjellë edhe një apel për të gjithë qytetarët , “Respektoni maksimalisht masat mbrojtëse, vendoseni dhe mbajeni maskën kudo dhe ashtu si rekomandojnë specialistet, ruani distancën dhe kujdesuni për higjienën e duarve dhe mjedisit që ju rrethon”

1-Organizata Botërore e Shëndetësisë në një deklaratë të saj së fundmi tha se Europa po kalon një valë të dytë të pandemisë së Covid 19, ndaj kërkoi zbatimin me rigorozitet të protokollit të sigurisë për të frenuar përhapjen e mëtejshme të virusit. A vlen kjo gjë edhe për vendin tonë? Po kalojmë në një valë të dytë të pandemisë ?

Unë nuk i kam besuar dhe nuk i besoj as sezonalitetit dhe as valëve të kësaj sëmundje dhe këtij virusi edhe pse është virus respirator dhe të gjithë specialistet e shëndetit, edhe unë, prisnim të zbutej në verë dhe të ishte relativisht më agresiv në dimër, po kështu nuk besoj në mundësinë e valëve, unë mendoj dhe besoj më shumë në një vazhdimësi të Covid 19, edhe pse me oshilacione për shumë arsye të njohura dhe të pa njohura të këtij virusi. Në këtë aspekt mendoj se edhe vendi ynë do ketë të njëjtin trend, por natyrisht në dimër për shkak të ftohjes së motit, qëndrimit më shumë në mjedise të mbyllura, mundësi e transmetimit të virusit rritet ndaj dhe rastet e infektuara shtohen. Mendoj se indikator i rëndësishëm duhet të jetë numërini rasteve të shtruara në spitale jo numërini rasteve pozitive, sepse jemi në pandemi dhe rastet pozitive janë disa herë më të lartë se sa kemi mundësi të identifikojmë ne.

2- Shifrat e të infektuarve në vendin tonë kane ardhur ne rritje , cilat jane sipas jush arsyet? Eshte kjo nje neglizhence nga ana e qytetareve per respektimin e masave ?

Unë nuk e konsideroj neglizhencë të qytetarëve, përkundrazi mendoj se shumica e qytetarëve tashmë janë të vetëdijshëm për prezencën dhe qarkullimin e virusit kudo në botë, edhe te ne, rrugët e transmetimit dhe mënyrat e parandalimit. Por është shtuar ekspozimi, janë hapur aktivitetet ekonomike, baret, restorantet, klubet e natës, shkollat, aktivitetet sportive etj dhe jo kudo respektohen protokollet parandaluese aq dhe ashtu si duhet. Fakti që moshat më të infektuara tashmë janë ato të reja, të cilat janë dhe në marrëdhënie pune, e dëshmon këtë dukuri. Ky fenomen nuk është vetëm shqiptar,por do thosha mbarë botëror, kudo numri i rasteve po rritet dhe ka shumë pik pyetje pse?

3-Në deklaratat e përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale rezultojnë të infektuar edhe personel mjekësor. Me çfarë lidhet infektimi i tyre?

Personeli shëndetësor është më i ekspozuari, por tani është dhe me i lodhuri, dhe mbilodhja shoqërohet edhe me humbjen e reflekseve mbrojtëse, “bezdisjen” nga respektimi i protokolleve shume strikte parandaluese, nxitimin për ti ardhur në ndihmë pacientit, harresën e virusit para jetës të sëmurit etj!

4-A i kemi ne kapacitet mjekësore për të përballuar këtë numër të lartë të të prekurish, duke patur parasysh që infektimet mund të kenë një trend në rritje ?

Natyrisht që i kemi kapacitet hospitaliere për të përballuar një rritje të mundshme të rasteve me covid, edhe pse nuk do donim ti përdornim ato, dhe kapacitet mund të shtohen sipas situatës edhe me spitalet e tjera rajonale jo vetëm me te quajturit spitale Covid. Ajo qe shohim çdo dite është përkushtimi i jashtëzakonshëm i bluzave të bardha edhe pse të tejlodhur nga ngarkesa jo vetëm fizike e mendore por dhe psikoemocionale e veçantë!

5-Kryeministra Rama në një intervistë e la të hapur mundësinë për një izolim të dytë të vendit. Nëse situata në vijim shkon drejt përkeqësimin dhe rritjes së numrit të të infektuarve, a rrezikojmë ne një tjetër karantinë?

Unë dhe shumë të tjerë si unë nuk e konsiderojmë mbylljen si zgjidhje por si një zgjedhje të kufizuar në kohë për të frenuar epideminë. Izolimi nuk varet nga ne, por nga ecuria e pandemisë në botë e veçanërisht në Europë e rreth nesh. Ajo që kemi në dorë është të respektojmë maksimalisht masat parandaluese, përdorimin e maskave, ruajtjen e distancës fizike dhe higjienë e dezinfektimin me alkool të duarve. Sa më shumë të ruhemi aq më e vogël është mundësia të mbyllemi. Por sidoqoftë situata mund të na detyrojë të merren masa kufizuese sidomos sa i takon lokaleve të natës, bareve dhe restoranteve në orët e darkës dhe të natës, dhe ndonjë masë tjetër sikundër po merret në vende të tjera. Unë nuk besoj dhe nuk e dëshiroj një mbyllje të dytë!

6-Cili është apeli që ju i bëni qytetarëve për të shmangur infektimet e mëtejshme?

Fare i thjeshtë, apeli që ju bëj çdo ditë, respektoni maksimalisht masat mbrojtëse, vendoseni dhe mbajeni maskën kudo dhe ashtu si rekomandojnë specialistet, ruani distancën dhe kujdesuni për higjienën e duarve dhe mjedisit që ju rrethon. Është kohë Covidi, dhe brezit tonë i takon jo vetëm të përballet me Covid 19, por ka dhe detyrimin historik ta mundë atë! Dhe ne së bashku do ta fitojmë betejën me Covid 19!/Fjala.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pëllumb Pipero “habit” me deklaratën

“Do doja të kisha rënë në kontakt me COVID-19”

Përgjigjet mjeku Pëllumb Pipero

A përhapet koronavirusi nga buka dhe ushqimet?

Pipero: Ja rezultati tek pacientët tanë!

Në Shqipëri ka mbërritur ilaçi i suksesshëm në botë!