MENU
klinika

10 pikat

Çfarë përmban raporti i OKB-së për Kosovën?

17.10.2020 - 12:40

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mbajë takimin informues të radhës për Kosovën më 21 tetor.

Është ky takimi i dytë për këtë vit, pas atij të mbajtur më 24 prill.

Raporti për Kosovën u është dhënë ndërkohë të gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Mbi bazën e tij çdo anëtar i KS përgatit fjalën e vet. Raporti do të prezantohet shkurtimisht në Këshillin e Sigurimit nga shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin.

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB për Kosovën përmban 14 faqe të ndara në dhjetë pika, si dhe tre shtojca. Raportimi bëhet në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, e cila thotë se Sekretari i Përgjithshëm i OKB duhet të informojë rregullisht Këshillin e Sigurimit për zbatimin e mandatit të UNMIK-ut. Raporti aktual trajton periudhën 16 mars- 15 shtator të këtij viti.

Katër faqet e para të raportit flasin për politikat kryesore dhe zhvillimet e çështjeve të sigurisë. “Sfida të ndyshme kanë hasur njerëzit dhe institucionet në Kosovë, por më kryesorja ka qenë COVID-19, krizë që përveç ndikimit në shëndetin publik ka pasur pasoja serioze politike, ekonomike dhe sociale,” shkruhet në fillim të raportit. Raporti numëron ndër zhvillimet politike heqjen e besimit qeverisë së Albin Kurtit, dy muaj mbas qëndrimit në pushtet dhe ngritjen e akuzave nga Dhomat Speciale të Kosovës kundër presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK, Kadri Veseli, të cilat “e komplikuan më tej skenën politike të Kosovës”.

Kronologjikisht ngjarjet janë zhvilluar kështu: LDK doli nga koalicioni me Vetëvendosjen dhe 82 nga 120 deputetët e Kuvendit votuan në favor të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti. Presidenti Thaçi ngarkoi LDK, partinë që pati dalë e dyta në zgjedhjet e fundit, për të formuar qeverinë e re. Qeveria e re është përzierje e partive të vogla. Kabineti i kryeministrit Hoti përmban 16 anëtarë, 3 prej të cilëve janë gra. “Me të marrë pushtetin, qeveria e re përcaktoi si prioritete luftën kundër pandemisë, rimëkëmbjen e ekonomisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përparimin në dialogun me Beogradin dhe përparimin në integrimin europian”, shkruhet në raport. Qeveria ka propozuar një plan 1,2 miliardë dollarë për rimëkëmbjen e ekonomisë.

Më tej: Në qershor Zyra e Prokurorit Special bëri të ditur akuzën e ngritur ndaj presidentit Thaçi, zotit Veseli dhe personave të tjerë të ngarkuar me krime, krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, zhdukje personash, torturë dhe përndjekje. Procesi pret të marrë rishikimin dhe konfirmimin nga një gjyqtar i procedures paraprake. “Zoti Veseli, thuhet në raport ka deklaruar se motivet e vërteta të Prokurorisë janë “krejtësisht politike”, kurse Presidenti Thaçi i quajti akuzat “të gabuara”. Ndërkohë Kuvendi nxorri një rezolutë të padetyrueshme që i bën thirrje njerëzve në Kosovë për të qenë të bashkuar në mbrojtje të vlerave të “luftës çlirimtare të UÇK”.

Raporti merret më tej me tensionet në rritje lidhur me vazhdimin e punimeve në rrugën për Mal të Zi, e cila kalon nëpër zonën e mbrojtur të manastirit Visoki të Deçanit. Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit i kërkoi qeverisë së Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar ta mbrojë zonën nga shkeljet. Beogradi kritikoi punimet për ndërtimin e rrugës dhe i kërkoi presidentit Vuçiq që të përfshijë këtë çështje në axhendën e bisedimeve të radhës Prishtinë- Beograd. “Punimet e rrugës kanë ndaluar, sqaron raporti, por komuna e Deçanit nuk është angazhuar që të ndalojë përgjithnjë punimet e rrugës “së paligjshme”.

Po ashtu raporti shkruan për rritje të akteve kriminale kundër personave dhe pronave në komunat serbe të Vushtrisë, Novakut, Prizrenit, Istogut, Gilanit dhe Obiliqit nga mesi i marsit deri në fund të majit.

Me ndikimin e virusit Corona dhe luftimin e tij merret pjesa e tretë e raportit. Kosova ka pasur 15 000 raste infektimi me COVID-19 dhe më shumë se 600 që kanë humbur jetën. Krah masave të tjera, është duke u bërë përpjekje, për të rritur kapacitetet në bërjen e analizave. “Reagimi ndaj pandemisë ka qenë nën ndikimin e sistemit të dytë paralel shëndetësor të mbështetur nga qeveria e Serbisë,” thuhet në raport, i cili vëren se “në fazat e para të pandemisë ka patur divergjenca midis masave të marra nga Prishtina dhe atyre të marra nga institucionet që sponsorizohen nga Beogradi.” Që nga marsi, ekipi i OKB në Kosovë, ka dhënë asistencë bilaterale dhe multilaterale prej 27 milionë dollarësh.

COVID-19, është ai që ka bërë bashkë kryetarët e bashkive të Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, në një konferencë të mbajtur më 2 prill, ku i është bërë thirrje qytetarëve të respektojnë masat parandaluese. Kemi kaluar kështu në pikën 4 të raportit, e cila që merret me Veriun e Kosovës. Përveç COVID-19, temat në veri të Kosovës kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale.

Pika e pestë e raportit të Sekretarit të Përgjithshëm merret me normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. “Vazhdojnë përpjekjet në dialogun Prishtinë- Beograd organizuar nga BE”. Më 3 prill BE emëroi Miroslav Lajçakun, të dërguarin special për dialogun. Franca dhe Gjermania mbajtën takime virtuale më 10 dhe 12 korrik me kryeministrin Hoti dhe Presidentin Vuçiq, takim që u pasua nga një takim fizik më 16 dhe 17 korrik me pjesëmarrjen e Josep Borrellit, përfaqësuesit të lartë të BE për politikën e jashtme dhe çështjet e sigurisë. “Takimi u fokusua në çështjet e personave të zhdukur dhe personave të zhvendosur si dhe tek bashkëpunimi ekonomik,” thuhet në raport. Vuçiq dhe Hoti dhanë një deklaratë të përbashkët ku vunë theksin në “prioritetin e madh që ka integrimi në BE” dhe tek vazhdimi i dialogut. “Në të njëjtën kohë, thuhet në raport, palët vazhduan të prezantojnë qëndrime të ndryshme lidhur me rezultatet që presin nga dialogu. Prishtina këmbëngul në njohjen reciproke dhe Beogradi në rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese”.

Më pas flitet për takimin më 4 shtator në Uashington të presidentit të SHBA dhe kryeministrit Hoti dhe Presidentit Vuçiq, ku u nënshkruan veç e veç marrëveshje për “normalizimin e marrëdhënieve ekonomike”. Beogradi dhe Prishtina premtojnë mes të tjerash të rivendosin lidhjet hekurudhore dhe të ndërtojnë një autostradë, si dhe që të bashkëpunojnë me qeverinë e SHBA për të bërë një studim që synon ndarjen e energjive ujore dhe energjetike të liqenit të Ujmanit. Palët kanë rënë dakord që Kosova t’i bashkohet “mini- Shengenit”, zonës së përbashkët midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Të dy palëve kanë rënë dakord që të pezullojnë për një vit fushatat e njohjes dhe çnjohjes së Kosovës.

Më tej raporti tregon për nënshkrimin e marrëveshjes për autorizimin e sistemit elektrik të Kosovës që të shkëputet nga zona serbe, dhe të futet në një zonë rajonale që mbulon Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Në pikën e gjashtë raporti merret me kthimet, pajtimin, trashëgiminë kulturore dhe marrëdhëniet midis komuniteteve. Gjatë kësaj periudhe ka pasur 189 kthime vullnetare, mes të cilëve gra dhe burra, serbë, romë, shqiptarë, egjiptianë, boshnjakë. “Pjesa më e madhe e 200 000 personave të zhvendosur nga Kosova e kanë rezidencën në Serbi,” thuhet në raport. Në maj një grup teknik mbajti një takim virtual për të nxitur zgjidhje të përhershme për personat e zhvendosur nga Kosova.

Zyra e Komisionerit për gjuhën botoi në mars raportin vjetor për respektimin e ligjit të gjuhës për komunitetet. Komunitetet jomadhore vazhdojnë të hasin pengesa për të marrë informacione në të gjitha gjuhët në sistemin e drejtësisë, regjistrimin e pronave, shërbimin ndaj shëndetit.

Pika e shtatë e raportit i kushtohet zbatimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Në këtë pikë vërehet se prokuroria dhe gjykatat e Kosovës kanë pasur gjatë kësaj periudhe procese me krimin e organizuar dhe korrupsion në nivele të larta. Raporti përmend procesin ndaj 19 personave, përfshirë anëtarë të Kuvendit dhe ish ministra të akuzuar për abuzim detyre gjatë privatizimit të kompanisë së energjisë elektrike të Kosovës. Pesë policë janë akuzuar për krim të organizuar dhe kontrabandë mallrash. Shtatë persona janë akuzuar për transport dhe shitje armësh dhe lëndësh narkotike. 33 persona janë akuzuar për marrje rryshfetesh, kontrabandë mallrash dhe mbajtje armësh. Megjithatë, shoqëria civile raporton për pak përparim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjykatat e Kosovës kanë vazhduar proceset për krime lufte dhe raste që kanë lidhje me to. UNMIK vazhdon përpjekjet për të mësuar për fatin e 1643 personave të zhdukur.

Kosova vazhdon proceset e dënimit të personave që kanë marrë pjesë si luftëtarë të huaj në luftëra dhe terrorizma.

Në pikën tetë raporti merret me çështjen “Gruaja dhe paqja e siguria” në të cilën thuhet se komisioni i verifikimit të statusit të të mbijetuarit të dhunës seksuale në luftë ka marrë 63 kërkesa duke e çuar numrin e përgjithshëm në 1303. Deri më sot 846 persona kanë marrë statusin, kurse 262 vetë janë refuzuar. Në këtë pikë të raportit, Sekretari i Përgjithshëm shkruan se gjatë pandemisë është rritur dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinire. Gjashtë muajt e parë të këtij viti ka pasur 1012 raste dhune në familje. Në qershor, është inaguruar strehimorja e parë rajonale në Mitrovicën Veriore për viktimat e dhunës familjare dhe me bazë gjinore.

Në pikën e nëntë flitet për rritjen e besimit, partneritetin dhe bashkëpunimin. Kjo është pika ku është përqëndruar kryesisht puna e UNMIK-ut në Kosovë dhe UNMIK flet për veten e vet.

Në pikën e dhjetë, Sekretari i Përgjithshëm ka përmbledhur vërejtjet që ka, mes të tjerash: “UNMIK-u dhe ekipi i OKB në Kosovë do të vazhdojnë të adaptojnë aktivitetet e tyre në bazë të ndryshimeve që kanë ndodhur në vend dhe do të vendosin prioritetet në mbështetjen e Kosovës, duke u përqëndruar tek ata që kanë më shumë nevojë.”

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm shoqërohet nga raporti i përfaqësuesit të lartë të BE për politikën e jashtme dhe sigurinë, mbi aktivitetet e EULEX-it dhe nga një raport i Dhomave Speciale dhe Prokurorit Special si dhe një shtojcë që tregon për përbërjen e UNMIK-ut./DW

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Basha takon kryeparlamentarin Veseli

‘Nuk duhet t’i cënoni kufijtë’


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë