MENU
klinika

"Në Tiranë, mbi 13% e popullsisë mund të jetë e imunizuar"

Flet profesori i Imunologjisë: Ja vaksina që ka efekt mbrojtës ndaj Covid-19

22.10.2020 - 14:30

Nuk është vetëm BCG apo vaksina kundër tuberkulozit që mendohet se mund të ketë efekt mbrojtës ndaj COVID-19. Profesori i Imunologjisë, Genc Sulçebe, thotë se krahas saj, studimet tregojnë se një rol mbrojtës ndaj koronavirusit mund të ketë edhe vaksina e ndaj pneumokokut.

“Edhe vaksina ndaj pneumokokut referohet se mund të ketë efekt mbrojtës për COVID-19. Ashtu si edhe vaksina e gripit, këto vaksina rekomandohen kryesisht në individët e moshuar, kryesisht ata mbi 65 vjeç, që janë dhe më të rrezikuar ndaj COVID-19”, vë në dukje profesori. Kjo vaksinë është përfshirë në programin e vaksinimit në vendin tonë në vitin 2011, çka do të thotë se të lindurit pas kësaj date janë të vaksinuar. Sipas kalendarit të ISHP-së, vaksina që parandalon sëmundje si meningjiti dhe infeksionet e gjakut aplikohet te foshnjat në tri doza, përkatësisht në muajin e 2- të, të 4-t dhe të 10-të. Në një intervistë dhënë për gazetën, profesori analizon edhe situatën aktuale, vendimin e qeverisë për mbajtjen e maskave me detyrim në ambientet jashtë, si edhe trajtimin e pacientëve që po ndiqen në kushte shtëpie, për të cilët nuk ka ende një protokoll apo një skemë mjekimi të përditësuar. Kur po bëhen thuajse tre muaj nga studimi i kryer mbi pozitivitetin e antitrupave, nga ku rezultonte se 6 deri në 7 për qind e popullatës, ose rreth 12 mijë, persona në Tiranë e kishin kaluar sëmundjen, aktualisht, shton profesor Sulçebe, kjo shifër mund të jetë dyfishuar, pra 13 për qind e popullsisë në Tiranë mund ta ketë kaluar sëmundjen. Lidhur me vendimin për mbajtjen e maskës, ndërsa e cilëson të duhur, vë në dukje se nuk do të jetë efikas nëse nuk shoqërohet me masa shtesë, siç mund të jetë vetëm ndalimi i grumbullimeve të njerëzve në ambiente të brendshme dhe të jashtme, higjiena e rreptë e duarve, si dhe rritja e numrit të testimeve. Të dhënat tregojnë se vetëm 5 për qind e të infektuarve me COVID-19 kanë nevojë për trajtim spitalor, pasi pjesa më e madhe ose janë simptomatikë, ose ndiqen në banesë nga mjekët e familjes. Për këta të fundit, profesori apelon që të mos abuzohet me përdorimin e parakohshëm dhe pa kriter të antibiotikëve, kortizonikëve dhe antikoagulantëve.

Profesor, teksa kemi hyrë në javën e 43-të të pandemisë rezulton e infektuar me COVID-19 apo e imunizuar nga kjo sëmundje më pak se 1 për qind e popullsisë. Shifrat zyrtare qartazi janë tejet larg situatës reale e shumë më larg “imunitetit të tufës”. Çfarë ka dështuar sipas jush?

Si në të gjithë botën, edhe te ne shifra e personave të infektuar në bazë të analizës virale me RT-PCR është mjaft më e vogël se numri i atyre të infektuar realisht. Kjo kryesisht për faktin se 40 deri 45% e personave që infektohen nga virusi SARS-CoV-2 janë asimptomatikë. Për rrjedhojë, këta individë nuk janë të testuar, dhe nga ana tjetër, ata janë burim përhapjeje infeksioni në masë. Pa dyshim, ashtu si dhe në vendet e tjera, edhe ne jemi akoma larg imunitetit kolektiv, të ashtuquajtur si “imuniteti i tufës”, i cili arrihet kur të paktën 60% e popullatës është e imunizuar qoftë nëpërmjet infeksionit natyral apo vaksinimit

Në muajin korrik ju prezantuat një studim mbi pozitivitetin e antitrupave, nga ku rezultonte se 6 deri në 7 për qind e popullatës në Tiranë e kishin kaluar sëmundjen. A keni ndërmarrë një vëzhgim të ri?

Në mes të korrikut 2020 ne vumë re në një kampion të popullatës së zgjedhur rastësisht të qytetit të Tiranës një pozitivitet të antitrupave prej 6.4%. Në qoftë se kemi parasysh të gjithë popullatën e qytetit të Tiranës, kjo do të thotë se numri i qytetarëve që janë infektuar realisht nga virusi është të paktën 3 herë më i madh se numri i atyre që janë kapur me analizën RT-PCR, thënë ndryshe, prova e tamponit. Deri tani ne nuk kemi bërë vëzhgime të tjera të seroprevalencës së infeksionit COVID-19.

Sa mendoni që është aktualisht shkalla e infeksionit?

Duke pasur parasysh se në korrik 2020 rifilloi një shkallëzim gradual i përhapjes së infeksionit, i cili aktualisht është në vazhdim e sipër, mendoj se përqindja e seroprevalencës në qytetin e Tiranës duhet të jetë të paktën dyfishuar. Duhet të kemi parasysh se në disa qytete të tjera të botës, si p.sh Nju Jorku i SHBA-së, seroprevalenca është rreth 20%.

Prej datës 15 tetor qeveria ka vendosur që maska të jetë e detyrueshme edhe në ambientet jashtë, si e komentoni ju këtë vendim dhe sa rezultat mendoni që do të japë?

Duke pasur parasysh shkallëzimin e infeksionit, kjo masë ishte e domosdoshme. Por që të ketë efekt mbajtja e maskave, është e nevojshme që të respektohet me rreptësi mbajtja e vazhdueshme e tyre sidomos në ambientet e mbyllura ku rreziku i infektimit është shumë më i lartë se në ambientet e hapura. Por mbajtja e maskave e veçuar nuk ka efekt në qoftë se ajo nuk shoqërohet me masa të tjera parandaluese, siç janë ruajtja e distancimit fizik prej të paktën 2 metra, ndalimi i grumbullimeve të njerëzve në ambiente të brendshme dhe të jashtme, higjiena e rreptë e duarve, si dhe rritja e numrit të testimeve, të cilat duhet të synojnë edhe kapjen e personave asimptomatikë që janë burim i rëndësishëm i infeksionit.

Profesor, nëse mund të kemi mendimin tuaj mbi mjekimin e pacientëve në kushte shtëpie. Kanë kaluar më shumë se 6 muaj dhe ende nuk ka një skemë mjekimi apo një udhëzim të përditësuar nga ana ministrisë për pacientët e infektuar që ndiqen në kushte shtëpie. Sa shqetësuese mund të jetë kjo?

Siç është komunikuar dhe nga imunologu i njohur Anthony Fauci në SHBA, ndër personat që kanë shenja klinike të infeksionit, 81% prej tyre kanë forma të lehta dhe të mesme, të cilat kalojnë me ndjekje në kushte shtëpie. Rreth 14% të tjerë kanë forma më të rënda ndërsa 5% e të infektuarve mund të shfaqin forma kritike të infeksionit. Në shtëpi është mjeku i familjes që ndjek të sëmurin në vazhdimësi dhe monitoron gjendjen. Skema të ngurta nuk mund të ketë, pasi mjekimi është në vartësi jo vetëm të formës së sëmundjes, por dhe të karakteristikave të pacientëve, të cilat ndryshojnë mjaft njëri nga tjetri. COVID-19 është një infeksion viral për të cilin deri tani nuk ka mjekime të vërtetuara si të efektshme. Mjekohen vetëm simptomat e sëmundjes, si temperatura etj., si dhe komplikacionet e mundshme të saj. Nuk duhet abuzuar me përdorimin e parakohshëm dhe pa kriter të antibiotikëve, kortizonikëve dhe antikoagulantëve. Në dijeninë time, mjekët e familjes janë në trajnim të vazhdueshëm në këtë drejtim.

Së fundmi, mediat në Itali kanë shkruar se një dozë tjetër vaksine kundër tuberkulozit për ata që e kanë kryer këtë vaksinë para 10 vitesh mbron nga COVID-19. A ka ndonjë të vërtet këtu?

Është e vërtetë që vaksina e tuberkulozit mund të ketë efekt mbrojtës jo specifik për COVID-19 me një mekanizëm që quhet “imunitet i stërvitur”. Ka studime që janë në vazhdim lidhur me këtë, por akoma nuk kemi rezultate të tyre. Edhe vaksina ndaj pneumokokut referohet se mund të ketë efekt mbrojtës për COVID-19. Ashtu si edhe vaksina e gripit, këto vaksina rekomandohen kryesisht në individët e moshuar, kryesisht ata mbi 65 vjeç që janë dhe më të rrezikuar ndaj COVID-19.

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!