MENU
klinika

Koronavirusi

Orë pas ore/ Shkon në 10 numri i të infektuarve

10.03.2020 - 12:45

Rritet numri i personave të prekur me koronavirus në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije ditën e sotme se u janë bërë analizat 114 persona, nga të cilët kanë rezultuar pozitiv 10 persona. Bëhet fjalë për dy të prekurit me koronavirus, babë e bir dhe 6 familjarë të tyre, si dhe janë evidentuar edhe dy raste të tjera të reja.

Drejtoresha e ISHP Albana Fiço shpjegoi se çfarë ndodh me personat e infektuar nga koronavirusi dhe ata që janë të dyshuar.

“Pyetja është e saktë dhe ia vlen ta qasim. Vetëizolimi ka të bëjë me persona pozitivë jo të sëmurëv jo me shenja klinike. Në spital ke shenja klinike, je pozitiv . Personat që dolën pozitiv pas dy rasteve të para janë të vetëizoluar. Janë persona që nuk kanë shenja klinike. Vetëkarantinimi ka të bëjë me persona që kanë histori udhëtimi dhe nuk kanë shenja klinike. Nëse ti ke shenja respiratore, ke temperaturë dhe ke qenë në zonat e kuqe vjen këtu. Edhe atyre që nuk kanë histori udhëtimi i bëhet testimi. Në vetëkarantinim ke për detyrë të qëndrosh i izoluar, të përdorësh një dhomë të veçantë”, u shpreh Fiço.

Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se Shqipëria është duke u përgatitur për të përballuar situatën me koronavirusin duke menduar skenarin më të keq si në Italinë fqinje të prekur nga COVID-19. Rakacolli tha se nëse do të arrihet në pikën që spitali Infektiv në QSUT të mbushet me pacientë, atëherë është menduar për të kthyer në karantinë edhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, ose Sanatoriumi siç njihet.

Por megjithatë zv.ministrja tha se aktualisht në spitalin Infektiv janë vetëm 3 të shtruar, dhe pritshmëritë janë që ata të shërohen dhe të lënë spitalin. Kështu – do të vazhdojë një proces zinxhirë – tha Rakacolli.

Shefi i urgjencës, Skënder Brataj ka bërë me dije se në numrin 127 janë trefishuar telefonatat nga persona.

“Është trefishuar numri në 127, 80% e njerëzve që nuk shfaqin simptoma. Ato që shfaqin simptoma kurohen në shtëpi në 90% të rasteve. Kemi pasur raste të gripit. Si mund t’i përgjigjemi këtij rasti? Ka një shpërndarje të shpejtë? Po, ka. Duhet të rrimë në shtëpi. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm të rrimë në shtëpi, i mori masat edhe Italia, filloi izolimi. Nuk ka rrugë tjetër. I lutem qytetarëve që të izolojmë daljet, distancat me një metër nga njëri-tjetrin, duhet shumë bashkëpunim. Nuk ka mjekim. Është si puna e gripit. Nuk ka medikament specifik. Ka nevojë për trajtim. Protokolli i higjienës, ajrimi, izolimi në dhomë në shtëpi nëse jeni të infektuar”, bëri me dije Brataj.

Mira Rakacolli, zv.ministre e Shëndetësisë tha se vetëkarantimi në shtëpi është i domosdoshëm në këtë situatë, për të shmangur përhapjen e infeksionit.

“Karantinimi i detyrueshëm është shumë i rëndësishëm sepse shmang kontaktet e këtyre njerëzve dhe ndalon sëmundjen të përhapet. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të zbatojnë me rigorozitet masat e specialistëve. Të kufizojmë transportin publik, të evitojmë ndenjjen ne ambiente të grumbulluara. Shmangni daljet e panevojshme nga shtëpia. Shmangni ambientet ku mund të rrihet shumë ngushtë. I kemi të gjitha strukturat për ta përballuar. Ka panik të madh, dhe nuk është sjellja në përputhje me këtë panik. Nëpër kafene mblidhemi ulemi afër me njëri-tjetrin”, tha Rakacolli.

Albana Fico, Drejtore e Institutit të Shëndetit Publik tha se në këtë institut janë të gjitha kapacitetet për të përballuar situatën e koronavirusit. Ajo bëri një apel të përsëritur për masat e higjienës personale.

“Larjen e duarve më shumë se 20 sekonda, përdorimin e dezinfektantëve, respektimin e higjienës respiratore, përdorimin e facoletës, pas kollitjes dhe teshtimave dhe pasi e përdorim ta hedhim në kosh me kapakë të mbyllur. Të zbatojmë rregullin e distanimit social, por të gjithë jemi të informuar që një nga mënyrat e përhapjes janë spërklat në kontakte direkte dhe jo e ajrit”, tha Fico.

“Deri sot janë testuar 114 raste të dyshuar, prej të cilëve vetëm 10 janë pozitiv. Ato që kanë qenë dje babë e bir, 6 që janë konakte të këtyre të sëmurëve dhe dy raste të reja të palidhura me këto raste. Një që është i shtruar në Infektiv dhe ka një histori udhëtimi në Milano një ditor, dhe një në spitalin e Durrësit”, bëri me dije ministria e Shëndetësisë.