Shumë amerikanë kanë votuar tashmë, dhe shumë të tjerë së shpejti do të shkojnë në votime në atë që do të jetë ngjarja më e rëndësishme politike në botë e vitit.
Zgjedhjet presidenciale të SHBA në vitin 2020 janë një moment fatal në të gjitha kuptimet e fjalës, jo vetëm për demokracinë amerikane por edhe për transatlantizmin dhe të ardhmen e Perëndimit.
Nëse Donald Trump rizgjedhet, ka arsye të mira për të dyshuar se transatlantizmi do të mbijetojë në katër vitet e ardhshme, ose se Perëndimi do të mbetet i bashkuar në ndonjë mënyrë kuptimplote.
Do të ishte një katastrofë e vërtetë në një vit tashmë katastrofik.
Për fat të mirë, kundërshtari demokrat i Trump, Joe Biden, ka kryesuar vazhdimisht në sondazhet e opinioneve, që do të thotë se së shpejti mund të ketë një mundësi për të ringjallur Perëndimin si një aktor gjeopolitik. Pyetja është se si duhet të duket një marrëdhënie transatlantike pas-Trump. Thjesht kthimi në epokën para-Trump nuk është një opsion. Shumë gjëra kanë ndryshuar në të dyja anët e Atlantikut këto vitet e fundit, duke përfshirë edhe vetë aktorët kryesorë politikë.
Për Shtetet e Bashkuara, nuk mund të ketë kthim pas. Ankesa se anëtarët evropianë të NATO-s nuk kanë dhënë kontributin e tyre të drejtë në mbrojtjen e përbashkët, vështirë se është vetëm ankesa e tij. Por evropianët, nga ana e tyre, nuk do të harrojnë së shpejti tronditjen nga presidenca Trump dhe tashmë kanë arritur të kuptojnë se ata duhet të mbështeten më shumë në forcën dhe sovranitetin e tyre në vitet në vijim.
Që të mos e harrojmë, “strumbullari” i SHBA-së në Azi (dhe larg Evropës) filloi nën udhëheqjen e ish-Presidentit Barak Obama, jo Trump dhe nuk u nxit nga ideologjia, por nga interesat objektive të SHBA-së si një fuqi globale . Në fakt, përqendrimi intensiv në Azi ka ndodhur që nga fundi i Luftës së Ftohtë, dhe madje edhe më shumë që nga pranimi i Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe ngritjes ekonomike, teknologjike dhe ushtarake.
Këto zhvillime kanë zhvendosur të gjithë qendrën e gravitetit gjeopolitik nga Atlantiku në Paqësor.
Për më tepër, Evropa, gjithashtu, ka pësuar një strumbullar të heshtur në Azi, pasi gjithnjë e më shumë është mbështetur te Kina si një partner tregtar. Por për shkak se Bashkimi Evropian nuk ka qenë një lojtar politik global, kjo zhvendosje nuk tërhoqi shumë vëmendje, aq më pak një debat më të gjerë strategjik.
Evropa nuk është fuqi e Paqësorit, kështu që është lënë të veprojë si një lloj “bishti perëndimor” në Euroazi.
Por e gjithë kjo do të ndryshojë në mënyrë dramatike në vitet e ardhshme. Edhe nën udhëheqjen e Biden, Kina do të jetë çështja strategjike kryesore me të cilën do të përballet Perëndimi transatlantik. A do të karakterizohen marrëdhëniet kino-perëndimore nga konfrontimi dhe “shkëputja”, tregtia dhe bashkëpunimi, ose ndonjë përzierje e ndërlikuar e të dyjave?
Pyetjet në lidhje me trajtimin e Hong-Kongut dhe Kinës ndaj pakicave të tilla si Ujgurët në mënyrë të pashmangshme do të prekin vlerat perëndimore. Dhe për Tajvanin, ekziston një arsye e mirë për të pasur frikë se rivaliteti i ri i superfuqisë do të përshkallëzohet deri në konfrontim ushtarak, duke qenë se veprimet e Kinës në Hong Kong kanë zhvlerësuar formulën e vjetër (“një vend, dy sisteme”) për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Është e qartë, bashkëpunimi SHBA-Evropë në konflikte të panumërta rajonale do të duhet të rinovohet. Por kjo nuk do të jetët e lehtë për Evropën. Në Gjermani, në veçanti, qeveria federale më në fund do të duhet të përkthejë fjalët me veprim nëse dëshiron të forcojë partneritetin transatlantik të sigurisë dhe të ndalojë prirjen e SHBA drejt një politike të jashtme më izoluese.
Me fjalë të tjera, Evropa duhet të bëhet një lojtar i aftë global , duke ndërtuar kapacitetet e nevojshme politike dhe ushtarake dhe duke i integruar ato në kornizën e NATO-s.
Udhëheqësit evropianë (dhe veçanërisht gjermanët) nuk duhet të kenë asnjë iluzion: angazhimi më i thellë i sigurisë evropiane do të jetë çmimi për rifillimin e partneritetit transatlantik nën një administratë të Biden.
Përveç Kinës dhe shpenzimeve të mbrojtjes, marrëdhëniet me një SHBA pas Trump do të përfshijnë një vështirësi të tretë: ndjekjen e BE-së për sovranitetin teknologjik dhe vetëvendosjen.
Tregu dixhital i BE-së dominohet kryesisht nga firmat e mëdha të teknologjisë amerikane, që do të thotë se nëse BE-ja dëshiron të arrijë sovranitetin e të dhënave, ajo duhet të ndërtojë platformat e veta.
Ndër të tjera, Evropa duhet të vendosë rregullat dhe standardet e veta për të siguruar që të gjitha të dhënat që u përkasin qytetarëve dhe kompanive evropiane të qëndrojnë në Evropë; dhe duhet të minimizojë varësinë e saj nga të tjerët.
Kjo është çështje jo vetëm e konkurrencës ekonomike, por edhe e sigurisë gjithashtu. Me siguri, ushtritë evropiane nuk mund të pritet të mbështeten në pajisjet kompjuterike të bazuara në re, të vendosura jashtë Evropës.
Këto çështje do të bëhen burime të mosmarrëveshjeve të rëndësishme transatlantike.
Por të paktën nën një presidencë të Biden, aleatët e SHBA do të trajtohen edhe një herë si aleatë. Shtetet e Bashkuara do të bashkohen me pjesën tjetër të botës në marrëveshjet ndërkombëtare të klimës dhe institucionet e qeverisjes globale siç është Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe këto zhvillime do të ofronin disa shpresë për të ardhmen.
Por, përsëri, evropianët nuk duhet të kenë asnjë iluzion.
Pas katër vitesh nën udhëheqjen e Trump, të gjitha palët e përfshira duhet të kuptojnë se si duket alternativa për një aleancë të fortë të Atlantikut të Veriut dhe cili do të jetë çmimi i një alternative të tillë.
Peizazhi gjeopolitik global do të ndikohet drejtpërdrejt nga ajo që ndodh në marrëdhëniet transatlantike.
Pjesa tjetër e shekullit njëzet e një mund të jetë koha e dueleve të superfuqive dhe thellimit të paqëndrueshmërisë, ose mund të shkaktojë një ekuilibër fuqish, me Evropën që e bën peshën e saj të ndihet brenda një trekëndëshi më të gjerë gjeopolitik.
Sido që të jetë, lëvizjet e ardhshme të Evropës do të jenë vendimtare.
A mundet që BE të mbledhë forcën dhe vizionin për t’u bërë një lojtar global në aspektin e sigurisë dhe gjeopolitike? Po, por vetëm nëse është i gatshëm dhe i aftë të shfrytëzojë mundësinë që do të ofronte presidenca e Biden.
Joschka Fischer, ministri i jashtëm dhe nënkancelar i Gjermanisë nga 1998 në 2005, ishte një udhëheqës i Partisë së Gjelbër Gjermane për gati 20 vjet.