Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në Konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë, “Covid 19-Impakti në Ekonomi dhe Politikat e Bankës Qëndrore”, në bashkëpunim me LSE ( London School of Economy).
Ministrja Denaj vlerësoi bashkëpunimin dhe angazhimin e BSH-së gjatë pandemisë dhe theksoi se Covid-19 ka sfiduar qeverisjen dhe teoritë ekonomike brenda një kohe shumë të shkurtër.
Ministrja në fjalën e saj u shpreh, se për sa i përket rritjes ekonomike, ky vit është më i vështiri për rritjen ekonomike për shkak të këtyre ndikimeve jo pozitive në buxhet. Gjithësisë, qëndrueshmëria e bazave kryesore ekonomike, përfshirë stabilitetin e financave publike, duket se të paktën deri më tani, nuk ka shenja mangësie të madhe, ndryshe nga çfarë ishte parashikuar të ndodhte fillimisht.
“PBB-ja u tkurr me 10.2% në tremujorin e dytë dhe -6.6% në gjysmën e parë të vitit 2020, krahasuar me periudhat përkatëse të vitit të kaluar. Ne parashikojmë një tkurrje të ekonomisë me 6.1% në fund të vitit. Në rast se situata me pandeminë nuk do të përkeqësohet në vijim, projeksionet e vitit të ardhshëm do të jetë 5.5% në rritje”, tha Ministrja.
Ministrja informoi pjesëmarrësit në këtë konferencë mbi masat e marra për të mbështetur likuditetin e bizneseve, veçanërisht nëpërmjet skemave të reja të garancisë së shtetit në shumën gjithsej prej 250 milion dollarë. Zbatimi i këtyre garancive ishte diçka e re, ashtu sikundër vlerësimi mbi ndikimin e gjerë që kanë në momente krize si këto.
Viti i ardhshëm është sfida e vërtetë për ne, tha Ministrja Denaj, pasi askush nuk mund të parashikojë efektet përfundimtare të pandemisë. Sidoqoftë ne kemi shtuar përpjekjet për të mbështetur rritjen e ekonomisë.