Shumë festuan largimin e presidentit të Barcelonës por pak mendojnë nëse ky ndryshim do të funksionojë vërtet kjo për qëndrimin e Lionel Messit, të cilit i mbaron kontrata në qershorin e ardhshëm. A e siguron dorëheqja Bartomeut të ardhmen e Messit në Barcelonë?
Natyrisht, ylli botëror i futbollit e ka vetë në dorë. Leo me ose pa Bartomeu po bën punën e tij me blaugranat në sezonin e ri, në 6 ndeshje të luajtura mes kampionatit spanjoll dhe Champions League, duke shënuar 2 gola dhe 2 asiste. Duket qartë se produktiviteti i tij ka rënë ndjeshëm krahasuar me startet e viteve të kaluara.
Dhe titujt e ndryshëm të mediave sportive si “Messi nuk është i lumtur në fushë”, “Messi nuk feston gola me shokët e tij të skuadrës”, “Messi nuk është aq afër sa ishte vitin e kaluar me Ansu “,”Pa Suárez, Messi ndihet i vetëm në dhomën e zhveshjes” duket se ndikojnë jo pak edhe në anën e tij shpirtërore.
Para “El Clasico”, Lionel Messi foli për rivalitetin e madh që kishte me Cristiano Ronaldon te Real Madrid. Ndoshta ishte një mesazh i koduar që ai sërish kërkon të largohet nga Spanja. Ndoshta Messi do të durojë se kush do të jetë presidenti i ri i Barcelona-s në muajin mars dhe nëse pasardhësi i Bartomeut ka një projekt për të, pse jo, për ta mbyllur karrierën si blaugrana, për të qëndruar flamur për tifozët.