MENU
klinika

Terroristi, heroina dhe viktima

Tre shqiptarët e përfshirë në sulmin e përgjakshëm në Vjenë

03.11.2020 - 17:52

Në sulmin e mbrëmshëm që ndodhi në disa qendra të Vjenës së Austrisë, e që tronditi botën, kanë qenë të përfshirë tre shqiptarë. Kujtim Fejzullahi është 20-vjeçari, i cili shtiu në drejtim të civilëve, duke lënë të vdekur katër prej tyre. Ai u vra më pas nga autoritetet austriake.

Sipas raportimeve të mediave austriake, Fejzullahi me rrënjë shqiptare ishte simpatizant i organizatës terroriste ISIS dhe pak para sulmit, u betua për besnikëri ndaj kreut të ri të policisë terroriste të ISIS-it, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Quraishi.

Ai kishte qenë edhe në shënjestër të shërbimit sekret austriak, meqenëse ishte në mesin e 90 islamistëve që kishin dashur të shkojnë në Siri, porse ishte penguar.

Për anëtarësim në një organizatë terroriste me synimin që të evakuohej në Siri dhe të bashkohej me policinë terroriste të Shtetit Islamik atje, ai ishte dënuar me 22 muaj burgim.

Por, ky nuk është shqiptari i vetëm që u përfshi në këtë sulm. Edhe një prej viktimave të këtij sulmi është nga Maqedonia e Veriut.

Sipas raportimeve të mediave maqedonase bëhet fjalë për Nexhip Vrenezin, 21 vjeç. Ai dyshohet se u qëllua për vdekje në momentin kur kishte dalë nga lokali ku po pinte kafe, për të ndezur një cigare.

Për vdekjen e 21 vjeçarit ka shkruar edhe ish-politikani, Bardhyl Mahmuti.

“Pas aktit të mbrëmshëm terrorist në Vjenë, një numër mediash vunë në fokus faktin se krimineli që kreu këtë akt të përbindshëm ishte Kujtim Fejzullai, me origjinë shqiptare nga Maqedonia (nga fshati Çollopek, komuna e Bërvenicës). Fatkeqësisht të pakta ishin mediat që njoftuan se viktima e parë që u ekzekutua nga kjo fundërrinë fondamentaliste ishte Nexhip Vrenezi, gjithashtu me origjinë shqiptare nga Maqedonia (nga fshati Veleshtë, komuna e Strugës)”, ka shkruar Mahmuti në Facebook, transmeton Express.

E heroina e gjithë kësaj ngjarjeje të tmerrshme është kosovarja Doruntina Miroci.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka njoftuar se mbesa e tij është njëra nga policet që mbrëmë në Vjenë kanë luftuar me terroristët rrugëve të kryeqytetit austriak.

“Krenar me mbesën time Doruntina Miroci, e cila ka luftuar përkrah policisë austriake kundër sulmeve të tmerrshme terroriste në Vjenë. Bashkë mund të qëndrojmë të fortë”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndryshe, ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer, para pak minutash ka dalë në një konferencë për media, ku ka bërë një vlerësim të përgjithshëm të sulmit të mbrëmshëm terrorist që ndodhi në qendër të Vjenës.

Ai ka thënë se katër persona janë vrarë dhe 22 janë plagosur në këtë sulm terrorist, ndërsa tha se vrasësi i vetëm aktualisht dëshmohet të jetë shqiptari Kujtim Fejzullahi, me origjinë nga Tetova e Maqedonisë së Veriut.

“Tani për tani nuk ka prova për një autor të dytë”, tha Nehammer.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Gazetari austriak Florian Klenk tregon të dhënat tronditëse

Terroristi që tronditi Vjenën, është shqiptar?!


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin