Publikohen dokumentet arkivore të panjohura më parë, nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, që tregojnë për vendimin e marrë nga ana e qeverisë mbretërore të Monarkisë së Zogut, e kryesuar nga kryeministri Koço Kota, në muajin shkurt të vitit 1939, mbi dhënien e vizave turistike hebrenjve që jetonin në shtete të ndryshme të Evropës, të cilët kërkonin të vinin në Shqipëri.
Si dhe korrespodencën e ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, e kryesuar prej ministrit, Ekrem bej Libohova, me disa nga konsullatat e Mbretërisë Shqiptare të akredituara në vende të ndryshme të Evropës, si: Berlin, Zagreb, Beograd, etj., të kryesuar nga diplomatët e njohur, Rauf Fico, Tahir Shtylla, etj., lidhur me qarkoren e lëshuar nga kabineti i Koço Kotës, për lehtësirat që u duheshin krijuar izraelitëve që kërkonin të vinin në Shqipëri dhe moskthimin e tyre në Gjermani, pasi internoheshin menjëherë në kampet e Dachaut e Buchenwaldit.
Në Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit, që u mbajt para disa ditëve në Tiranë nga Kuvendi i Shqipërisë, por dhe në aktivitete të ndryshme të kësaj natyre, si ajo e 27 janarit, e njohur si “Dita e përkujtimit të Holokaustit”, konstatohet me krenari që “populli shqiptar mbrojti dhe strehoi hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore”!
Kjo që thuhet, për fat të keq është vetëm gjysma e së vërtetës! Themi kështu, pasi hebrenjtë në Shqipëri, nuk u mbrojtën dhe u strehuan vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, kryesisht nga nëntori i vitit 1938, (në datat 9 e 10 nëntor, e njohur ndryshe si “Netët e kristalta” apo “Netët e xhamave të thyer”) kur në disa prej qyteteve kryesore të Gjermanisë naziste si dhe Austrisë, filluan sulmet e para ndaj hebrejve, nga ana e formacioneve paramilitare SS, (huligane ekstremiste) të cilët sulmuan, thyen, plaçkitën e shkatërruan, me qindra shtëpi, biznese e lokale të hebrenjve.
Si pasojë e këtij pogromi, rreth 100 hebrenj mbetën të vdekur dhe mijra të tjerë përfunduan në kampet e përqëndrimit në Dachahu dhe Buchenwald. Kjo gjë, pra “Netët e kristalta”, do të shënonin edhe de facto fillimin e dhimbshëm të holokaustit që do të merrte jetën e më shumë se 6 milion hebrenjve dhe po aq rusëve, polakëve, dhe etnive të tjera jo hebreje (mids të cilëve dhe shqiptarë), në kampet naziste të çfarosjes në Europë.
Pas viteve 90-të, janë bërë publike mjaft dokumente, ku ministra, kryeministra e funksionarët të tjerë të lartë të Monarkisë së Zogut, si: Mehdi Frashëri, Koço Kota, Vasil Avrami, Yzedin Beshiri, Rauf Fico, Tahir Shtylla, por dhe në periudhën e pushtimit (1939,1944) si Qazim Mulleti, Kol Bib Mirakaj, Shefqet Vërlaci, Mustafa Kruja etj, pajisën me viza e pasaporta, me dhjetra e dhjetra hebrenj, duke i sjellë ata në Shqipëri, ku më pas ata gjetën strehë e mbrojtje nga familjet shqiptare. Sa më sipër, veç të tjerave kjo gjë konfirmohet e bëhet e ditur edhe nga disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit dhe që publikohen për herë të parë në këtë shkrim, ekskluzivisht nga Memorie.al.
Vendimi i Këshillit të Ministrave për dhënien e vizave turistike izraelitëve
K Ë SH I LL I M I N I S T R U E R
V E N D I M
Këshilli Ministrurer në mbledhjen e Tij të sotshme të mbajtun nën kryesinë e Z. Koço Kota, Kryeministër e Zav. Ministër i P. Botore, me anëtar ZZ. Faik Shatku, Ministër i Drejtësisë, Ekrem Libohova, Ministër i Punëve të Jashtëme, Musa Juka, Ministër i Punëve të Brendëshme, Kol Thaçi, Ministër i Financavet, Abdurrahman Dibra, Ministër i Arsimit, Rrok Gera, Ministër i Ekonomisë Kombëtare, në vijim të vendimit të tij Nr. 118 datë 28.I.1939,
V e n d o s i
Që izraelitët, për me mujt me marrë vizë me ardh në Shqipni në formë Turizmi, duhet të kenë edhe këto kondita:
Për çdo person, duhet të jetë e shënueme në pasaportë se ka me vehte të paktën 500 fr. Ari për t’i bamë ballë me këtë shumë shpenzimeve të qëndrimit në Shqipni për një muej kohë, konform me vendimin e sipërshënuem. Me fjalën, çdo person, kuptohet se kur vjen këtu një familje, duhet se çdo pjestar i saj të ketë sejcili nga 500 fr. Ari, tue shënue nhë pasaportë:
Gjithashtu duhet të jetë e shënueme në pasaportën, pranon kthimin po n’atë shtet mbas një mueji qëndrimi në Shqipni të çdo personi a familje izraelite, ose të ketë në pasaportë shenjimin e nji të tillë pranimi të ndonjë Shteti tjetër (affidavis).
Po nuk kjenë plotsue këto dy kondita, përfaqësitë diplomatike e konsullore të Mbretnisë s’onë, mos të lëshojnë vizë pasaporte për Shqipni.
Sekretari i Përgjithshëm
Izedin Beshiri
KRYESIJA E KËSHILLIT MINISTRUER Tiranë, 27.2.1939
Nr. 26/22
Ministrisë së P. të Jashtëme
T i r a n ë
Për dije dhe veprim ju dërgohet kopja e mësipërme
e vendimit të Këshillit Ministruer.
K R Y E M I N I S T R I
Koço Kota
Letra e ambasadorit shqiptar në Beograd, Tahir Shtylla, për Ministrinë e Jashtëme në Tiranë
DELEGATION ROYALE D’ALBANIA Belgrad, më 22 Fruer 1939
BELGRADE
Nr. 101/18. Tepër urgjente
SHKURTIMI: Mbi akordimin e vizave turistike të izraelitëve
Zoti Ministër
Në lidhje me qarkoren e saj P.T. Ministrie me Nr. 637/67 e datës 8.2.1939, përkatëse me lëshimin e vizave turistike për një muaj izraelitëve që dëshirojnë të shkojnë në Shqipëri, kam nderin t’i parashtroj Ekselencës s’Uaj, se Konsullata Nderi të Mbretnisë që kanë marrë edhe ato qarkoren e sipërme, do t’i japim një aplikim të gjerë kësaj, duke akorduar fare kollaj viza turistike izraelitëve që kërkojnë refuige në vëndin t’onë. Kështu Kryekonsullata jonë në Zagreb, titullari i së cilës favorizon izraelitët, sepse është vetë izraelit, me këtë qarkore do t’i ketë duart e lira dhe do të mbushë Shqipërinë me izraelitë.
Prandaj e shoh të udhës që për të evituar një inkonvient të tillë, të kufizohet aplikimi i qarkores në fjalë, vetëm për Përfaqësitë e Karrierës dhe jo ato të Nderit dhe në rast se Ekselenca e j’Uaj, e shifni t’arsyeshme këtë proponim t’em, Ju lutem që, me anën e një qarkoreje tjetër, t’u hiqet Konsullatave Nderi e drejta e akordimit të vizave turistike, të cilat, urdhërore që kanë kërkesa për turistëve të kësaj origjine, le t’i drejtohen kësaj origjine, le t’i drejtohen kësaj Legate ose Konsullatave të Karierës. Duke pritur një përgjigjie t’ë Ekselencësd s’Uaj, u shkrova Konsullatave Nderi në Zagreb e Split, që të presin udhëzimet e mia për këtë çështje.
Lus, pra, Ekselencën j’Uaj, që të kini mirësinë të më nepni një përgjigjie të shpejtë.
Pranoni Ju lutem, Zoti ministër,
Nderimet e mija më të larta.
Tahir Shtylla
Letra e Konsullit të Legatës shqiptare në Berlin, Rauf Fico, për Ministrin e Punëve të Jashtëme, Ekrem Libohova, në Tiranë
LEGATA MBRETNORE E SHQIPNISË Berlin, më 10 mars 1939
BERLIN
Shkurtimi: Njoftohet marrja e qarkores,
Nr. C.V. 637/75
Zoti Ministër,
Kam nderin t’i parashtroj asaj P.T. Ministrije marrjen e qarkores Nr. C.V. 637/75 me datën 4 Mars 1939.
Me këtë detyrohem t’u parashtroj si kjo qarkore ndalon krejtësisht dhënjen e vizave turistike për izraelitët, për asrye se kush nuk mundet që të qisi nga Gjermania më tepër se 10 marka. Sa për izraelitët edhe marrja e devizave, është e pamundur. Çifutët, parat e duhura, i sigurojnë mbasi të dalin nga Gjermania, pra asnjeri nuk mund të sigurojë se disponoin 500 fr. Ari.
J’u lutem Shkëlqesë pranoni nderimet e mia të nalta.
Rauf Fico
Shkëlqesisë së tij
Zotit Ekrem Libohova
Ministër i Punëvet të Jashtëme
T I R A N Ë 15 MARS 1939-1 PRILL 1939
Letra e Konsullatës Mbretrore Shqiptare në Vienë, për Ministrinë e Punëve të Jashtëme në Tiranë
KONSULLTA MBRETNORE E SHQIPNISË NË VJENË
Vjenë, më 13 mars 1939
Nr. 138/II
Shkurtimi: Gjegja e Qarkores Nr. C.V.617/75. Datë 4.3.1939. Mbi vizën turistike për izrealitët
Së ndershëmes
Ministri Mbretnore të Punve të Jashtëme
në Tiranë
Kemi nderin të njoftojmë, se muermë shënim mbi sa përmëndet me Qarkoren në fjalë për vizën turistike t’izraeliëtëve.
Nji qi e njef mirë gjëndjen e izraelitëve të ktushëm, e kupton mirfilli, se në themel të Vendimit të Këshillit Ministruer Nr. 210. (datë 25 të m.të k.) nuk do të jet ma kurrsesi e mundur për nji emigrant, me pasë vizë turistike për Shqipni për arsye se:
Nuk mund të marrë me vete ma se RM 10, përveç biljetave t’udhëtimit.
Megjithqi zyrtarisht nuk asht ndalue e kthymja e izraelitëve në Gjermani, eksperjenca e nji motmoti na tregon, se kurrnji çëfut nuk asht kthye deri më sot këtu. Riatdhesimi i tyne do të kishte për konsekvencë internimin në Dachau apo Buchenëalde.
Në këtë rasë po njoftojmë për rregullim, se nga ata 48 emigranta për të cilët u autorizuem telegrafisht mbrenda muejit të k.m. me u lëshue viza turistike për nji muej, kanë marrë deri tash 23 veta viza, ndërsa resti; d.m.th. 25 nuk kanë edhe pasaporta. Pra për t’evitue çfarëdo mosmarrëveshje, lutemi të na njoftohet sa ma parë a me u lëshue këtyne të fundit viza turistike, apo jo.
Me nderime të posaçme
Konsulli
Rauf Fico
/Memoria.al