MENU
klinika

"Reuters"

Katër zgjedhjet më të egra në historinë e Amerikës

04.11.2020 - 17:45

       Agjencia “Reuters” rikujton se, në historinë e Shteteve të Bashkuara janë mbajtur katër zgjedhje presidenciale, veçanërisht të kontestuara.

Në vitin 1800, zgjedhjet e katërta për president, përfunduan në barazim, me Thomas Jefferson dhe Aaron Burr, që morën 73 vota. Në këtë rast, kushtetuta e Shteteve të Bashkuara ia ngarkon kongresit zgjedhjen e presidentit. Delegacioni i secilit prej shteteve merr një votë të vetme, në të ashtuquajturarën “zgjedhja rezervë”.

Por, kur ligjvënësit filluan të votojnë, në shkurt 1801, as Jefferson dhe as Burr, nuk ishte në gjendje të fitonte mbështetjen e më shumë se 8 nga 16 shtetet anëtare të SHBA-së të asaj kohe. Kongresi votoi 35 herë, përgjatë një jave dhe në secilin rast, Jefferson mori tetë vota, pa arritur një shumicë të thjeshtë. Në votimin e 36, Jefferson fitoi 10 shtete dhe kongresi i dha atij, presidencën. Në bazë të rregullave të kohës, Burr u bë zëvendëspresident.

1824: Zgjedhjet rezervë

Andrew Jackson fitoi edhe votën popullore edhe numrin më të madh të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, mes katër kandidatëve për president, por nuk arriti të fitonte 131 votat zgjedhore, që nevojiteshin për fitoren e plotë. Rezultati solli votim në Dhomën e Përfaqësuesve, ku president u zgjodh John Quincy Adams.

1876: Zgjedhësit në duel

Zgjedhja më e gjatë dhe kontroverse për president, në historinë e Shteteve të Bashkuara, argumentohet se është ajo e vitit 1876. Republikani Rutherford B. Hayes konkurroi me demokratin, Samuel J. Tilden.

Në shtetet e jugut, votimi u shoqërua me kërcënime për dhunë nga demokratët, që synonin të mbanin zezakët larg ushtrimit të së drejtës për të votuar. Demokratët krijuan kuti votimi që mbanin fotografitë e të famshmit Abraham Lincoln, një republikan, në përpjekje për të mashtruar votuesit analfabetë që të votonin Tilden-in.

Në fund të fushatës së trazuar, kampet politike në tre shtete dërguan dy palë zgjedhësish, një palë për Tilden dhe një tjetër, për Hayes.

Zgjedhësit konkurrues nga Florida, Luiziana dhe Karolina e Veriut mbërritën në Uashington DC, me nivele të ndryshme autoriteti. Delegatët republikanë nga Luiziana, që mbështesnin Hayes, u dërguan nga guvernatori i shtetit, ndërsa delegatët demokratë që mbështesnin Tilden-n, u dërguan nga kandidati i partisë për guvernator.

Zgjedhjet mbetën pezull, në shtetet ku kishte debat. Nëse numëroheshin votat elektorale të republikanëve, Hayes bëhej president. Nëse numëroheshin ato demokrate, zgjidhej Tilden.

Për shkak se Kongresi nuk kishte procedura për të zgjidhur një mosmarrëveshje të tillë, krijoi një komision me 15 anëtarë, për ta pleqëruar çështjen. Kongresi, Senati dhe Gjykata e Lartë furnizuan nga pesë anëtarë në komision. Komisioni votoi në fund, 8 me 7, sipas përkatësisë partiake, për të përzgjedhur në secilin rast të debatuar, delegatët mbështetës të Hayes dhe rrjedhimisht, duke i dhënë atij presidencën.

Demokratët e pranuan rezultatin, vetëm pasi republikanët ranë dakord të tërhiqnin ushtrinë amerikane, që kishte mbetur në shtetet e jugut nga koha e Luftës civile amerikane. Kompromisi ndihmoi demokratët e jugut, të nisnin epokën e njohur si “Jim Crow”, kohë kur demokratët imponuan diskriminimin racor kundër zezakëve, që vijoi për më shumë se një shekull.

Një dekadë pas kësaj, Kongresi miratoi Ligjin për Llogaritjen e Zgjedhjeve, që caktoi rregullat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të kësaj natyre në të ardhmen. Studiuesit thonë se, nuk është e qartë sesi mund të funksionojë ky ligj sot, për shkak të ambiguiteteve gjuhësore që ai mbart. Ligji në fjalë, nuk është testuar kurrë deri më sot.

2000: rinumërimi në Florida

Zgjedhjet më të fundit të kontestuara, ishin në vitin 2000, në garën mes republikanit George W. Bush dhe Al Gore, në atë kohë zëvendëspresident demokrat. Në fund të ditës së zgjedhjeve, u bë e qartë se fituesi do të caktohej nga 25 votat elektorale të Floridës.

Ndërsa votimet u mbyllën në Florida, rrjetet televizive deklaruan Gore, fitues. Por, ndërsa votimi u zgjat gjatë natës, ata e përmbysën rezultatin dhe shpallën Bushin, fitues. Në mëngjes, rezultati ishte ky: Bush kishte mposhtur Gore, me një diferencë prej vetëm disa mijëra votash më shumë.

Gore, kërkoi rinumërimin e votave në katër konte të Floridës, duke nisur një proces që zgjati disa javë dhe që solli analizimin e çdo vote, një për një. Tri javë më vonë, Florida shpalli Bush-in fitues, me 537 vota diferencë.

Gore e kundërshtoi rezultatin në gjyq dhe gjykata më e lartë e shtetit urdhëroi rinumërimin e mijëra votave, që ishin refuzuar nga makineritë numëruese, për shkak se nuk ishin shënjuar siç duhet.

George Bush and Norm Coleman

Gjykata e Lartë ndërpreu numërimin më 12 dhjetor, gjashtë ditë para se Kolegji Zgjedhor të mblidhej, për të caktuar presidentin. Gjykata, shpalli se kushtetuta ishte shkelur, duke përdorur standarde të ndryshme në vota të ndryshme.

Ligjvënësit republikanë në Florida, u bënë gati të zgjidhnin delegatë sfidues, për të mbështetur Bush-in, kur Gjykata e Lartë ndaloi rinumërimin. Vendimi i gjykatës e detyroi Gore, të pranojë humbjen e zgjedhjeve.