MENU
klinika

Analiza nga BIRN

Pandemia ndërpret fluksin e punëtorëve nga Europa Juglindore

25.11.2020 - 13:48

Pandemia e koronavirusit po ndërpret fluksin e punëtorëve të Europës Juglindore në vendet e BE-së, duke kërcënuar ekonominë e rajonit dhe duke dëmtuar ndjeshëm standardet e jetesës.

Elvir Tosiç, një punëtor ndërtimi 40-vjeçar nga kryeqyteti malazez i Podgoricës, është një nga qindra mijëra punëtorë të huaj nga Europa Juglindore që kanë humbur vendet e tyre të punës dhe janë detyruar të kthehen në shtëpi, pasi pandemia vazhdon të sjellë më shumë kufizime në udhëtime, vështirësi ekonomike dhe papunësi në të gjithë Europën.

Pasi punoi për pesë muaj në një vend ndërtimi pranë Mynihut në Gjermani, Tosiç u pushua nga puna shpejt pasi COVID-19 preku Europën në mars. “Kur filloi pandemia, shefi im më tha që duhet të reduktonte shpenzimet. U përpoqa të gjeja një punë tjetër, por për shkak të masave të ndërmarra ishte e vështirë, kështu që u detyrova të kthehesha në shtëpi”, tha Tosiç për BIRN.

Kjo ndërprerje e madhe në flukset e zakonshme të punës është ndjerë në të gjithë Europën Juglindore – burimi i miliona punëtorëve të huaj që janë shpërngulur nga lindja në perëndim, vit pas viti. Humbja e mundësive të punësimit jashtë vendit po kërcënon standardet e jetesës tashmë të dobëta në Ukrainë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi dhe Serbi – vende që kanë qenë eksportues të rregullt të punës në Europën Perëndimore për dekada me radhë.

Megjithatë, kjo gjendje e vështirë po krijon gjithashtu probleme dhe shqetësime edhe për vendet anëtare të BE-së në Europën Qendrore dhe Juglindore – Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Greqia, Hungaria, Sllovakia, Sllovenia, Polonia dhe Rumania.

Disa nga këto vende janë importues dhe eksportues të punëtorëve. Ato mbështeten në punëtorë më të lirë nga Ukraina ose Ballkani për të plotësuar mangësitë e tyre për punonjës të kualifikuar ose shpesh për të zëvendësuar qytetarët e tyre që kanë kërkuar punë më fitimprurëse në Europën Perëndimore – kryesisht në Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar ose Holandë.

Anto Domazet, një profesor në Shkollën e Ekonomisë dhe Biznesit në Universitetin e Sarajevës, thotë se punëtorët e huaj në BE janë prekur më rëndë nga pandemia, pasi ata ishin zakonisht të parët që humbën punën ose të cilëve iu prenë pagat. Kjo, nga ana tjetër, po ndikon në standardet e jetesës në të gjithë Europën Juglindore.

Ndërsa të gjitha vendet në rajon përballen me kufizime të ngjashme në lëvizjen për arsye pune, shumica e qeverive ende nuk e dinë shkallën e problemit, për shkak të lëkundjeve të vazhdueshme në intensitetin e pandemisë së koronavirusit gjatë muajve të fundit, ndryshimeve të vazhdueshme të masave të sigurisë dhe mundësisë për të lëvizur, si edhe për shkak të vonesave të zakonshme në përpilimin e të dhënave statistikore.

Dhe është akoma më e vështirë të parashikosh se si do të vazhdojë kjo situatë në muajt në vazhdim, thonë ekspertët dhe zyrtarë. “Gjërat po ndryshojnë ditë pas dite dhe tani është e pamundur të dimë se çfarë do të ndodhë”, tha për BIRN një zyrtar nga ministria e punës e Rumanisë në kushte anonimati.

Pengimi i lëvizjes ka pasur më pak efekt në ekonomitë më të mira.

Deri më tani, pandemia e koronavirusit ka pasur ndikimin më të vogël në ato vende që ishin më të zhvilluara dhe/ose më pak të varura nga një forcë e huaj pune, të tilla si Republika Çeke ose Hungaria. Megjithatë, edhe kjo mund të ndryshojë, nëse pandemia vazhdon të përhapet në mënyrë të pakontrolluar në vitin 2021.

Të dhënat e fundit nga Zyra Çeke e Punës tregojnë se numri i punëtorëve të huaj ka rënë vetëm 7 për qind – ose rreth 42,000 – gjatë izolimit të parë të vendit që filloi në pranverë. Ata punëtorë u detyruan të ktheheshin në shtëpi, kryesisht në Ukrainë. Vendi është një treg tradicional i synuar nga ukrainasit, komuniteti i të cilëve tani numëron shumë më shumë se 100,000, sipas OJQ-së Caritas.

Statistikat e emigracionit tregojnë se në Republikën Çeke madhësia e fuqisë punëtore të huaj është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit. Të dhënat nga zyra e statistikave (CZSO) tregojnë se 715,651 të huaj ishin të punësuar në Çeki në vitin 2019, më shumë se dyfishi i numrit të tyre në vitin 2011 ose në 2007, kulmi i bumit para se të fillonte kriza financiare globale.

“Nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh për sa i përket numrit të punëtorëve emigrantë në Çeki”, tha Klara Boumova nga Caritas për BIRN. “Megjithatë, kushtet në të cilat ata punojnë janë përkeqësuar. Punëdhënësit e dinë që punëtorët e huaj janë ata që kanë më shumë gjasa të humbasin punën e tyre dhe kështu që përfitojnë nga kjo.”

Megjithatë, analistët presin që numri i punëtorëve emigrantë në Republikën Çeke, përfshirë ata nga Ballkani Perëndimor, të bjerë nëse kriza e COVID-19 vazhdon. Rreziku i ngadalësimit ekonomik dhe i papunësisë është i qartë, edhe nëse kushtet mbeten të qëndrueshme ndërkohë. Republika Çeke tani njihet gjerësisht se ka shkallën më të keqe të infektimeve në Europë dhe kjo do t’i shtyjë punëtorët emigrantë të mos udhëtojnë drejt këtij vendi, duke ndikuar edhe më tej në industrinë vitale të turizmit dhe duke vonuar rimëkëmbjen më të gjerë ekonomike.

Punët në industritë e shërbimeve janë veçanërisht të ekspozuara, me sektorin e turizmit ende të gjunjëzuar teksa në vend vazhdon vala e dytë e pandemisë. Më 14 tetor, qeveria çeke urdhëroi që baret dhe restorantet të mbyllen përsëri dhe, pas katër javësh, nuk duken afër rihapjes.

“Ne presim që fluksi i punëtorëve të huaj të bjerë, sidomos në sektorin e shërbimit, ku zakonisht punojnë shumë të huaj”, tha Boumova. “Ne gjithashtu presim që shumë njerëz të fillojnë të kthehen në shtëpi së shpejti.”

Pavarësisht retorikës së ashpër të qeverisë hungareze kundër emigracionit, numri i punëtorëve të huaj gjithashtu është rritur me shpejtësi atje gjatë tre viteve të fundit, duke arritur në 70,000. Kjo prirje në rritje u ndërpre vetëm në pranverë kur vendi u prek nga pandemia.

“Po përjetojmë një mungesë të fuqisë punëtore në sektorët e ndërtimit, e cila plotësohet nga punëtorë zakonisht nga Ukraina ose Serbia”, tha për BIRN Gyula Pallagi, kreu i sindikatës së ndërtimit në vend.

Pallagi thotë se edhe gjatë valës së parë të pandemisë, sektori i ndërtimit në Hungari nuk u mbyll plotësisht, edhe pse mbylljet e kufijve ngadalësuan hyrjen e punëtorëve të huaj. Por mungesa u kompensua kryesisht nga punëtorët hungarezë që ktheheshin nga vendet e Europës Perëndimore.

Gjatë verës, situata u normalizua. Hungarezët filluan të largoheshin përsëri drejt Austrisë ose Gjermanisë, vendet e tyre u zunë nga punëtorët nga lindja dhe jugu, edhe pse kufizimet në udhëtime dhe kontrollet kufitare po i bëjnë lëvizje të tilla më të ndërlikuara.

Përveç fushës së ndërtimit, kërkesa për punëtorë të huaj në Hungari është e ulët. Në sektorin e prodhimit, industrinë e automobilave dhe turizëm, madje edhe hungarezë janë pushuar nga puna, i tha BIRN Eva Toth, një sindikaliste për industrinë kimike. “Për momentin, nuk ka kërkesë për punëtorë të huaj.”

Në Kroaci dhe Bullgari nuk ndryshon fluksi i punëtorëve

Pavarësisht nga pandemia, Kroacia ka mbetur relativisht e hapur për punëtorët e huaj, nga të cilët është varur gjithnjë e më shumë në vitet e fundit, veçanërisht në ndërtim, bujqësi dhe turizëm.

Dega e Shoqatës së Punëdhënësve Kroatë, e cila është e specializuar në industrinë e ndërtimit, i tha BIRN se pandemia nuk ka shkaktuar ndonjë ndërprerje të madhe në flukset e punës. Megjithatë, ai gjithashtu vuri në dukje se masat epidemiologjike dhe kufizimet e udhëtimit kanë pasur një ndikim në organizimin e punës dhe “rotacionin e ekipeve”, duke dobësuar kështu performancën e punës, duke shkelur afatet dhe duke rritur kostot e punës.

Nga ana tjetër, shumë qytetarë kroatë që kishin migruar vitet e fundit në Gjermani ose vende të tjera të Europës Perëndimore kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë dhe janë detyruar të kthehen në atdheun e tyre, siç gjeti një studim i publikuar në maj nga Instituti për Studime Emigracioni dhe Etnike.

Studimi, “Pandemia dhe Emigracioni”, arriti në përfundimin se këta punëtorë që kthehen “nuk duhet të shihen si fundi i procesit të emigrimit, por si një nga fazat e tij”, sepse shumë qytetarë kroatë ka të ngjarë të shfrytëzojnë ndonjë mundësi tjetër për të lëvizur drejt perëndimit, për sa kohë ata mund të sigurojnë standarde më të mira jetese dhe/ose të rrisin të ardhurat e tyre familjare duke vepruar kështu.

Bullgaria gjithashtu pa më shumë se 200,000 qytetarë të saj, shumë prej tyre punëtorë sezonalë, të ktheheshin nga Europa Perëndimore disa javë pasi vendet filluan të vendosnin gjendjen e jashtëzakonshme dhe të vinin në zbatim masa kufizuese. Kjo tendencë vazhdoi gjatë gjithë pranverës dhe gjatë verës, me bullgarët që ktheheshin kryesisht nga Gjermania, Holanda dhe Britania e Madhe.

Ndërsa ende nuk ka të dhëna të sakta se sa bullgarë janë kthyer deri më tani, dhe nëse disa prej tyre janë larguar përsëri, ky zhvillim tashmë ka një ndikim në ekonominë lokale.

Lachezar Bogdanov i Institutit të Ekonomisë së Tregut tha për mediat lokale më 27 shtator se në periudhën që që kur filloi izolimi, transferuat e parave në Bullgari nga jashtë kanë rënë me afërsisht 2 miliardë euro, ose rreth 3.3 për qind të PBB-së vjetore të vendit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ngjashëm me Bullgarinë dhe Kroacinë, ekspertët dhe media në Poloni kanë raportuar gjithashtu një kthim sporadik të disa punëtorëve polakë nga Europa Perëndimore gjatë pranverës. Më shumë se 3 milionë polakë jetojnë në vende të tjera të BE-së.

Deri më tani, ka të dhëna të pamjaftueshme të cilat mund të tregojnë nëse apo si ka ndikuar pandemia në prirjet e emigracionit, tha për BIRN Andrzej Kubisiak, zëvendës drejtor i Institutit Ekonomik Polak dhe një ekspert mbi emigracionin e punës.

Shumica e banorëve polakë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani – destinacionet kryesore për polakët brenda BE-së – qëndrojnë atje për një periudhë afatgjatë. Ata i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë dhe kanë investuar në prona atje, gjë e cila i ka bërë ata më pak të ndjeshëm ndaj pandemisë dhe efekteve të saj ekonomike.

Në një intervistë me BIRN, Kubisiak tha se që nga fillimi i pandemisë në mars, rreth 10 për qind e punëtorëve nga Ukraina janë larguar nga Polonia dhe janë kthyer në shtëpi, megjithëse ai shtoi se deri në fund të verës ky numër ishte pak më i vogël sesa ishte para krizës.

Ai arriti në përfundimin se ka ende kërkesa të konsiderueshme në sektorët kryesorë që përdorin punëtorë emigrantë në Poloni, përkatësisht në shitjen me pakicë, ndërtim dhe prodhim.

Rumania dhe Sllovakia përballen me papunësi

Kryeministri rumun Ludovic Orban deklaroi që në maj se rreth 1.3 milion rumunë që jetonin jashtë ishin kthyer në vend pas izolimeve të plota ose të pjesshme në vende si Italia, Spanja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca.

Ky zhvillim, kombinuar me humbjen e vendeve të punës në vend, e shkaktuar nga izolimi i vetë Rumanisë midis marsit dhe majit, ka kontribuar në një shtim të papunësisë në vend. Sipas shifrave të fundit nga Instituti Kombëtar i Statistikave të Rumanisë, papunësia u rrit në 5.3 për qind në gusht, krahasuar me 3.8 për qind në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Disa nga ata që u kthyen në Rumani, ndërkohë, u kthyen përsëri në vendet e BE-së Perëndimore, ku rifilluan punën që bënin para pandemisë ose në punë të reja që gjetën që atëherë.

Duke qenë se shumë prej tyre punojnë jashtë vendit si punëtorë sezonalë në sektorë të tillë si bujqësia dhe ndërtimi, largimi i tyre shkaktoi një debat publik nëse punëtorët nga Europa Qendrore dhe Juglindore po shfrytëzohen për të shpëtuar këta sektorë në vendet më të pasura të Europës Perëndimore, ndërkohë që lënë të vuajnë ekonomitë e vendeve të tyre.

Pandemia, megjithatë, nuk ka ndikuar në trendin në rritje të punësimit të punëtorëve të huaj nga vende jo anëtare të BE-së në Rumani. Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Statistikave, më shumë se 25,000 punëtorë nga vende jo anëtare të BE-së kishin leje të vlefshme pune për Rumaninë që nga 30 qershori. Shumica e këtyre punëtorëve kanë ardhur nga Vietnami, Turqia, Nepali, Sri Lanka, India ose Kina dhe zënë punë në ndërtim, industri ose bujqësi, të cilat rumunët tentojnë t’i shmangin.

Sllovakia rezultoi të ishte një nga ekonomitë më të prekura në BE nga efektet negative të pandemisë. Në shtator, shkalla e papunësisë arriti në 7.4 për qind, nga rreth 5 për qind që ishte në fillim të vitit 2020.

Migracioni, megjithatë, ka luajtur vetëm një rol të kufizuar në këtë zhvillim deri më tani, përveç krizës në mungesën e punëtorëve në bujqësi që ndodhi në pranverë, kur kufizimet e udhëtimit dhe karantina e detyrueshme cenuan ndjeshëm numrin e punëtorëve sezonalë të huaj në dispozicion.

Shumica e punëtorëve të huaj vijnë në Sllovaki nga Serbia dhe Ukraina, ndërsa sllovakët zakonisht shkojnë në punë më të paguara në Gjermani, Austri, Republikën Çeke ose Mbretërinë e Bashkuar.

Kur shumica e kufizimeve u hoqën në Sllovaki në maj dhe qershor, punëtorët emigrantë ose sllovakët që udhëtonin për punë jashtë vendit nuk u përballen me kufizime serioze, por numri i punëtorëve të huaj në Sllovaki ka rënë paksa. Sipas Bankës Kombëtare Sllovake, në maj ishin 78,800 të huaj që punonin në Sllovaki, një rënie prej 4.5 për qind nga një vit më parë.

COVID-19 prek paratë që dërgohen në vend nga jashtë

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë eksportuesit kryesorë të punës në Europën Perëndimore për dekada me radhë dhe kjo prirje u përshpejtua në vitet e fundit për shkak të paqëndrueshmërisë politike, korrupsionit të madh dhe standardeve të ulëta të jetesës.

Gjatë kësaj, të gjitha vendet e Ballkanit janë bërë shumë të varura nga transfertat e parave që punëtorët u dërgojnë familjeve të tyre në shtëpi. Në shumicën e vendeve, këto remitanca çdo vit tejkalojnë 10 për qind të PBB-së vjetore.

Ndërsa koronavirusi u përhap në të gjithë Europën, punëtorët e pakualifikuar qenë të parët që u shkurtuan nga puna dhe u dërguan në shtëpi. Në këtë mënyrë, pandemia ka pasur një efekt të trefishtë negativ në Ballkan. Ajo uli dërgesat nga jashtë, rriti papunësinë lokale dhe ushtroi presion shtesë mbi shërbimet sociale.

Disa vende të Ballkanit, si Kosova dhe Shqipëria, ende nuk kanë të dhëna të sakta mbi ndikimin e pandemisë në vendet e tyre përmes reduktimit të remitancave dhe humbjes së mundësive për punë jashtë vendit. Vende të tjera që kanë të dhëna në dispozicion paralajmërojnë për pasoja shqetësuese nga pandemia. “Është e shqetësuese që ky ndikim po ndihet tashmë dhe se rënia e parave të dërguara nga diaspora do të vazhdojë”, paralajmëroi profesori i ekonomisë me bazë në Sarajevë Domazet.

Ai shtoi se remitancat në Bosnjë pritet të bien me pothuajse një të tretën e tyre në vitin 2020, ndërsa rimëkëmbja, nëse përvoja e kaluar nga recesioni i vitit 2009 është diçka të cilës mund t’i referohemi, do të zgjasë të paktën tre deri në katër vjet.

Srdjan, një kamerier 26-vjeçar nga qyteti boshnjak i Kotor Varoshit, ishte një nga shumë punëtorë të huaj që humbën punën në Slloveni. “Të gjithë ne u pushuam nga puna në mars. Thjesht nuk kishte më punë dhe ne nuk mund të paguanim as sigurim dhe as akomodim. Shefi na tha se punën do ta kishim aty kur të qetësohej e gjithë situata”, tha ai, duke shtuar se çdo ditë që kalon ndien gjithnjë e më pak shpresë se pandemia do të marrë fund tani afër.

Ministria e punës në Serbi tha për BIRN se nuk posedon të dhëna të qarta për flukset e emigracionit, por tha se për shkak të pandemisë dhe mbylljes së kufijve kishte vërejtur “ulje të konsiderueshme të largimeve të qytetarëve të Republikës së Serbisë për të punuar jashtë vendit”.

Ky përfundim mbështetet më tej nga të dhënat nga Banka Kombëtare e Serbisë, të cilat tregojnë se transfertat personale të parave nga jashtë nga janari në maj arritën në 1.05 miliardë euro, që ishte 328.7 milionë euro – gati një e treta – më pak se në të njëjtën periudhë në vitin 2019 .

Këto shifra tregojnë qartë se Serbia, si vendi më i madh në rajon, ka një numër të madh qytetarësh të saj që punojnë jashtë dhe që po përballen me goditjen më të madhe nga pandemia.

58-vjeçari Samuel Kukucka u largua nga Beocini, një komunë e vogël në veri të Serbisë, dhe gjeti një punë në Sllovaki në vitin 2008. Ai u vendos përfundimisht atje dhe tani punon në fabrikën e makinave PSA në qytetin perëndimor të Trnavas.

Kukucka thotë se kur goditi pandemia, punëtorët me kontrata afatshkurtra ishin të parët që u pushuan nga puna dhe iu desh të ktheheshin në Serbi. “Megjithatë, njerëzit që kishin kontrata afatgjata mbetën në Sllovaki . Punuam si të mos kishte ndodhur asgjë”, tha Kukucka për BIRN. “Në gusht, patëm shumë punëtorë nga Serbia. Meqenëse Ukraina ka kufizime në udhëtime, punëtorët serbë janë edhe më të rëndësishëm se më parë.”

Zyrtarët malazezë gjithashtu thonë se ata ende nuk kanë të dhëna mbi fluksin e emigrantëve të shkaktuar nga pandemia. Por Banka Qendrore e Malit të Zi njoftoi se remitancat nga jashtë në gjysmën e parë të vitit 2020 arritën në 256.2 milionë euro, me një rënie prej 15 milionë euro, ose rreth 7 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Goran Kapor, një gazetar ekonomie në Mal të Zi, thotë se kjo rënie pritet të rritet gjatë muajve të ardhshëm, pasi shumica e remitancave janë nga malazezët që punojnë në BE. Shumë prej tyre nuk kanë qenë në gjendje të rihyjnë në BE për shkak të kufizimeve të udhëtimit ose kanë humbur vendet e tyre të punës dhe janë detyruar të kthehen në shtëpi.

Edhe pa të dhëna zyrtare, të dhënat sugjerojnë se pandemia ka pasur një ndikim të madh në lëvizjen e punëtorëve në të gjithë Europën Juglindore, e cila nga ana tjetër do të ketë ndikime serioze në situatën socio-ekonomike në rajon.

Nga ana tjetër, COVID-19, të paktën përkohësisht, ka ngadalësuar largimin e trurit në rajon, i cili është identifikuar si një nga problemet më të rrezikshme me pasoja të shumëfishta afatgjata për vendet e përfshira.

“Emigracioni ka një rëndësi të madhe për rajonin tonë – 43 për qind e njerëzve të Ballkanit e marrin në konsideratë emigrimin”, tha ministri i jashtëm shqiptar Gent Cakaj gjatë një konference të nivelit të lartë online në tetor me titull, “Të Rinjtë, Migrimi dhe Sfidat Demografike në Ballkanin Perëndimor”, i cili u organizua nga Zyra Federale e Jashtme Gjermane, Shoqata e Europës Juglindore dhe Instituti Aspen Gjermani.

“Të rinjtë largohen kur nuk kanë mundësi dhe ato vende humbin të ardhmen e tyre. Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE dhe sapo të krijojmë një mjedis tërheqës, të rinjtë do të qëndrojnë”, tha për konferencën Dubravka Suica, nënkryetare e Komisionit Europian për Demokraci dhe Demografinë.(birn)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Nuk do të na mbarojnë makaronat!"

A do të vuajë Europa një krize urie?

Nga ekonomisti Iljas Mehmeti

Recesioni dhe Konsumi!


Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!