MENU
klinika

Shuhet Lumturi Blloshmi

Humb betejën me covid-19, piktorja e njohur shqiptare

27.11.2020 - 15:56

         Ndahet nga jeta për shkak se ishte infektuar me covid-19, piktorja e njohur shqiptare, Lumturi Blloshmi. Mësohet se po luftonte me virusin e rrezikshëm prej tri javësh, pa mundur t’i bëjë ballë.

E krahasuar me Frida Kahlon, Lume Blloshmi la pas, plot 25 vite krijimtari artistike. Ajo njihet si piktorja që lëvroi ndër të parat, performancën dhe instalacionin në vendin tonë.

Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973-1974, një periudhë delikate në artin shqiptar.

Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës, duke u fokusuar te peizazhi dhe natyrat e qeta.

Në fillim të viteve ’90, Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt, pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve.

Lumturi Blloshmi lindi në Tiranë, në vitin 1944.

U diplomua për pikturë, në vitin 1968.

Në vitin 1988, Blloshmi çeli ekspozitën e parë personale në Berat dhe po atë vit, mori pjesë në Bienalen e Ankarasë (Egjypt).

Gjatë viteve ’89-’91, çeli dy ekspozita vetjake pranë Galerisë Kombëtare të Arteve. Midis viteve 1992- 2010, Blloshmi ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në grup, si në Selanik, Madrid, Lion, Budapest, Stamboll, Paris, Zyrih, Gjenevë, Modena, Hag, New York etj.

Po ashtu, piktorja ishte fituese e konkursit ndërkombëtar “Onufri ’94”.

Vitet e fundit, Lumturi Blloshmi u prezantua edhe me ekspozita në disa galeri private, në Tiranë, Durrës, apo Korçë.