MENU
klinika

Nga Mark Marku

Lidhja socialiste e fshatit tonë dhe Veton Surroi. Pse vendimi i Qarkut të Kukësit…

28.11.2020 - 12:59

Veton Surroin e lexoj me ëndje sa herë e diktoj një shkrim të tijin në media, për stilin elegant, analizën e shtruar, dijen e fshehur, por edhe ironinë e lehtë. Por më ka mbetur në mendje një shkrim brilant i tij botuar kohë më parë, me titullin “Lidhja Socialiste e fshatit të Hashim Thaçit”.

Veçanërisht mbresëlënës në këtë shkrim ishte një detaj i sjellë nga Vetoni, ose më saktë një histori e shndërruar në anekdotë, nga Jugosllavia bitiste, e cila qartazi ilustronte tezën qendrore të shkrimit. Po e citoj sepse ia vlen ta lexojnë edhe ata që nuk e kanë lexuar atë shkrim: “Bëhet fjalë për reagimin e një fshati të izoluar të Malit të Zi, në Jugosllavinë socialiste, – shkruan Vetoni, në momentin kur ushtria sovjetike hyn në Çekosllovaki, e vendos administratën e saj dhe thyen atë që deri në atë moment quhej ‘pranvera e Pragës’, një përpjekje demokratike kundër totalitarizmit.

Mblidhet Lidhja Socialiste e Fshatit dhe nxjerr konkluzionin numër një të mbledhjes së saj, me të cilin kërkon që forcat e Bashkimit Sovjetik në mënyrë të menjëhershme dhe të panegociueshme të largohen nga Çekosllovakia. Në rast se Bashkimi Sovjetik nuk e dëgjon këtë kërkesë të Lidhjes Socialiste të këtij fshati të Malit të Zi të Federatës Jugosllave, atëherë hyn në forcë konkluzioni numër dy: që ditën e nesërme të thirret një mbledhje e ardhshme”. Jo vetëm Vetonit, por as njeriut më të shkalluar nga mendtë e kresë nuk do t’i kishte shkuar në mendje se historia do të përsëritej në mënyrë edhe më groteske në realitetin shqiptar, në mbledhjen e organizatës socialiste të Kukësit apo në të ashtuquajturin Këshill i Qarkut.

Jo më larg se dje, janë mbledhur në këtë këshill do burra fort të mençëm, fort patriotë, fort socialistë, fort të ndjeshëm ndaj luftës patriotike të popullit të Kosovës dhe UÇK-së dhe kanë zbuluar se Veton Surroi me shkrimet e tij po kryen veprimtari armiqësore ndaj UÇK-së dhe ndaj popullit të Kosovës. Kanë zbuluar se ky, për më tepër, qenka shpallur “Qytetar Nderi” i qarkut të tyre kohë më parë. Dhe kanë vendosur t’i heqin titullin e qytetarit të nderit, pra, ta çnderojnë publikisht meqenëse ky po çnderon UÇK-në dhe luftën e saj me shkrimet e tij. Nuk dihen hollësira të tjera nga mbledhja, por ndoshta ata kanë vendosur që, për ta ndëshkuar më tej Vetonin, të ngrohen gjithë dimrin me gazetat që botojnë shkrimet e Vetonit, ndoshta edhe që përjetësisht ta ndëshkojnë makinën e Vetonit me mosngritjen e traut kur ai të kalojë në autostradën e kombit.

Me siguri, ata, me këtë vendim, ashtu sikurse organizata komuniste e Malit të Zi, kanë dashur t’i japin një ultimatum Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe gjithë fuqive të mëdha. Nuk di njeriu si e sa të habitet në raste të tilla. Nuk është thjesht marrëzia e një njeriu. Nuk është thjesht marrëzia e një organizate komuniste të një fshati të humbur në zgëqet e Malit të Zi. Janë shumë burra e shumë gra, përfaqësues të një qarku të tërë, të një force politike që qeveris vendin që e ndërmerr një gjë të tillë kundër një intelektuali shqiptar të njohur, i cili trajtohet si kriminel vetëm se shprehet lirisht ashtu si mendon në media. Kryeministri Edi Rama e quajti këtë akt si një histeri kolektive. Natyrisht që e tillë është dhe është e qartë se Rama nuk ka arritur në atë derexhe sa ta miratojë një budallallëk të tillë.

Por, në thelb kjo histeri, është vetëm efekt domino i histerisë kolektive që vetë Rama me tamburet e vet të propagandës po e nxit prej disa javësh në gjithë fshatin socialist shqiptar. Prej javësh, ata kanë shpikur një histori absurde me Lulzim Bashën, ku ai akuzohet për fshehjen e masakrave të serbëve, për akuzat e Dick Marty-t, për thirrjen në Gjykatën Ndërkombëtare të krerëve të UÇK-së, dhe s’është çudi që nesër ta akuzojnë edhe për masakrën e Srebenicës.

Histeri kolektive është edhe ngritja e komisionit hetimor për raportin Dick Marty-t. Lidhja Socialiste e fshatit të humbur të Malit të Zi e bëri një gjë të tillë, sepse histeria kolektive e nxitur nga propaganda titiste e kërkonte një gjë të tillë. Njësoj edhe vendimi i Qarkut socialist të Kukësit buron nga histeria kolektive e prodhuar nga Edi Rama. Pyetja, pra, shtrohet: kush e çmendi fshatin tonë socialist, Shqipërinë, nëse duam të kuptojmë se kush dhe çfarë e çmendi qarkun socialist të Kukësit.

“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj

“Autori kishte thënë ‘Prisni ju çfarë do të ndodhë sot’”

Vrasja e Martin Canit, zbardhet audio nga mbledhja në “Fan Noli”!