MENU
klinika

Nga Roland Qafoku

Nëntori i mirë dhe i keq i shqiptarëve

02.12.2020 - 10:08

Nga Roland Qafoku

Nuk besohet se ka një komb tjetër në botë sa ne shqiptarët që në kalendarin e vitit të ketë aq pjellor për nga rëndësia një muaj të vetëm. Ndërsa tetori ishte muaji në të cilin kanë lindur shumica e shtetarëve dhe korifejve të mendimit politik dhe jo vetëm, padiskutim, muaji nëntor është ai i datave më të rëndësishme në histori për ato që kanë ndodhur. Madje, për mirë dhe për keq. Janë 30 ditë që nëse i kalon në revistë, ka pak prej tyre që të mos kujtojnë një ngjarje që ka shënjuar aq shumë në tharmin, formimin dhe të ardhmen e shtetit dhe kombit tonë. Kryedata, ajo më e rëndësishmja është 28-ta kur në vitin 1912 u themelua shteti shqiptar. Një përkundje e shtetit dhe e pavarësisë që erdhi pas 450 vjet nën sundimin osman. Është data e parë dhe më e rëndësishmja e qënësisë së shtetit dhe kombit tonë aq sa mund të themi se pa këtë datë, pa atë moment, pa atë impenjimin e atyre 40 burrave që hodhën firmën e rëndë në proklamatën e Pavarësisë dhe pikërisht atë 28 nëntor, zor se Shqipëria mund të ekzistonte.

Po më 28 nëntor, por të vitit 1443, Skënderbeu ngriti flamurin e kuq me shqiponjën me dy krena në Krujë duke nisur epopenë më të lavdishme të shqiptarëve ndër shekuj që nga ekzistenca e tyre. Është një datë që krenaria dhe lavida jonë si komb ka marrë përmasa botërore. Janë 12 kryeqytete të botës që aktualisht kanë sheshe të rëndësishme me emrin dhe bustin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu. Dhe këtë lavdi ai e nisi pikërisht më 28 nëntor 1443. Prandaj edhe 28 nëntori i vitit 1912 është quajtur ndryshe edhe nëntori i dytë i kombit shqiptar.

Mund të ishte edhe i tretë ky nëntor nëse çlirimi i Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore nuk do të spostohej një ditë më vonë. Kështu, 29 nëntori i vitit 1944 është një tjetër datë shumë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Është fundi i Luftës së Dytë Botërore në tokën tonë por më shumë se kaq është edhe fundi i një rezistence të lavdishme shqiptare ndaj Italisë fashiste dhe Gjermanisë Naziste dy fuqitë më të forta të Boshtit të së Keqes që kishin pushtuar vendin tonë. Sot, data 28 apo 29 nuk ka rëndësi. Ndoshta mund të ishte më mirë të merrnim si datë çlirimi 17 nëntorin, kur u çlirua kryeqyteti, Tiranë. E rëndësishme është që ne u çliruam. Për më tepër këtë çlirim shqiptarët e arritën pa asnjë ndihmë nga ndonjë ushtri e huaj siç ndodhi me shumë vende të tjera.

Por nuk mbaron këtu lumturia e datave kaq të mira të nëntorit për Shqipërinë. Më 8 nëntor 1462 pa dritën e botimit “Formula e pagëzimit” e Pal Engjëllit, i pari dokument i shkruar, i njohur dhe i shkruar në gjuhën shqipe. Një pasuri e gdhendur me gërma latine nga kryepeshkopi i Durrësit, bashkëpunëtor i Skënderbeut dhe që është dëshmia e parë autentike e gjuhës sonë të shkruar. Një xhevahir i rrallë që do të pasohej me librin e parë të shkruar në gjuhën shqipe “Meshari” i Gjon Buzukut dhe që tregon pjesën dokumentare të lashtësisë së kombit tonë.

Ndërkohë, pas kësaj, vjen një tjetër datë e rëndësishme në historinë e kombit tonë. Më 14 nëntor të vitit 1905 u mbajt Kongresi i Manastirit në të cilin u njehësua dhe u vendos alfabeti i gjuhës shqipe, ai që përdoret dhe sot pas një shekulli e 15 vite. Për 8 ditë rresht, mendjet më të ndriçuara të kombit shqiptar që nga Gjergj Fishta, Mithat Frashëri, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi e deri te e vetmja femër, Parashqevi Qiriazi, arritën të themelojnë alfabetin e gjuhës shqipe. Dhe kur pa? Atëherë kur nuk kishte shtet shqiptar. Dhe vendimi për ta bërë me shkronja latine është vlera më e madhe e këtij Kongresi që përherë duhet ta shkruajmë me shkronja të arta në histori. Një datë që pasohet me një datë po të rëndësishme. Më 20 nëntor të vitit 1972 u mbajt në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. 87 delegacione nga të gjitha trevat shqiptare morën pjesë në forumin më të lartë shkencor të gjuhës shqipe. Një Kongres që padiskutim është një nga gurët kilometrikë nga më të rëndësishëm të gjuhës sonë. Sigurisht që në standartizimin e shqipes ka edhe diskutime të tipit që “ky kongres i ka rënë në qafë dialektit geg”. Po. Kjo është e vërtetë. Por ama kjo nuk mund të bëjë atë të mohohet dhe hidhet poshtë 20 nëntori i vitit 1972 dita e mbajtjes së këtij Kongresi. Ai mund të pasohet nga kongrese të tjerë që mund të korrigjojnë gabimet e tij, por kurrsesi nuk mund ta fshijmë.

Por nëntori i mirë rezulton të jetë edhe nëntor i keq. Janë disa data që i shënojmë me të zezë në historinë e kombit tonë. Kështu, më 5 nëntor të vitit 1943 u vra në një atentat në Durrës, Idhomen Kosturi kryeministri i 9-të në historinë e shtetit shqiptar. Një familje me prejardhje patriotike, një nga biznemenët më të njohur në vend dhe që ditën që u vra kishte 24 orë që ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit. Pavarësisht akuzave dhe bashkëpunimit me pushtuesit italianë, nuk ka asnjë provë që veprimtaria e tij të ketë sjellë pasoja për jetën dhe dëmtim të dikujt. U vra në mënyrë të pabesë nga një i varfër që sapo e kishte punësuar, por që e kishin nxitur komunistët.

Megjithatë dita më e keqe në historinë e muajit nëntori është data 8 nëntor 1941. Këtë ditë në Tiranë u themelua Partia Komuniste e Shqipërisë, ajo parti që instaloi sistemin komunist dikatatorial dhe që i solli Shqipërisë pasojat më të rënda të shkaktuara në 108 vjet shtet. Një parti që i shtohet negativiteti kur vërtetohet se është inspiruar dhe mbështetur për krijimin dhe misionit të saj nga ana e misionarëve jugosllavë të dërguar gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri nga lideri komunist i saj Josif Broz Tito.

Ka një datë tjetër nëntori i keq shqiptar. Më 9 nëntor 1917 u vra Themistokli Gërmenji. Në fakt ai u pushkatua pas një vendimi absurd të një gjyakte ushtarake francezë në Selanik. Një vit më parë Gërmenji, sëbashku me çetën e tij kishte çliruar Korçën nga pushtuesit grekë dhe kishte themeluar Republikën e Korçës. Por kjo ra ndesh me qarqert greke që inspiruan fatkeqësisht edhe francezët të kryenin një krim zyrtar. 100 vjet më pas shteti francez kërkoi falje publike dhe e cilësoi pushkatimin e Themistokli Gërmenjit një gabim. Por jeta nuk mund të kompesohet me fjalë. Është një nga krimet më të rënda ndaj simbolit të patriotizmit shqiptar të kohës.

Një ditë e keqe për ne shqiptarët është edhe 15 nëntori. Në këtë datë të vitit 1944, në Londër vdiq Edit Durham, e huaja që e ka dashur më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët se askush tjetër. Një studiuese, etnografe, gazetare dhe erudite që vlerësoi në shkallën sipërore kombin shqiptar por që edhe mori aq shumë dashuri prej tij saqë mori epitetin Krajlica e Malësisë. Që të kuptohet më mirë Edit Durham dhe dashuria e saj për shqiptarët, mjafton që të kujtojmë se më 7 prill të vitit 1939, ditën kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, ajo, në moshën 81-vjeçare, doli në një rrugë të Londrës pranë parlamentit dhe mbante në duar një pankartë në të cilën shkruhej: Larg duart nga Shqipëria!

Dhe vimë në ditët tona me një datë që e dërrmoi jo pak Shqipërinë. Më 26 nëntor të vitit të kalaar, një tërmet me magnitudë 6.4 ballë të shkallës Richter solli vdekjen e 51 personave dhe qindra e mijëra të tjerë mbetën pastrehë. Një datë që është shënuar me të zezë në historinë e muajit nëntor. Por, ky është nëntori ynë, i mirë dhe i keq. Ta pranojmë!