MENU
klinika

Në vitin 2022

“Air Albania” pret finalen e parë të “Conference League”

02.12.2020 - 21:20

Liga e Konferencës, turneu i tretë për nga rëndësia i UEFA-s që do të fillojë në verën e vitit 2021, do të ketë si pritës të finales së parë stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Edhe pse në teori duhet të pritet vendimi i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për të zyrtarizuar këtë vendim, sipas “Top Channel”, është vendosur përfundimisht që finalja e parë të luhet në stadiumin në Tiranë.

“Air Albania” rivalizonte me stadiumin e Heraklion dhe atë të St. Etien, por në fund është vendosur që të luhet në kryeqytet. Një arritje për vendin tonë, i cili kështu pret për herë të parë një turne të këtyre përmasave.

Ndonëse bëhet fjalë për një aktivitet i cili ka lënë të pakënaqur thuajse të gjithë Europën, pasi cilësohet si “Liga e Varfanjakëve” apo “Liga e të panjohurve” nga shumë prej klubeve.

UEFA e ka ndërtuar këtë turne, për t’u krijuar vend në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës vetëm skuadrave nga kampionatet kryesore europiane, në mënyrë që të kanalizojë atje pjesën kryesore të të ardhurave që sigurohen nga e drejta televizive.

Ndërkohë, kjo ligë e tretë, do të ketë përfitime shumë më të vogla financiare për klubet pjesëmarrëse e fatkeqësisht, që nga vera e vitit 2021, aty do të garojnë pjesa më e madhe e klubeve shqiptare.

Vetëm kampionia do të luajë në Ligën e Kampioneve që në turin e parë, ndërsa klubet e tjera do të luajnë në Ligën e Konferencës, me të ardhura shumë më të ulëta se sa kanë përfituar në Ligën e Europës. Një goditje e rëndë për financat e klubeve shqiptare, të cilat mbijetojnë me të ardhurat që sigurojnë nga UEFA.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


UEFA informon për formatet e kupave

Conference League, shanse për shqiptarët