Laboratori i testimit të aksidenteve të makinës më të njohur suedeze ”Volvo” shkatërron mesatarisht të paktën një makinë krejtësisht të re në ditë për të studiuar të gjitha përmirësimet e mundshme që do t’u bëhen makinave në prodhim e sipër.
Sot, laboratori vazhdon të ndihmojë inxhinierët e ”Volvo Cars” të shkojnë më tej për sa i përket sigurisë dhe të mësojnë nga aksidentet rrugore në jetën reale, pasi prodhuesi i makinave synon për një të ardhme ku numri i fataliteteve ose lëndimeve të rënda si rezultat i aksidenti në një ”Volvo” të re të ulet drastikisht.
“Angazhimi për të përmirësuar sigurinë nuk do të thotë të kalosh një provë ose të marrësh një certifikatë që vërteton një produkt si të sigurt. Angazhimi ynë për sigurinë është të zbulojmë se si dhe pse ndodhin aksidentet dhe dëmtimet, dhe më pas të zhvillojmë teknologjinë për të ndihmuar në parandalimin e tyre”, shpjegoi Thomas Broberg, një nga ekspertët kryesorë të sigurisë së ”Volvo Cars” me përvojë 20-vjeçare brenda ndërmarrjes.
”Shpresojmë që puna jonë pioniere të frymëzojë prodhuesit e tjerë të ndjekin qëllimin tonë ambicioz për uljen e aksidenteve në rrugë në të gjithë botën”, shtoi ai.
Laboratori i Testimit të Aksidenteve në Qendrën e Sigurisë së Makinave ”Volvo” është një strukturë shumëfunksionale që lejon specialistët e sigurisë së ”Volvo Cars” të rikrijojnë situata të panumërta trafiku dhe aksidentesh dhe të kryejnë teste që tejkalojnë kërkesat rregullatore.
Laboratori përbëhet nga dy pista provash përkatësisht 108 dhe 154 metra. Ky laborator lejon të kryen prova të përplasjes në kënde dhe shpejtësi të ndryshme ose të simulohen përplasje midis dy makinave në lëvizje.