Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha na efektivi i policisë ka ngritur në këmbë Shqipërinë.
Mbrëmjen e kaluar u mbajtën protesta në disa qytete të vendit, ndërsa situata në Tiranë përshkallëzoi në dhunë e dëme të shumta materiale.
Qytetarët kanë pasur përplasje të shumta me policinë, teksa në thirrjet e tyre i kërkohej ministrit Lleshaj të largohej nga posti.
Personazhe të shumtë të showbiz-it kanë reaguar për këtë ngjarje të hidhur në rrjete sociale.
Pas protestës, edhe moderatorja Fjoralba Ponari reagoi në llogarinë e saj në Instagram, duke “ndëshkuar” dhunën e përdorur.
“Në ditën e Rinisë, Klodiani, një djalë 25-vjeçar humbi jetën nga dora e një efektivi policie. Para së gjithash, kjo është fatkeqësia e dy njerëzve, atij që humbi jetën në këtë tragjedi dhe e atij që tërhoqi këmbëzën… e më pas e një populli mbarë që sot kërkon drejtësi, edhe pse më të pasigurtë se kurrë. Dhe unë si shumë prej jush kërkoj drejtësi, si qytetare e këtij vendi, duke filluar nga ministri Lleshaj, shefi i komisariatit, efektivi e deri te çdo njeri përgjegjës sot për jetët e rrënuara e të humbura që mbajnë në ndërgjegje të qytetarëve shqiptarë. Klodiani mund të ishte vëllai im, polici mund të ishte vëllai im, policët që gjuheshin sot me gurë po ashtu mund të ishin vëllai im, por jo një protestues që vandalizon! Dhuna nuk është kurrë zgjidhje, dhuna gjeneron vetëm dhunë!”- ka përfunduar Fjoralba.
25-vjeçari Klodian Rasha u vra nga një efektiv policie në zonën e Laprakës, në rrugën “Dritan Hoxha” rreth orës 1:45 të mëngjesit, ndërsa efektivi Nevaldo Hadëraj është prangosur 12 orë më pas. Polici ishte duke patrulluar në Laprakë, kur ka pikasur të riun i cili ishte duke lëvizur përtej afatit të lejuar nga autoritetet dhe i ka kërkuar të ndalojë. I riu nuk ka pranuar dhe polici e ka ndjekur të riun, e ka qëlluar duke e plagosur me dy plumba, një në kokë dhe një në shpatull.
Klodian Rasha ka ndërruar jetë në spital ndërsa familja mohoi ekzistencën e një arme në dorën e tij. Sipas të dhënave paraprake të ekspertizës, njëri prej plumbave e ka prekur 25-vjeçarin në pjesë e mbrapme të shpatullës dhe kjo i ka dëmtuar organet jetike.