Disa eurodeputetë kanë dhënë mesazhe të forta për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, teksa kanë folur nga Parlamenti Evropian, ku është prezantuar sot draft-rezoluta për vendin tonë.
Ata kanë kërkuar që të ndihmohet Shqipëria në rrugën evropiane, pasi sipas tyre, është e padrejtë vënia e kushteve herë pas here.
Mes të tjerash, ata janë shprehur se Shqipërisë i duhet dhënë një stimul, pasi njerëzit po humbasin gjithnjë e më shumë shpresën, referuar edhe situatës së rënduar nga pandemia e koronavirusit, e cila sipas tyre, mund të ketë pasoja katastrofale në muajt në vijim.
Pjesë nga diskutimet në PE:
Simecka Michal: Rruga e Shqipërisë në BE është ndikuar negativisht nga polarizimi politik. Shumë e rëndësishme është edhe Reforma Zgjedhore, përfshirja e të gjithë liderëve politikë është mjaft i rëndësishëm. Bashkëpunimi i tyre është shumë i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE.
Thomas Waitz: Nuk është aspak e drejtë që të vendosen herë pas here kushte. Ndihmojeni këtë vend, që të ecë përpara për hapjen e negociatave.
Hermann Tertsch: Është shumë e rrezikshme, nëse mendojmë se nuk do të kemi të ardhme, ndaj duhet të fillojmë t’i japim popullit shqiptar synimet që mund t’i arrijë, në mënyrë që të bëjnë përmirësime. Mund ta bëjmë këtë si stimul për të përmirësuar situatën në Shqipëri, pasi mungesa e shpresës është rritur shumë atje, edhe nga pandemia e koronavirusit, dhe që mund të ketë pasoja katastrofike në vitet në vijim.
Matuella Michela: Gjykata Kushtetuese është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ecë përpara dhe që të vendoset për Konferencën e parë ndërqeveritare. Duhet bashkëpunim mes forcave politike. E vlerësojmë Shqipërinë për përpjekjet e saj dhe gjithëpërfshirjen në bashkëpunimin rajonal. KE është i gatshëm që të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë drejt rrugës së saj në BE.