MENU
klinika

“Jam vajza e Qazimit nga Kruja!”

Anna Oxa merr pasaportën shqiptare

21.12.2020 - 11:01

Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Anna Oxa është bërë pjesë e rubrikës “Tani mund të këndosh” tek E Diela Shqiptare në TV Klan ditën e sotme.

Siç e dimë, ajo ka jetuar gjithë jetën e saj në Itali dhe ka zhvilluar karrierën si këngëtare, por origjinën nuk e ka harruar kurrë. Oxa ka aplikuar për pasaportë shqiptare dhe kryeministri Edi Rama ka shkuar vetë personalisht në Krujë për t’ia dorëzuar.

Kështu më në fund, Anna Hoxha, apo siç njihet Anna Oxa, ka marrë zyrtarisht pasaportën shqiptare dhe është tashmë qytetarja më e rë e Krujës, aty ku edhe ka rrënjët e familjes.

Gjatë intervistës që zhvilloi me Ardit Gjebrean ajo tregoi se është një shqiptare, e rritur në Itali që jeton në Zvicër.

“Bukë e kripë e zemër. Kjo është ajo që më bën të ndihem shqiptare. Unë jam rritur atje, por nuk më ikin rrënjët e mia dhe nuk e ndjej veten që ta ndaj më dysh duke treguar se përqind shqiptare e italiane jam. Tashmë jetoj në Zvicër. Nuk ka qenë shumë e lehtë sepse jam shqiptare në fund të fundit dhe ecuria e jetës ka pasur problematikat e saj. Jam vajza më e vogël e familjes dhe babai gjithmonë më thoshte ‘je bastuni i pleqërisë time’. Me këtë shprehje gjej një lloj dashurie. Dashuria për Shqipërinë më vjen nga brenda, nuk ka nevojë që ta shtyj veten që ta bëj. E kam prezantuar veten si vajza e Qazimit nga Kruja. Jam e para që jam futur në xhaminë e Krujës, aty ku ka rrënjë familja ime. Fjala më e bukur në shqip për mua është faleminderit.”

Përballë saj, kryeministri Rama tha se i ka dalë në ëndërr Skënderbeu dhe i ka thënë se Anna kishte shkuar në Kështjellën e tij. Pikërisht kjo gjë e kishte ngritur kryeministrin Rama dhe e kishte sjellë drejt Krujës që t’i dorëzonte me dorën e tij pasaportën shqiptare.

“Fama juaj ka ardhur këtu para jush dhe nuk ka ardhur një famë si ndjekëse e heshtur e Nënë Terezës, por ka ardhur fama e një ndjekëse të Skënderbeut, e një luftëtareje që nëse nuk i hap rrugën të shpartallon,”- tha Rama para saj.

Pjesë nga biseda:

Edi Rama: Si jeni?

Anna Oxa: Mirë.

Edi Rama: Mirë se erdhe.

Ana Oxa: Faleminderit.

Edi Rama: Më tha Arditi që donit të vinit tek Skënderbeu, ky është një muze shumë i bukur.

Ana Oxa: Dhe i mirëmbajtur.

Edi Rama: Keni qenë më parë këtu, apo është hera e parë?

Ana Oxa: Jo kam qenë edhe më parë.

Edi Rama: Ju jeni nga…

Ana Oxa: Nga Kruja.

Edi Rama: Morëm vesh që je këtu dhe Skënderbeu më dërgoi një mesazh.

Ana Oxa: Ashtu?

Edi Rama: Teksa flija sonte, m’u shfaq në ëndërr dhe më tha është Ana Hoxha dhe jo Oxa, në kështjellën time. Duhet të shkosh dhe të konfirmosh që ajo bën pjesë në ushtrinë time të madhe të shqiptarëve që nuk heqin dorë kurrë. Ju solla pasaportën shqiptare, me një foto të bërë nga fotografi i Skënderbeut.

Ana Oxa: Faleminderit, është e vërtetë. Për më tepër është një fotografi shumë e bukur.

Edi Rama: Nga ky çast ju jeni zyrtarisht shqiptare. E dërguara e Skënderbeut në tokë përtej detit. Ju duhet të dini që fama juaj ka ardhur këtu para jush dhe nuk ka ardhur një famë si ndjekëse e heshtur e Nënë Terezës, por ka ardhur fama e një ndjekëse të Skënderbeut, e një luftëtareje që nëse nuk i hap rrugën të shpartallon.

Anna Oxa: Le të themi që ka luftëtarë që s’kanë nevojë për shpatën, por për drejtësinë.