Nga arabishtja – el, ut; nga frëngjishtja e vjetër – leut; Nga italishtja – liuto; Kroatisht – leut; Greqisht – lavuto; Rumanisht – lauta, alauta; Në bullgarisht – lauta, llauta; Gjermanisht – laute; Shqip –lahuta.
Lahuta shqiptare që në lashtësi, kur u këndonte bëmave të trimave, apo Mujit e Halilit, është e njohur për tiparin e vet dallues. Koka e dhisë, gdhendej tek ajo, si një element përfaqësues i historisë së popullit shqiptar e trevave shqiptare.
Sikurse, në të tjera rasta janë hasur elemente, si: gjarpri, shqiponja, ora, vatra, apo në kohët më të vona me gdhendjen e figurave kombëtare. E trashëguar nga shekujt, kjo vegël muzikore popullore përcakton tiparet themelore të këngëve epike të kreshnikëve të veriut. Brezat i janë mirënjohës njëri-tjetrit, për këngën me lahutë dhe ajo këndohet ende sot.
Sakaq, në ndjekje dhe ruajtje të kësaj tradite shekullore, për herë të parë çelet në Shqipëri dhe Kosovë, shkolla për të mësuar instrumentin e lahutës, organizuar nga shoqëria “Shkabat”, raporton Anadolu Agency.
Nxënësit që do të vijojnë mësimet në këtë shkollë, janë të moshave të ndryshme, nga 7 deri në 70 vjeç. 15 nxënës do të ndjekin mësimet mbi këtë instrumenti të vjetër kombëtar për një periudhë prej rreth 6 muajsh.
Shkolla do të bazohet në tri linja të mësimit të instrumentit muzikor: në teorinë mbi lahutën, legjendën e saj dhe tekstet e këngëve që luhen me lahutë; mësimi praktik i të luajturit me lahutë dhe pjesa ku nxënësit do të mësojnë të gdhendin (formojnë) një lahutë.
Studiuesi i folkloristikës, profesori Zymer Neziri, thotë se lahuta ka qenë instrument që është nderuar lartë tradicionalisht ndër shqiptarët. Ai thotë se përpos dasmave dhe vdekjeve, lahutarët dhe lahuta kanë pasur nderim të veçantë edhe në rastet e hyrjes në luftë, ku ka shërbyer si motivim për ushtarët.
“Lahuta është një traditë që duhet të mbijetojë në kohën e sotme të jetës elektronike. Duhet të mbijetojë për shumë arsye, sepse pjesa e identitetit të etnokulturës shqiptare mbështetet edhe mbi këtë instrument. Domethënë, instrumenti paraqet një identitet kulturor të shqiptarëve, të traditës sonë ndër shekuj, nga periudha ilire e këndej. Dhe tjetra, është një traditë që nuk duhet të zhduket, por duhet t’i jepet mundësia që të mbijetojë”, – theksoi Neziri.
Nxënësi më i moshuar i shkollës, 70-vjeçari me prejardhje nga rrethina e Malishevës, Imer Mleçani, thotë se dëshira është që ta mësojë lahutën në nivelin që dikur i binte babai i tij dhe këtë pret ta mësojë nga mësuesit si Isa Muriqi, një i moshuar i anës së Rugovës dhe ekzekutues tradicional me lahutë.
“Unë gjithmonë kam pasur dëshirë ta mësoj lahutën, por ne e lamë pas dore, duke u marrë me vegla të tjera muzikore. Kur e marr tash lahutën, më kujtohet së pari babai im dhe kam pasur dëshirë që të vij këtu dhe të mësoj t’i bie lahutës, ashtu siç i ka rënë babai im”, – theksoi Mleçani.
Ndërkohë, nxënësi më i ri në moshë që është bërë pjesë e kësaj shkolle, Arian Latifi (7 vjeç), thotë se dëshira për të mësuar lahutën dhe jo ndonjë instrument tjetër, i ka lindur për shkak se është një ndër instrumentet më të vjetra shqiptare.
“Unë e kam emrin Arian Latifi, kam dëshirë të bëhem i famshëm dhe më pëlqen lahuta. Lahutën e kam zgjedhur sepse është një nga veglat më të vjetra dhe të preferuara të shqiptarëve”, – thotë ai.
15 nxënësit e parë në këtë shkollë, do të ndahen në tri grupe, për shkak të respektimit të masave antikovid.