“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Kam një problem me veshin e djathtë, po bëj 2 vite e gjysmë. Duke e pastruar si për herë me ato kunjat që janë me pambuk, pa dashje e shtyva dhe më dhembë shumë e doli pak gjak. E mjekova vetë në kushte shtëpie me pak pambuk e betadinë, ku nuk pata me gjakderdhje. E mbajta pambukun për 2 ditë dhe vazhdova normal.
Problemi është se prej asaj kohe dhe sot kam zhurmë në vesh sikur valvula e tenxheres së presionit dhe më ka rënë ndjeshëm dëgjimi në veshin e djathtë. Kam pasur dhimbje disa herë, por e kam qetësuar me hudhër. Nuk jam vizituar asnjëherë pasi jam emigrant, larg qendrave shëndetësore. Desha të më ndihmoni nëse është e mundur me ndonjë mjekim popullor në kushte shtëpie ose ndonjë emër ilaçi që mund ta kërkoj në farmaci. Faleminderit!
Mjeku: Traumat e veshit të shkaktuara nga futja e trupave të huaj në vesh, qofshin këto edhe batonetat e pambukut që gabimisht përdorën për pastrim, mund të jenë trauma të kanalit të jashtëm ose trauma të membranës timpanike apo të daulles së veshit. Ato shoqërohen me dhimbje, gjakderdhje nga veshi, ulje dëgjimi, zhurmë në vesh etj. Vizita te mjeku ORL duhet të jetë e menjëhershme për të përcaktua rëndësinë e problemit dhe mjekimin. Ky është gabimi juaj sado larg qendrës shëndetësore të keni qenë.
Meqë zhurma vazhdon për një kohë të gjatë, atëherë mund të jetë një problem i daulles së veshit, pra një çarje e daulles së veshit, dhe në këtë rast nuk është një problem që zgjidhet me këshilla nga mjeku në gazeta, por lini një takim me një mjek ORL kudo që të jeni.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.