MENU
klinika

Nga Berat Buzhala

Tangoja e LDK-së me vdekjen

27.12.2020 - 17:07

Po të kisha qenë unë Isa Mustafa, do të kisha vepruar njëjtë. Do ta kisha nënshkruar koalicionin me Albin Kurtin në krye të herës dhe do ta kisha shkarkuar atë për sjellje të papërgjegjshme. Megjithatë, për të mirën e partisë dhe rezultatit në zgjedhje, as Mustafa, as askush prej kabinetit të kaluar qeveritar nuk duhet të jetë fytyrë kryesore e partisë. Kjo është zgjidhja, sipas meje…

Nga Berat Buzhala

Prej partive të mëdha në vend, vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk i ka treguar letrat. Kryetari i kësaj partie ende nuk e ka ftuar ndonjërin prej zyrtarëve të LDK’së që t’i prijë listës së partisë në zgjedhjet e ardhshme dhe të jetë kandidat i partisë për kryeministër. Vitin e kaluar, kur LDK’ja po printe në sondazhe, një ftesë e tillë do të ishte përgjegjësi dhe privilegj i madh. Sot, kur ky subjekt është në rënie të lirë në sondazhe, kjo ftesë është vetëm një përgjegjësi e madhe.

Jo çdo ftesë është e njëjtë. Disa jepen si dhurata, disa si hakmarrje.

A i kujtohet dikujt që, në këto 31 vjet ekzistencë, LDK’ja të ketë kaluar në një moment më të keq se sot? Vërtet që kësaj partie thuhej se i ka ardhur fundi që në ditën kur ajo ishte themeluar, por këtë herë zotërat njëmend janë hidhëruar. Ajo po vallëzon tango me vdekjen. Sidoqoftë, le të kthehemi për momentin te ftesa. Ajo ftesë mund të jetë aq tragjike, sa sot është mjaft komike të shohësh luftë të brendshme për ta pranuar atë trofe. Një politikan me dy palë mend në kokë, një politikan që dëshiron të jetojë edhe pak më gjatë në politikë nuk do të vraponte pas saj.

“Faleminderit, jo këtë herë”. Kjo do të duhej të ishte përgjigjja e parë e të gjithë atyre që dinë sa bëjnë 2 plus 2. Por, meqë dikush duhet ta pranojë atë, nëse për asgjë tjetër, për altruizëm dhe sakrificë të një kauze më të madhe sesa interesi personal, atëherë përgjigjja e dytë do të duhej të ishte: “Faleminderit, por jo me këto kushte”.

Me çfarë kushtesh, shtrohet pyetja.

Pra, jo me kushtin që ti ta pranosh përgjegjësinë e nominimit për kryeministër, kurse Isa Mustafa të vazhdojë të mbetet kryetar i partisë. Kjo është e treta e vërteta. Njëherë këtë e kishte provuar Avdullah Hoti, në vitin 2017. Kishte dështuar. Pas tij, këtë film e kemi parë me Vjosa Osmanin në rolin kryesor. Edhe ajo kishte dështuar. Meqë egoja e saj mund të lëndohet, ne edhe mund të themi se ajo kishte dështuar më bukur sesa Hoti, pra me rezultat më të ngushtë se ai. A është formulimi i duhur, Vjosë?

Ajnshtajni ka thënë se budallallëku nuk është asgjë tjetër, përveçse kur ne e bëjmë vazhdimisht të njëjtën gjë duke shpresuar që do të arrijmë rezultate të ndryshme. Prandaj, çfarë nuk kanë kuptuar ende zyrtarët e vjetër të LDK’së? Edhe sa herë duhet të humbin për ta kuptuar se nuk mund t’i fitojnë zgjedhjet duke e përdorur taktikën e njëjtë?

Në fillim të këtij viti, gjërat për LDK’në dukej që nuk ishin aq keq sa janë tani. Dukej sikur dhelprat e moçme të partisë së vjetër, ndonëse kishin humbur në zgjedhje për 1 për qind, i kishin vënë në një pozitë të palakmuar Kurtin me të tijët. Ishte një përballje e përvojës me energjinë. Të parët dukeshin më të kalitur për negociata, kurse të dytët më të gatshëm për të rrezikuar. Në fund, për shkak edhe të presionit të madh të publikut dhe pritjeve që ishin, profesor Mustafa dhe Albin Kurti e arritën marrëveshjen për koalicionin e shpresës. Nuk e besoj që ndonjëherë në histori fjala “shpresë” është përdorur brenda një fjalie në mënyrë më të pashpresë. Pamë se çfarë ndodhi më pas. Shpresa ishte viktima e parë në momentin që filloi zhurma rreth thikave, rreth ngjyrave të Shtëpisë së Bardhë, rreth Grenellit e Trumpit, Borellit e Lajçakut, të gjitha këto të shoqëruara nga kriza e pandemisë. Gjendja eskaloi rrëmbyeshëm prej romance në tragjedi. Shumë shpejt kaluam nga “profesori” te “ministri i Millosheviqit”.

Është lehtë të shesim mend sot ose të shesim mend nga shkallët e stadiumit, duke i gjykuar lojtarët në fushë. Në Amerikë, për këso rastesh përdoret idioma “monday morning quarterback”.

Po të kisha qenë unë Isa Mustafa, do të kisha vepruar njëjtë. Do ta kisha nënshkruar koalicionin me Albin Kurtin në krye të herës dhe do ta kisha shkarkuar atë për sjellje të papërgjegjshme, madje nuk do të kisha pritur aq gjatë.

Sot, të gjithë i rrudhin krahët, kur pyeten se çfarë do të kishte ndodhur nëse Albini do të kishte vazhduar të ishte kryeministër, kurse zgjedhjet në Amerikë t’i kishte fituar Trumpi. Ky opcion ishte më i mundshmi në fillim të këtij viti, kurse Albini, në vend që të frikësohej për fatin e vendit, frikësohej për fatin e boshtit të tij kurrizor. “Dëshirojnë të ma thyejnë kurrizin”, thoshte. Për kurriz të Kosovës askush nuk jepte pesë pare. Skenari apokaliptik nuk ndodhi. Albini u rrëzua me të drejtë, kurse Trumpi i humbi zgjedhjet. Për të manovruar në një situatë komplekse, një delegacion i përgjegjshëm i Kosovës shkoi në Shtëpinë e Bardhë dhe nënshkroi një marrëveshje të ngjashme me ujin e bekuar, as hair as sherr, kurse rreziku i një përplasjeje me ShBA’në u eliminua falë maturisë së Isa Mustafës.

Kjo gjë sot nuk i intereson askujt. Krejt çka ka mbetur në kujtimet e njerëzve është rrëzimi “i pabesë” i Albinit dhe manipulimi që iu bë publikut. Në të vërtetë, i pabesë ishte Albini, kur e shkarkoi Veliun në kundërshtim me marrëveshjen.

Albini në atë kohë nuk po bënte politikë në të mirën e vendit. Ai po luante shah për të mirën e tij dhe të partisë. Dikush thotë që kjo është e pamoralshme. Absolutisht, mirëpo, siç ka thënë kryeministri i ndjerë i Serbisë, Zoran Gjingjiq, “ai që kërkon moral, le të shkojë në kishë”. Morali ose mungesa e tij nuk janë vepra penale, kurse Albini nuk e çan kokën as për vepra penale, e lëre më për moral. Çdo pengesë që i del në rrugë qëllimeve të tij është e eliminueshme.

Në atë pranverë të çuditshme, lideri i LV’së po luante shah. Për të, çdo gjë ishte figurë.

Nëse ne ia hamë kokën Agimit, çfarë do të bëjë Isa? Ai i ka vetëm dy opcione: ose ta tolerojë këtë turp dhe të vazhdojë të bashkëjetojë me ne sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ose të vijë pas kokës sime. Në selinë e LV’së, ose ndoshta në zyrën e kryeministrit në atë kohë, kanë thënë njëzëri: Të dyja këto lëvizje e çojnë LDK’në drejt matit, sepse ata, përveç tjerash, nuk po shohin që është edhe shah, që do të thotë, ua hamë mbretëreshën, domethënë Vjosën, të cilën po e humbin duke e mbrojtur Agimin. Këto lëvizje janë mbresëlënëse, sikur të mos ishte në pyetje edhe interesi i vendit. Sikur të isha në vendin e Isa Mustafës, do ta kisha luajtur lojën pikë për pikë, ashtu sikurse e ka luajtur ai deri më sot, përveçse ndoshta do të kisha bërë përpjekje pak më energjike për t’ia shpjeguar publikut këtë komplot. Në momente të caktuara, njeriu mendon që edhe pala tjetër, pra, në këtë rast, partia tjetër, është duke menduar për interesin e vendit e jo për fatin e kurrizit të Albinit (assesi nuk dëshirojmë ta minimizojmë as rëndësinë kombëtare të kurrizit).

Problemi është që sot askujt nuk i intereson kjo histori. Për më tepër, sot shumëkush dëshiron që kjo histori të marrë fund. Që udhëheqësit e partive tradicionale të përfundojnë në histori, njëri prej tyre edhe Isa Mustafa. Prandaj, kryetari i LDK’së dhe rrethi i tij duhet ta kuptojnë seriozitetin e situatës. Kushdo që atyre u thotë se gjendja nuk është aq serioze sa po duket është duke i gënjyer. Unë besoj që gjendja është edhe më serioze sesa që duket. Jo pse do të fitojë LV’ja, por sepse po rrezikojmë të mbetemi pa opozitë. Fitores së një subjekti politik, ose një lideri të caktuar, askush prej nesh nuk kemi pse t’i druhemi. Këto janë rregullat e lojës, kjo është mënyra se si ushtrohet demokracia. Ne duhet të friksohemi kur mbetemi krejtësisht pa opozitë, ose edhe më keq, kur fati i partisë më të vjetër në vend vihet në pikëpyetje.

Ndonjëherë, gjatë historisë, ndryshimet që ndodhin për disa muaj janë shumë më të mëdha sesa ato që mund të bëhen për dy ose tri dekada. Rënia është më e shpejtë sesa ngritja. Rrënimi është më i shpejtë se ndërtimi. Për disa muaj, gjatë revolucionit francez, ishte zhbërë një epokë qindravjeçare. Mbretëresha e Francës, Marie Antoinette, e zënë ngushtë nga masat e rebeluara popullore, nuk po arrinte ta perceptonte dot realitetin.
-“Çfarë po kërkojnë këta?”, kishte pyetur mbreterësha e ngujur në pallat.
-“Po kërkojnë bukë”, i ishte përgjigjur njëri nga shërbyesit.
-“Dhurojuni ëmbëlsira”, kishte thënë ajo, e pavetëdijshme për magnitudën e ndryshimeve që kishin mbërritur.

E shkurtë ishte edhe festa e revolucionarëve. Edhe ata përfunduan shumë shpejt në gijotinë, sikurse viktimat e tyre. Megjithatë, Franca, Evropa dhe rendi botëror ndryshuan përgjithmonë. Situata kishte qenë e mbarsur. Thjesht po kërkohej një arsye dhe të tilla kishte mjaft.

Gjendja në vendin tonë ka ardhur në një pikë kritike. Njerëzit janë të uritur, por nuk po kërkojnë ëmbëlsira. Ata me më shumë dëshirë do të hanin koka. Prandaj, refuzimi i realitetit është më i rrezikshëm sesa realiteti. Pse situata ka ardhur deri këtu? Pse partive kryesore po u kanoset një rrezik kaq i shpejtë dhe i pashmangshëm? Për këtë nuk është vetëm një fajtor e as vetëm një faktor. As nuk është Thaçi, as Mustafa, as Haxhi Topi e Ramush Haradinaj, as Fatmir Limaj e Fatmir Sejdiu. As Albin Kurti. As gazetarët dhe analistët. Është një konglomerat arsyesh dhe faktorësh, që ndoshta këtë herë as nuk ia vlen t’i analizojmë, meqë zgjedhjet janë te dera.

Sigurisht që gjërat nuk janë të paracaktuara. Njerëzit mund t’ua ndryshojnë rrjedhat zhvillimeve. Njerëzit, me angazhimin e tyre, mund ta ndryshojnë edhe rrjedhën e rezultateve të zgjedhjeve të ardhshme. Por kjo nuk do të ndodhë, nuk ka si të ndodhë, nëse LDK’ja e vazhdon avazin e vjetër, kurse tash është momenti i fundit, fare i fundit, për ta parandaluar katastrofën që po i troket në derë. Sikurse në çdo film apokaliptik, deri në momentet e fundit, çdo gjë duket pothuajse normale. Atëherë kur nuk duket normale, atëherë është bërë shumë vonë.