Kryeministri Rama ka regjistruar dorëheqjen e tretë të ministrave të tij në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, në përpjekje për të kalkuluar më mirë çdo element që do t’i sjellë mandatin e tretë.
Rama ka risjellë në qeveri Niko Peleshin, i cili ishte jashtë ekzekutivit që prej 28 dhjetorit 2018. Ishte dita kur në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, Rama largoi si “të lodhur” nga 5 vjet në krye të ministrive 7 ministrat e tij më të rëndësishëm, Ditmir Bushatin, Damian Gjiknurin, Lindita Nikollën, Arben Ahmetajn, Niko Peleshin, Mirela Kumbaron dhe zëvendëskryeministren, Senida Mesin. Por duket se që prej asaj kohe, punët në bazën e partisë nuk shkuan siç pritej, ndërkohë që Rama nisi t’i rikthejë një nga një fillimisht në parti e më pas dhe në qeveri ministrat e larguar.
Eksperimenti i Kryeministrit për të provuar ministra jashtë radhëve të Partisë Socialiste krijoi edhe mungesën e komunikimit të tyre me socialistët, ndërsa ata gjithmonë e më shumë shihnin nga humori i Kryeministrit. Kjo u pa qartë si në dorëheqjen e Besa Shahinit, e cila para se të zyrtarizonte dorëheqjen nga ministre e Arsimit, u shpreh se nuk do të vijonte me projektin e PS-së për një mandat të tretë. Edhe ministri në detyrë Cakaj e shprehu qartë se dorëheqja e tij lidhet me faktin se nuk do të ishte në listën e kandidatëve për deputetë.
Ndërsa ministri Lleshaj kishte krijuar jo pak konflikte me drejtuesit socialistë në qarkun e Lezhës ku ai zëvendësoi për një periudhë Lindita Nikollën në krye të punëve të Partisë Socialiste.
Asnjë nga ministrat me të cilët u tentua të krijohej një profil i ri me prejardhje nga shoqëria civile nuk rezultoi i suksesshëm në aspektin elektoral të kompaktësimit të strukturave socialiste dhe maksimalizimit të votave në zgjedhje. Por nga ana tjetër, nuk kanë munguar edhe pakënaqësitë e brendshme për këtë eksperiment.
Mësohet se Niko Peleshi, në krye të qarkut të Korçës si i deleguar i kryesisë, kishte shprehur pakënaqësi për mungesën e tij në ekzekutiv, çka mund të shprehej në më pak vota në zgjedhje. Kryeministri u detyrua të spostonte Olta Xhaçkën në Ministrinë e Jashtme, edhe për shkak se ajo është tashmë e afirmuar në strukturat e NATO-s për shkak të detyrës, gjë që ia bën më të lehtë punën edhe si ministre e Jashtme. Si edhe në emërimet e tjera, Xhaçka nuk ka pasur dijeni për këtë lëvizje të saj brenda qeverisë.
Me Niko Peleshin si ministër që drejton Korçën, Xhaçkën që drejton Dibrën, Elisa Spiropalin që bashkëvepron me Ervin Bushatin për Tiranën, Ahmetajn si ministër i Rindërtimit për pasojat që la tërmeti në Durrës, Evis Kushin për qarkun e Elbasanit, Fierin me Gramoz Ruçin Kryetar i Kuvendit dhe Erion Braçen si zv.kryeministër, riemërimin e Bledi Cuçit në një tjetër post, si ministër i Brendshëm që drejton zgjedhjet për PS-në në qarkun e Gjirokastrës, Blendi Klosi i Turizmit që koordinon zgjedhjet për PS-në në Berat, dhe Vlorën që ai e bashkëdrejton me Damian Gjinkurin, Edi Rama duhet të ndjehet më i sigurt në motivimin e njerëzve për të arritur objektivin e tij: mandatin e tretë.
Ai ka lënë pas eksperimente me emra të tipit “Cakaj” “Shahini” apo “Lleshaj”, për t’u kthyer te tradita më e njohur për partitë, te baza, përmes emërimesh politike që në fund përkthehen në vota. Vetëm qarku i Shkodrës, Lezhës dhe Kukësit janë të papërfaqësuar me ministra, edhe pse dy prej tyre drejtohen sot nga dy ish-ministra, Ilir Beqaj dhe Lindita Nikolla.
Ndërsa Kukësin Rama e ka “blinduar” me Safet Gjicin. Ndofta këto janë qarqet ku PS-ja mund të mos ketë pritshmëri të madhe ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, ndaj dhe vëmendja e tij është fokusuar te hambari i votave për PS-në.