MENU
klinika

Negociatat për Brexit

Merkel: Bisedimet mund të vazhdojnë deri në 28 mars

19.10.2018 - 16:32

Angela Merkel ka bërë thirrje për më shumë fleksibilitet nga BE-ja dhe Britania e Madhe për të zhbllokuar negociatat e Brexit.

Në një takim të nivelit të lartë të BE-së dhe në daljet e mëvonshme publike, kancelarja gjermane shprehu shqetësime rreth qëndrimit të bllokut lidhur me Mbretërinë e Bashkuar dhe çështjen e kufirit  irlandez.

Tre diplomatë thanë se në darkën e së mërkurës mbrëma Merkel tregoi se BE dhe Republika e Irlandës duhet të rishikojnë qëndrimet e tyre për të shmangur një përplasje me Londrën.

Merkel gjithashtu i shprehu shqetësimet e saj në një konferencë shtypi të enjten.

Theresa May, kryeministrja britanike, pas samitit këmbënguli që Britania mund të siguronte një “marrëveshje të mirë” për Brexit, por pranoi se kishte “çështje ende të pazgjidhura” që i pengonin negociatat.

Ajo konfirmoi se Britania po shpresonte që t’i jepej më shumë kohë, përtej dhjetorit 2020, për të arritur një marrëveshje tregtare .

Deri më sot, qeveria gjermane ka mbështetur në mënyrë të vendosur idetë e Komisionit Evropian lidhur me çështjen në fjalë.

Brukseli thotë se nëse zgjidhjet e tjera dështojnë, Irlanda e Veriut duhet të mbetet brenda bashkësisë doganore të BE dhe të ketë një treg të vetëm për mallrat.

Zyrtarët britanikë u lehtësuan që samiti i Brukselit të ishte konstruktiv dhe pohuan se negociatat tani po ecin shumë më mire.

Merkel ka thënë gjithashtu se bisedimet e Brexit, nëse ishte e nevojshme, mund të vazhdojnë deri në 28 Mars, duke nënkuptuar që dalja e planifikuar e Britanisë mund të shtyhet derisa marrëveshja të arrihet në Westminster dhe në Parlamentin Europian.

I pyetur se çfarë do të bënte Dublini në rastin e largimit të Britanisë nga BE pa marrëveshje, Leo Varadkar, kryeministri irlandez, tha “do të ishte shumë e vështirë. Nuk është diçka që po mendojmë: ne po punojmë natë e ditë në çdo orë që të sigurohemi që kemi një marrëveshje,” shtoi ai.