Vijnë disa fotografi të rralla, që pasqyrojnë varrimin e Ceno Beg Kryeziut, nga familja e njohur e Kryezinjve të Gjakovës, i cili ishte martuar me njërën nga motrat e Ahmet Zogut, me të cilin kishte dhe një djalë, të quajtur Tati.
Ceno Begu ishte një nga njerëzit që mbështeti rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet, në dhjetorin e vitit 1924 dhe në qeverinë e krijuar në janarin e vitit 1925, kryeministri Ahmet Zogu, i dha atij postin e ministrit të Brendshëm. Gjatë kohës që Ceno Begu ishte në atë post, ndodhën vrasjet e Bajram Currit dhe Luigj Gurakuqit, që nuk kaluan pa lënë pasoja në politikën shqiptare. Opozita e asaj kohe akuzoi kryeministrin Ahmet Zogu, duke thënë se ai kishte urdhëruar Ceno Begun, për eleminimin e dy politikanëve të njohur.
Pas disa kohësh, Kryeministri Ahmet Zogu i prishi marrëdhëniet me Ceno Begun dhe pasi e shkarkoi nga posti i ministrit të Brendshëm, e emëroi atë ministër fuqiplotë të Shqipërisë në Beograd. Marrëdhëniet në mes Zogut e kunatit të tij, u ftohën edhe më shumë, për shkak se Ceno Begu, thuhet se filloi të ndiqte një politikë projugosllave, në dëm të interesave të Shqipërisë dhe vetë Zogut. Pas kësaj, Zogu e emëroi Ceno Begun, si ministër fuqiplotë në Republikën e Çekisë, ku pas pak ditësh, ai u vra nga një student shqiptar, i quajtur Alqiviadh Bebi, nga Elbasani.
Vrasja e tij ndodhi më 14 tetor të vitit 1927, në orën dhjetë të natës, teksa Ceno Begu ishte duke hyrë në kafenenë e tij të preferuar “Passage”, që ndodhej në sheshin “Vaclavski Namesit”. Studenti shqiptar Alqiviadh Bebi, që ishte futur më përpara aty dhe po pinte i vetëm në tavolinë, e qëlloi disa herë me pistoletë në trup dhe në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Pas vrasjes, studenti elbasanas nuk u largua dhe personeli i lokalit e kapi dhe ia dorëzoi policisë. Ajo vrasje, në atë kohë bëri bujë të madhe dhe u publikua nga shumë gazeta të Europës, që dhanë versione nga më të ndryshmet për motivet e saj, pa munguar as akuzat ndaj Zogut, i cili, sipas tyre, kishte paguar studentin shqiptar që ta vriste kunatin e tij.
Po kështu, shtypi i kohës për atentatin ndaj Ceno Begut e akuzonte herë Komitetin Nacional Revolucionar (KONARE) e herë emigrantët shqiptarë antizogistë që nodheshin në Jugosllavi. Nga disa dëshmi të kohës, thuhet se kryeministri shqiptar Ahmet Zogu, lajmin për vrasjen e Ceno Begut e përjetoi rëndë dhe pati një atak nervor, kur mori vesh vdekjen e burrit të motrës. Ai qau ditë të tëra para personaliteteve të larta të shtetit shqiptar të asaj kohe, që shkonin për ta ngushëlluar, si dhe para vëllezërve të Ceno Begut, por e vërteta s’doli kurrë në dritë!
Së pari, se në fillim, Alqiviadh Bebi pohoi se e kish vrarë vetë, thjesht për motive patriotike dhe pa porosinë e askujt, e së dyti, sepse atë e vranë vetë vëllezërit e Ceno Begut, në sallën e gjyqit, me anë të Zija Vuçiternit.
Atë ditë që në kryeqytetin çek, Pragë, filloi gjyqi ndaj Alqiviadh Bebit, i cili, e pranoi se atë vrasje e kishte bërë për motive politike, pasi sipas tij, ‘Ceno Begu kishte tradhtuar Ahmet Zogun’, ndodhi dhe vrasja e tij, brenda në sallën e gjyqit, nga një shqiptar i quajtur Zija Vuçiterni, nga Kosova, që shërbente si adjutant i Gani Beut (vëllai i Cenos), i cili, e qëlloi disa herë me pistoletë Bebin, që ra i vdekur mbi tavolinën e gjykatësit dhe plumbat e tjerë plagosën edhe një gazetar italian.
Zija Vuçiterna e pranoi autorësinë e vrasjes në gjyqin e tij, që u zhvillua po në Pragë, duke deklaruar: “Mora hakun e vëllait tim, Ceno Begut”. Pas disa ditësh, trupi pa jetë i Ceno Beg Kryeziut u soll në Shqipëri, ku atij iu bë një varrim madhështor në Tiranë, çfarë duket edhe nga pamjet, që publikohen për herë të parë nga/Memorie.al