MENU
klinika

Simptomat, shkaqet dhe trajtimi

Çfarë është Hipotiroidizmi?

24.01.2021 - 13:52

Hipotiroidizmi (ulja e funksionit të gjendrës tiroide) ndodh atëherë kur gjendra tiroide nuk prodhon mjaftueshëm hormone. Hipotiroidizmi prek më tepër gratë krahasuar me meshkujt dhe me rritjen e moshës rritet edhe numri i rasteve me hipotiroidizëm, por kjo patologji mund të haset në çdo moshë. Në fazat e hershme kjo patologji nuk shoqërohet me simptoma të dukshme, por në rast se nuk trajtohet me kalimin e kohës hipotiroidizmi mund të shkaktojë një sërë problemesh shëndetësore të tilla si obezitet, dhimbje kyçesh, infertilitet dhe sëmundje zemre etj.

SIMPTOMAT & SHENJAT

GJENDRA E TIROIDES

Shenjat dhe simptomat shoqëruese të hipotiroidizmit variojnë në varësi të nivelit të mungesës së hormonove. Ndër simptomat e para që vihen re janë ndjesia e lodhjes dhe shtimi në peshë, e jo pak herë ndodh që pacientët të mendojnë që janë simptoma të moshës. Duke qenë se hormonet e tiroides marrin pjesë në metabolizëm, hipotirodizmi çon në ngadalësimin e metabolizmit dhe si rrjedhojë në shfaqjen e shenjave dhe simptomave më të dukshme ndër të cilat mund të përmendim:

  • Lodhje
  • Ndjesi të ftohti (kanë shumë ftohtë)
  • Kapsllëk
  • Lëkurë e thatë
  • Shtim në peshë
  • Fryrje në fytyrë
  • Ngjirje e zërit
  • Dobësi muskulare
  • Nivel i lartë i kolesterolit në gjak
  • Flokë të hollë
  • Rrahje të ulëta të zemrës
  • Depresion

Në rast mostrajtimi dhe mosdiagnostikimi në kohë të kësaj patologjie shenjat dhe simptomat shoqëruese vijnë duke u përkeqësuar gradualisht.

Hipotiroidizmi te foshnjet

Pavarësisht se, siç e theksuam edhe më lart, hipotiroidizmi prek më së shumti moshat e mesme dhe gratë më të mëdha se 60 vjeç, të gjithë janë të rrezikuar për t’u prekur nga kjo patologji, përfshirë këtu edhe fëmijët. Te foshnjat e lindura pa gjendër tiroide apo me gjendër tiroide që nuk funksionon shfaqen shenja apo simptoma të tilla si:

  • E bardha e syve dhe lëkura e verdhë. Në më të shumtën e rasteve kjo ndodh atëherë kur mëlçia e fëmijës nuk arrin të metabolizojë një substancë të quajtur bilirubinë, e cila zakonisht formohet kur trupi riciklon qelizat e kuqe të reja ose të dëmtuara.
  • Mbytje të herëpashershme
  • Pamje e fryrë në fytyrë

Me përparimin e sëmundjes ndodh që foshnjet të kenë probleme me ushqyerjen dhe me rritjen normale të tyre, dhe ndërkohë mund të shfaqin edhe probleme si:

  • Konstipacion (kapsllëk)
  • Masë muskulare e dobët
  • Gjumë i tepruar

Në rast se Hipotiroidizmi te foshnjet nuk trajtohet në kohë, edhe rastet më të lehta mund të degradojnë në paaftësi fizike. Prandaj është e rëndësishme që te të porsalindurit të bëhet analiza e funksionit të tiroides, kjo për të diagnostikuar dhe trajtuar në kohë në rast se ka probleme me tiroiden.

Hipotiroidizmi te fëmijët dhe adoleshentët

Në përgjithësi, fëmijët dhe adoleshentët të cilët zhvillojnë hipotiroidizëm kanë shenja dhe simptoma të njëjta si të rriturit, por gjithashtu mund të shfaqin edhe :

  • Rritje të ngadaltë, duke rezultuar në shtat të shkurtër
  • Zhvillimi i vonuar i dhëmbëve të përhershëm
  • Pubertet i vonuar
  • Vonesë në zhvillimin mendor

KUR DUHET TË KONSULTOHENI ME MJEKUN SPECIALIST

Duhet të drejtoheni të mjeku specialist nëse ndjeni lodhje të pashpjegueshme ose keni ndonjë nga shenjat dhe simptomat e hipotiroidizmit si: lëkurë e thatë dhe e zbehtë, fryrje në fytyrë, kapsllëk dhe trashje e zërit. Është e rëndësishme të drejtoheni te mjeku specialist për të ekzaminuar në mënyrë periodike funksionin e tiroides sidomos nëse më parë keni kryer kirurgji të tiroides ose jeni trajtuar me jod radioaktiv, apo keni kryer proçedura me rrezatim në zonën e kokës, qafë apo në pjesën e sipërme të gjoksit.

Po kështu në rast se keni nivelin e kolesterolit të lartë konsultohuni me mjekun për të përjashtuar hipotiroidizmin si shkaktar të tij.

Përse shkaktohet hipotiroidizmi?

Në rastet kur tiroidja nuk prodhon mjaftueshëm hormone ndodh një ç’ekuilibrim i reaksioneve kimike në trupin tuaj dhe kjo mund të jetë si rrjedhojë e një sërë shkaqesh përfshirë këtu sëmundjet autoimune, trajtim për hipertiroidizëm, trajtim me rrezatim, kirurgji tiroide apo trajtime me medikamente të caktuara që dëmtojnë funksionin e gjendrës tiroide.

Tiroidja është një gjendër në formë fluture e vendosur në pjesën e përparme të qafës, poshtë mollës së Adamit. Hormonet e prodhuara nga gjendra tiroide – triiodothyronine (T3) dhe thyroxine (T4) – kanë një ndikim të madh në shëndetin tuaj, duke prekur të gjitha aspektet e metabolizmit të organizmit.

Ndër shkaktarët që çojnë në Hipotiroidizëm mund të përmendim:

  • Sëmundjet Autoimmune. Personat që zhvillojnë një çrregullim të veçantë inflamator të njohur si tiroiditi i Hashimotos, janë edhe ata që preken më së shumti nga Hipotiroidizmi.
  • Trajtimet që merren për Hipertiroidizëm. Shtimi i prodhimit të hormoneve të tiroides njihet si Hipertiroidizëm. Personat që kanë Hipertiroidizëm shpesh trajtohen me jod radioaktiv ose medikamente të cilat synojnë të reduktojnë ose normalizojnë funksionin e tiroides. Ndodh që trajtimet që përdoren për normalizimin e Hipertiroidizmit të jenë shkaktarët që çojnë në Hipotiroidizëm, madje në disa raste, trajtimi për hipertiroidizëm mund të rezultojë në Hipotiroidizëm të përhershëm.
  • Kirurgjia e Tiroides. Heqja në rrugë kirurgjikale e një pjese apo e të gjithë gjendrës së tiroides mund të ndikojë në uljen apo frenimin e prodhimit të hormoneve. Në të tilla raste rekomandohet marrja pandërprerje e hormonit të tiroides, gjithmonë bazuar në rekomandimet e mjekut specialist.
  • Trajtimi me rrezatim.Rrezatimet që përdoren për të trajtuar lloje të ndyshme të kancerave të kokë-qafës mund të ndikojë në funksionin e gjendrës tiroide dhe të çojë në hipotiroidizëm.
  • Terapia medikamentoze. Ekziston një numër mjekimesh të cilët ndikojnë në shfaqjen e Hipotiroidizmit. Një ndër këto medikamente është edhe litiumi, i cili përdoret nga mjekët psikiatër për të trajtuar patologji të caktuara të shëndetit mendor. Në të gjitha rastet rekomandohet që të kryhen rregullisht analizat e funksionit të gjendrës tiroide.

Në raste të rralla shkak për Hipotiroidizëm mund të jenë edhe:

  • Sëmundjet kongjenitale (të lindura).  Disa foshnje lindin me defekt në gjendrën e tiroides ose pa gjendër tiroide dhe kjo është edhe arsyeja që në disa shtete është e detyrueshme që të kryhet edhe ekzaminimi i funksionit të tiroides te të porsalindurit.
  • Shtatzënia. Në disa gra ndodh që gjatë ose pas shtatzënisë të zhvillojnë hipotiroidizëm, kjo më së shumti për faktin që ato prodhojnë antitrupa kundër gjendrës së tiroides. Në rast mostrajtimi në kohë, hipotiroidizmi te gratë shtatzëna rrit përqindjen e rrezikut për abort, lindje premature ose preeklampsi.
  • Mungesa e Jodit

FAKTORËT E RREZIKUT

Megjithëse gjithësecili prej nesh është i rrezikuar mund për t’u prekur nga hipotiroidizmi, ekziston një kategori e caktuar personash që konsiderohen me rrezik më të lartë për t’u prekur si:

  • Jeni grua dhe më e madhe se 60 vjeç
  • Vuani nga sëmundje autoimune
  • Keni histori familjare me sëmundje të tiroides
  • Keni sëmundje autoimmune të tjera si Artrit Rheumatoid ose lupus, gjendje inflamatore kronike
  • Jeni trajtuar me Jod radioaktiv ose medikamente anti-tiroide
  • Keni marrë rrezatim në qafë ose pjesën e sipërme të gjoksit
  • Keni kryer kirurgji të tiroides(tiroidektomi të pjesshme ose të plotë)
  • Keni qenë shtatzënë ose keni lindur fëmijë brenda 6 muajve të fundit

Komplikacionet

Tiroidja e patrajtuar mund të çojë në një sërë problemesh mjekësore si:

  • Strumë. Stimulimi në mënyrë konstante i tiroides për të çliruar më shumë hormone mund të çojë në zmadhimin e gjendrës së tiroides – gjendje kjo që njihet edhe si strumë. Tiroiditi Hashimoto është një nga shkaktarët kryesorë të strumës.
  • Probleme me zemrën. Hipotiroidizmi mund të sjellë edhe një rrezik në rritje për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës, në rradhë të parë për shkak të nivelit të lartë LDL-kolestrolit (kolesterolit të keq) – që haset shpesh te personat me Hipotiroidizëm. Hipotiroidizmi në stade të avancuara mund të çojë edhe në zmadhimin e zemrës ose edhe në insufiçencë kardiake.
  • Probleme me shëndetin mendor. Depresioni shfaqet në fillimet e hipotiroidizmit por mund të edhe të përkeqësohet me kalimin e kohës. Hipotiroidizmi mund të çojë edhe në ngadalësim të funksionit mendor.
  • Infertilitet. Niveli i ulët i hormonit të tiroides mund të ndikojë në ovulimin dhe si rrjedhojë të dëmtojë fertilitetin e gruas. Po kështu, disa prej shaktarëve të hipotiroidizmit – si psh sëmundjet autoimmune – mund të dëmtojnë gjithashtu fertilitetin.
  • Defekte në lindje. Foshnjet e lindura nga nëna të prekura nga sëmundja e tiroides dhe të patrajtuara kanë një rrezik të shtuar për të lindur fëmijë me defekte të lindura krahasuar me foshnjet e lindura nga nënat e shëndetshme.

SI DIAGNOSTIKOHET HIPOTIROIDIZMI

Meqënëse prevalenca e Hipotiroidizmit rritet me moshën, ka shumë mjekë specialistë kudo në botë që rekomandojnë kontrollin e funksionit të gjendrës tiroide te gratë mbi moshën 50-60 vjeç, të paktën një herë në vit. Gjithashtu, rekomandohet të kryhet kontrolli për gjendrën tiroide te të gjitha gratë që planifikojnë shtatzëni apo ato që janë shtatzëna.

Gjithsesi, gjithmonë, në çdo moshë, nëse ka shenja që sugjerojnë probleme të tiroides duhet të kryhet ekzaminimi për tiroiden.

TRAJTIMI

Trajtimi i Hipotiroidizimit bëhet me tableta që merren një herë në ditë në mëngjes rreth 30 minuta deri një orë përpara konsumit të vaktit. Sasia e mjekimit është individuale dhe përcaktohet nga mjeku specialist endokrinolog gjatë kontrolleve periodike që pacientët kryejnë.

Në Spitalin Hygeia Tiranë, mjekët endokrinologë ofrojnë konsulta të specializuara duke mbuluar të gjithë gamën e  patologjive endokrine, diagnostikimin dhe trajtimin e tyre.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN