Lajmi se ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi,mori të mërkurën mandatin për të formuar qeverinë e ardhshme të Italisë, u prit me lehtësim dhe madje kënaqësi nga analistët ndërkombëtarë.
I vlerësuar si shpëtimtar i euros pas krizës së borxhit sovran të viteve 2011-2012 me fjalimin e tij të famshëm “Do të bëjmë gjithçka që duhet”, Draghi shihet si njeriu i duhur për t`a drejtuar vendin e tij në krizë për shkak të pandemisë, krizës ekonomike, dhe së fundmi asaj politike me të cilën po përballet.
Por në realitet, emërimi i Draghit paralajmëron një të ardhme jo të shkëlqyer për Italinë. Ngjitja e tij në këtë detyrë përfaqëson një humbje politike për gati gjithë klasën politike italiane, me një përjashtim të dukshëm dhe të rrezikshëm.
Humbësja më e dukshëm është partia më e madhe në parlamentin italian:Lëvizja Pesë Yjet (M5S). Ajo u katapultua në pushtet pasi bëri bujë me reagimin e saj të fortë kundër qeverisë teknokrate të mbështetur nga BE dhe të kryesuar nga kryeministri Mario Monti, ndërsa Draghi ishte ende duke drejtuar BQE.
Por tani, pas gati 3vjetësh në pushtet, M5S po e lë vendin gati aty ku e gjeti:në duart e një teknokrati tjetër të mbështetur nga BE,një ish-punonjës i Goldman-Sachs, dhe me një bazë mbështetjeje shumë të dobët. Me kalimin e kohës, premtimet e Lëvizjes Pesë Yjet për t`a transformuar rrënjësisht sistemin politik të Italisë, duke e hapur atë “si konservë peshku”e kanë humbur të gjithë besueshmërinë e tyre.
Rishtarët që solli ajo në detyrë,u manovruan vazhdimisht nga profesionistë më me përvojë, derisa u bënë gati të padallueshëm nga politikanët e konsumuar që supozohej të zëvendësonin.
Tani kjo parti po përpiqet që të mbajë vendet e saj në parlament dhe ka të ngjarë të ndahet, nëse do të mbështesë kabinetin e përkohshëm të Draghit, kryesisht pasi eksponentët e saj kryesorë e dinë se një kthim në kutitë e votimit do të zvogëlonte ndjeshëm pjesën e tyre të pushtetit kombëtar.
Edhe partitë më tradicionale italiane, dalin të mposhtura nga kjo krizë, pasi ato u treguan të paafta për të dalë mbi rivalitetet e tyre të vogla dhe manovrat afatshkurtra për marrjen e pushtetit,në mënyrë që të përballshin me situatën e përgjithshme në vend brenda kornizës së procedurës së zakonshme parlamentare.
Matteo Renzi, një ish-kryeministër i qendrës së majtë, që tani drejton një grup të vogël por vendimtar në parlament, dhe që figuron me 3 për qind mbështetje popullore në sondazhe, e shkaktoi në fillim krizën me arsyetimin se “politika” – me të cilën ai nënkuptonte mundësinë e pasjes së një zëri në politikat e qeverisë – nuk duhet që të pezullohet as gjatë kohërave të jashtëzakonshme.
Tani, ai është i detyruar të ketë një rol edhe më periferik në një qeveri, roli kryesor i të cilës është lënia mënjanë e politikës për t’u marrë me problemet më emergjente. Kryeministri Giuseppe Conte gëzon ende një popullaritet të madh pasi siguroi një paketë të madhe ndihme financiare nga Bashkimi Evropian,si përgjigje ndaj dëmeve që ka sjellë pandemia e Covid-19, por ai dha përgjigjen e tij ndaj pritës së Renzit.
Dorëzoi dorëheqjen tek presidenti me pritshmërinë e gabuar se do të ishte në gjendje të formonte një shumicë alternative, duke u mbështetur tek partitë e tjera të qendrës së majtë dhe asaj të djathtë, si dhe Lëvizja Pesë Yjet. Ky skenar u pa të ishte i pamundur dhe tani Conte ka të ngjarë të mbetet duarbosh, pikërisht tani që do të fillonte zbatimin e planit të ndihmës që i siguroi edhe mbështetjen e madhe popullore.
Aktualisht, nga zhvillimet e fundit janë dobësuar edhe forcat e supozuara të rendit dhe stabilitetit, si Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella dhe vetë Draghi. Kjo pasi qeverisë së Draghit do t’i duhet të marrë mbështetjen e shumicës në parlament.
Kjo do të thotë që nuk do të zhduket asnjë nga rivalitetet e vogla dhe mosmarrëveshjet politike që çuan në krizën aktuale. Prandaj, një pjesë e madhe e kapitalit politik të Draghit do të duhet të shpenzohet në mbajtjen bashkë të një koalicioni të dobët dhe plot ndarje të brendshme, ndërsa mbetet në mëshirën e kërcënimeve të vetos nga palët që e përbëjnë atë. Kjo gjë vështirë se është një recetë për stabilitet institucional dhe qeverisjen e mirë.
Aseti kryesor i Draghi është fluksi i madh i parave të gatshme që do të mbërrijë në formën e paketës së BE-së, si një ndihmë për rimëkëmbjen pas Covid-19. Kjo do të thotë që axhenda e tij politike, nuk duhet të ndjekë atë të masave të ashpra të kursimit të zbatuara më parë nga Mario Monti, të cilin vetë Draghi e ndihmoi në hartimin e programit si kreu i BQE.
Por të vendosësh se si t’i shpenzosh burimet e ndihmës, mund të shoqërohet me po aq shumë debate sa edhe masat shtrënguese, pasi të gjithë do të duan nga një pjesë.
Për Draghin, “monopatet” e parlamentit italian mund të jenë më të vështira për t’u kapërcyer sesa “korridoret e lëmuara” të Bankës Qendrore Evropiane.
Ambicia e tij afatmesme, besohet gjerësisht se është zëvendësimi i Mattarellas si president i Italisë, një post që pritet të ripërtërihet brenda një viti, dhe për të cilin Draghi konsiderohej tashmë si një kandidat kryesor. Por midis tij dhe këtij qëllimi janë shumë muaj të vështirë kaosi politik, nga të cilat ai nuk ka gjasa që të dalë i padëmtuar.
Përfituesi i vetëm dhe i vërtetë i krizës aktuale është udhëheqësi i LEGA-s së ekstremit të djathtë anti-establishment, Matteo Salvini. Për momentin, ai i ka ofruar mbështetje qeverisë të sapolindur të Draghit, duke e bërë kështu veten thelbësor për mbijetesën e tij në të ardhmen. Gjithsesi, Salvini ka sinjalizuar gjithashtu se ai e konsideron këtë mbështetje vetëm për një rregullim të përkohshëm, që synon të adresojë aspektet më të ngutshme të krizës aktuale,që më vonë t’i hapë rrugën zgjedhjeve të parashikuara për në vitin 2022. Të gjitha sondazhet tregojnë se nëse kjo do të ndodhte, partia e tij do të paraqitej shumë mirë, duke pasur parasysh shfaqjen e dobët nga forcat e tjera politike në javët e kaluara.
Prandaj, skenari më i mundshëm dhe i menjëhershëm është një qeveri e dobët dhe jetëshkurtër, e detyruar të mbetet brenda kufijve të saj të ngushtë. Pas tij vjen një koalicion i së djathtës ekstreme, me Salvinin në krye, dhe mbështetjen ndihmëse të partisë neofashiste Fratelli d’Italia të Giorgia Melonit, dhe Forza Italia e ringjallur të Silvio Berlusconit.
Kjo tregon se Italia mbetet e bllokuar brenda narrativës që ka futur në grackë politikën evropiane që prej krizës ekonomike të viteve 2008-2011: në politikën e sotme populizmi dhe teknokracia janë dy mënyrat e vetme në dispozicion. E ndërsa zakonisht ato kanë qenë në kundërshtim me njëra-tjetrën, populizmi dhe teknokracia tashmë e kanë demonstruar mjaft mirë se në fakt ushqehen me njëra-tjetrën, duke çuar në një lëkundje të vazhdueshme dhe nganjëherë edhe një përzierje midis tyre, jo vetëm në Itali, por në shumë demokracitë tjera të përparuara perëndimore si në Greqi, Spanjë, Francë, Britani, dhe pa dyshim edhe në Shtetet e Bashkuara.
Në dritën e këtyre përvojave, bota duhet t`a kapërcejë iluzionin se mund të ketë një rregullim të lehtë teknokratik për krizën e thellë të përfaqësimit politik, nga i cila populizmi bashkëkohor është thjesht një shprehje e tij.
Populizmi dhe teknokracia, janë dy anët e së njëjtës medalje, të cilat mund të kundërshtohen vetëm duke ringjallur mekanizmat e përfaqësimit demokratik, të cilat sapo kanë dështuar në mënyrë spektakolare në Itali. Qeveria teknokratike e Mario Draghi nuk do të jetë zgjidhja për problemet politike të Italisë. Përkundrazi, ajo është më tepër një simptomë e mëtejshme e paaftësisë së saj të vazhdueshme për t’i adresuar ato.