MENU
klinika

Profili/ Liroi nga burgu të dënuar të rrezikshëm

Arrestohet për korrupsion gjyqtarja e Krujës

11.02.2021 - 10:30

Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha është arrestuar të enjten e 11 shkurtit, me urdhër të SPAK (Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit) .

Sipas News24 në operacionin e nisur mëngjesin e sotëm mes të arrestuarve është edhe kancelari i gjykatës, por edhe avokatë. Aldo Tabaku është një nga avokatët e arrestuar, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar ngushtë me gjyqtaren për të liruar disa persona të botës së krimit.

Për gjyqtaren Hoxha, Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, ka kërkuar edhe shkarkimin nga detyra. ILD bëri njoftim publik se Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani nisi verifikimin e më pas hetimin disiplinor për këtë magjistrate, pasi media raportoi vrasjen më 11 qershor 2020 të shtetasit Hekuran Billa, i cili ishte liruar para kohe nga burgu nga Enkelejda Hoxha.

Sipas raportit hetimor të ILD, gjyqtarja e Krujës ka dhënë 6 vendime në harkun kohor të maj 2017- nëntor 2019 që përbëjnë akte që diskreditojnë figurën e gjyqtarit.

ILD ka konstatuar se gjyqtarja Hoxha ka kryer procese tërësisht të njëanshme. Enkeleida Hoxha njihet si një gjyqtare që jep vendime në favor të të dënuarve për krime të rënda, si brenda dhe jashtë vendit.

Më 7 nëntor të vitit 2017, Enkeleida Hoxha liroi nga burgu Genci Tafilin, vëllanë e Admir Tafilit, të dy emra shumë të njohur për drejtësinë shqiptare, të akuzuar dhe dënuar për disa vepra penale. Genc Tafili është liruar në vitin 2017 me kusht nga Gjykata e Krujës nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha, pasi kreu 17 vite burg. Po në nëntor të 2017-ës, gjyqtarja Enkeleida Hoxha liroi edhe Ilir Pajën nga burgu, të njohur me nofkën “UFO” nga drejtësia italiane, pasi ishte arratisur tri herë.

KUSH ËSHTË GENCI TAFILI

Lirimi me kusht i Genci Tafilit është dhënë pasi kreu 17 vite burg. Ai është vëllai i Admir Tafilit, i njohur në botën kriminale për shumë ngjarje të rënda. Genc Tafili me vëllanë, Admir Tafilin, u dënuan për vrasjen e komisarit të Policisë, Arben Zylyftari.

Genc Tafili kreu 17 vite burg, nga 25. Ngjarja, për të cilën ai u akuzua dhe dënua, ndodhi në vitin 2000, ku vrau me armë komisarin Zylyftari. Por si u vra Zylyftari? Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në gusht të vitit 2000, ku u vra kreu i Policisë së Shkodrës, familja e Bahri Tafilit e akuzoi ish-shefin e Krimeve në atë kohë, Prelë Pjetrushin, i cili kishte organizuar edhe operacionin për kapjen e të kërkuarit. Familja Tafili ka pretenduar se komisari Arben Zylyftari u vra nga dora e Prelë Pjetrushit dhe jo nga armët e Tafilajve.

KUSH ËSHTË ILIR PAJA

Në të njëjtën ditë që gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha, vendosi lirimin e Genci Tafilit, i dënuar për vrasjen e Arben Zylyftarit, ajo firmosi daljen nga burgu edhe të Ilir Pajës, i akuzuar për plagosjen e rëndë të një efektivi të njësisë operacionale të Policisë, më 6 mars të vitit 2008. Paja po arrestohej për llogari të autoriteteve italiane që e kërkonin pas arratisjes nga burgu, ndërsa ishte i dënuar për dy vrasje.

Në momentin e ndërhyrjes së Policisë shqiptare, në tentativë për t’u larguar, i kërkuari përplasi dhe plagosi rëndë efektivin e Policisë, Blendi Haxhimali. Ky po e ndiqte me motor, në pritje të ndërhyrjes së kolegëve të tij. Vetëm pak para se të arrestohej në Tiranë pranë “Rrugës së Dibrës”, Paja kishte mundur të arratisej nga një ambulancë e Policisë italiane të Burgjeve.

Gjyqtarja i njohu vjetërsinë e punës që 5 vjeçe

Pas vendimeve për lirim të të dënuarve me burgime të rënda, gjyqtarja Enkeleida Hoxha rezulton se po në nëntor të vitit 2017 ka dhënë një tjetër vendim skandaloz. Ajo i njohu vjetërsinë e punës një gruaje nga fshati Bilaj i Krujës, Marjana Prenuca, që në moshën 5-vjeçare për efekt pensioni.

Por, nuk kanë të mjaftuar me kaq vendimet e favorshme nga ana e gjyqtares Hoxha. Ajo njihet edhe si gjyqtarja që ka dënuar djalin e deputetit Rrahman Rrahja, Redjan Rrajën. Ky i fundit u akuzua për dhunën fizike të përdorur ndaj shtetases Xhisiela Maloku. Kjo ngjarje, kohë më parë, mori përmasa mjaft të mëdha në publikun shqiptar, por në Gjykatë u mbyll vetëm me një dënim me shërbim prove.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Do të nisë ҫmontimi i korrupsionit..."

“SPAK”/ Çështjet e ‘nxehta’ po presin shtatorin