“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Kam 5 muaj që kam hequr tëmthin, por dhimbjet janë po të njëjta. Kam bërë eko dhe të gjitha analizat por më kanë dalë mirë. Ju lutem mund të pyesni një mjek gastohepatolog të mirë për problemin tim?
Mjeku: Edhe pas kolecistektomisë (heqjes së tëmthit), shumë pacientë vazhdojnë të paraqesin ankesa. Shkak mund të jetë mosrespektimi i dietës, prania e gurëve në kanalin e quajtur koledok, dëmtimi sekondar i pankreasit, bashkë-ekzistenca edhe e ankesave që lidhen me patologji të stomakut etj.
Nëse në analizat e bëra mungojnë gamaglutamiltranspeptidaza, fosfataza alkaline dhe lipazemia, duhet t’i bëni patjetër. Për një vit pas kolecistektomisë duhet të përdorni rregullisht acid ursodeoxycholic në varësi të peshës dhe një medikament që ul aciditetin në stomak si omeprazol një tabletë esëll në mëngjes.
Për dhimbjen ju rekomandoj gismotal 3 herë 1 tabletë para ngrënies. Nëse ankesat vazhdojnë dhe analizat që ju rekomandova rezultojnë jo normale, duhet të konsultoheni me gastrohepatogun tuaj për ekzaminime të mëtejshme.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim