MENU
klinika

Video

Përse po blihet kaq shumë sigurimi Anti-Covid

16.02.2021 - 16:50

Teksa pandemia e COVID 19 duket se nuk ka të ndalur, problem thelbësor mbetet vaksinimi. Në Shqipëri shifrat e infektimeve i kanë kaluar 1100 raste ditore, ndërsa vaksinimi i masës së popullsisë duket ende shumë larg.

Por edhe ajo pjesë e personelit mjekësor që është vaksinuar deri më tani, disa prej tyre sërish u prekën nga virusi Sars Cov 2, ç’ka tregon që edhe nëse vaksinohemi sërish duhet të ruhemi sepse mundësia e infektimit ekziston edhe për një kohë të gjatë pas marrjes së vaksinës.

Kjo situatë e tejzgjatur, krahas stresit dhe ankthit, po i rëndon qytetarët shqiptarë edhe nga financat, sepse trajtimi i COVID 19 është i shtrenjtë.

Një trajtim në kushte shtëpie varion nga 40 mijë lekë të reja për personat e prekur lehtë deri në 120 mijë lekë për ata që janë në gjendje më të rënduar. Kjo faturë është tepër e lartë për pjesën më të madhe të shqiptarëve, të cilët përllogaritet të kenë një pagë mesatare mujore 50 mijë lekë, pa llogaritur këtu ata që janë të papunë apo pensionistët, të ardhurat e të cilëve nuk mjaftojnë për të përballuar një kurim të tillë.

Një pjesë e qytetarëve duket se kanë gjetur zgjidhje duke u siguruar tek kompanitë private të sigurimeve në Shqipëri. Nga hulumtimi i tregut, rezulton se sigurimi Anti-Covid po blihet në masë nga qytetarët, sepse ofron përfitime të larta.

Me vetëm 10 mijë lekë që një individ paguan për siguracionin Anti-Covid, ai përfiton 2 mijë lekë në ditë pagesë ditore nëse kurohesh në shtëpi për 20 ditë; 3 mijë lekë pagesë ditore nëse kurohesh në spital dhe 20 mijë lekë shpenzime për medikamentet e rekomanduara nga mjeku.

Por jo vetëm kaq, ky sigurim ofron edhe sigurimin e jetës me vlerë 1 milion lekë.