Inter fiton 3-0 derbin me Milanin dhe nis shkëputjen në krye. Skenën e “San Siros” e rrëmben dyshja Lautaro-Lukaku, Zlatan Ibrahimovic i mbetet të provojë talentin në Sanremo.
Zikaltrit mposhtin thellë 3-0 rivalët e titullit dhe shkëputen 4 pikë nga rivalët ndërqytetas në krye të klasifikimit. Derbi i Madoninnas u vendos nga sulmi shpërthyer i Interit, Lautaro-Lukaku, që i shkaktoi humbjen e dytë radhazi “djallit”.
Vetë shifrat tregojnë dominimin e skuadrës së Antonio Contes, që e nisi vrullshëm takimin duke e zhbllokuar që në minutën e pestë me Lautaron, që e pati të lehtë të mposhtte me kokë Donnarumman.
Merita kryesore shkon për Lukakun, që i dha një asist perfekt argjentinasit, pasi shpërtheu bukur nga e djathta, duke nxjerrë jashtë loje në dyluftim Romagnolin.
Zikaltrit dominuan gjatë fraksionit të parë, të cilin e mbyllen me një rast të Skriniarit, që nuk pati saktësinë e duhur me kokë. Milan u shfaq i frikshëm në fillim të pjesës së dytë, me Donnarumman që u mohoi golin Tonalit dhe Ibrahimovic.
Por gjithçka u bë edhe më e vështirë për kuqezinjtë, kur Lautaro realizoi të dytin personal, i asistuar me mjeshtëri nga Brozovic, pas një aksioni model. Donnarumma reagoi bukur në të 63-tën ndaj goditjes së Lukakut, por nuk mundi të bënte asgjë pak çaste me vonë, kur sulmuesi belg, pas një depërtimi të fuqishëm e goditi topin në shtyllën e parë, duke nxjerrë jashtë loje portierin kuqezi.
Me rezultatin 3-0 ndeshje ishte praktikisht e mbyllur. Interi tërhoq në gjysmëfushën e tij, për të manaxhuar lojën, duke mos harxhuar shumë energji. Me katër pikë më shumë se “Djalli” dhe i përqendruar totalisht në Serie A, Inter “vrapon” me siguri drejt titullit kampion.