MENU
klinika

Një vit më pas

Analiza: Si e ndryshoi Suedinë koronavirusi?

21.02.2021 - 17:55

Hakan Frenden, 61 vjeç, jeton në Stokholm dhe punon si udhërrëfyes për turistët. Por këto nuk janë kohë normale, dhe turistët kanë qenë një “mall” shumë i rrallë në Suedi që kur shpërtheu një vit më parë pandemia e koronavirusit të ri.

“Sigurisht që pandemia ndikoi në jetën time profesionale, pasi bota u izolua dhe sezoni turistik kryesor u mbyll para se të fillonte mirë”-thotë ai. “Në vitin 2020, unë dhe gruaja patëm zero turistë, për pasojë humbëm të gjitha të ardhurat tona”- shton ai.

Por Franden dhe gruaja e tij nuk u dorëzuan. Ajo kreu një kurs, dhe tani po punon si një trajnere personale dhe instruktore e Jogës, ndërsa Hakan nisi një punë parti-time në Agjencinë Kombëtare të Punësimit që shpërndan ushqime për familjet në nevojë. Ai merr asistencë për ditët që nuk punon.

“Është e vërtetë se kur flasim për viktimat e pandemisë ky ka qenë një vit i tmerrshëm. Por unë personalisht pata një vit të mirë. Ne blemë biçikleta, dhe i bëmë ato mjetet tona kryesore të transportit. E ri-zbuluam qytetin tonë, në shumë raste me fëmijët, nipërit dhe mbesat tona, dhe kishim më shumë kohë për veten dhe familjen tonë”- shton ai.

Gjatë vitit që shkoi, pak vende në botë tërhoqën vëmendjen si Suedia. Fakti që ajo nuk vendosi bllokime, nuk imponoi asnjë karantinë, nuk i mbylli shkollat ??dhe nuk kërkoi mbajtjen e maskave, ??e bëri atë temë të mijëra raporteve dhe analizave në mediat botërore.

Disa e quajtën Suedinë si “grupi i kontrollit për botën”, të tjerët thanë se ajo po kryente “një eksperiment me njerëzit”. Covid-19 mbërriti në Suedi në janarin e vitit 2020, i transportuar nga një pasagjer nga qyteti kinez i Vuhanit. Megjithatë, ka dyshime se koronavirusi ishte shfaqur një muaj para diagnostikimit zyrtar, për shkak të mungesës së testimeve.

Transmetimi i virusit në shkallë të gjerë filloi në mars. Më 11 mars 2020, ditën kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli Covid-19 një pandemi globale, në Stokholm vdiq pacienti i parë me koronavirus. Sistemi shëndetësor suedez i rezistoi mbingarkesës së madhe dhe nuk pësoi kolaps falë përpjekjeve të mëdha të stafit mjekësor, por edhe masave të forta buxhetore dhe logjistike nga qeveria dhe autoritetet lokale.

Por në azilet e të moshuarve situata ishte krejtësisht ndryshe. Një komitet qeveritar, ka zbuluar se Suedia nuk arriti që t`a mbrojë këtë dot popullatën, duke përmendur neglizhencën dhe menaxhimin e dobët nga qeveria aktuale dhe paraardhësit e saj.

Por gjatë valës së parë të pandemisë, strategjia suedeze për ndalimin e infeksionit ishte unike. Autoritetet u kërkuan njerëzve që shfaqnin simptoma, dhe atyre në grupet e rrezikuara që të tregoheshin të përgjegjshëm dhe të qëndronin në shtëpi. Gjithashtu, të gjithëve iu kërkua të punonin nga shtëpia nëse kjo ishte e mundur, dhe të hiqnin dorë nga udhëtimet e panevojshme.

Në vend të sistemit të plotë të testimit, gjurmimit dhe karantinimit, të zbatuar në shumë vende, gjatë fazës së parë suedezët i bënë testet e koronavirusit vetëm në spitale dhe azile.

Anders Tegnell, krye-epidemiologu i vendit, tha në atë kohë se politika suedeze ishte e bazuar në një nivel të lartë të besimit të publikut tek autoritetet, dhe tek të menduarit afatgjatë.

Por pavarësisht nga kjo,suedezët morën një numër hapash kufizues për shkak të virusit. Ata kaluan në mësimin online në universitete dhe shkollat e mesme, kufizuan tubimet publike, ndaluan vizitat në spitale dhe azilet e të moshuarve, dhe vendosën kufizime në shërbimin e ushqimit në bare dhe restorante.

Gjatë verës, situata në Suedi u përmirësua, dhe spitalet u boshatisën. Por kjo ishte e përkohshme. Në nëntor 2020 nisi një valë e dytë edhe më vdekjeprurëse se para. Sërish kishte çdo ditë dhjetëra të vdekur, dhe spitalet u mbingarkuan. Ndaj autoritetet i shtrënguan kufizimet:Ata i kufizuan tubimet në vetëm 8 persona, ndaluan shitjen e alkoolit pas orës 8 të mbrëmjes, dhe mbyllën kinematë, muzetë dhe bibliotekat.

E megjithatë, strategjia e përgjithshme nuk ndryshoi. Udhëheqësit e vendit vazhduan të mbështeteshin tek besimi i publikut ndaj tyre, dhe shmangën një bllokimi të përgjithshëm. Ata lanë hapur shkollat, restorantet dhe qendrat tregtare. Gjithashtu, nuk kishte asnjë kërkesë për të mbajtur maskë në fytyrë.

Suedezëve iu rekomandua t`a mbanin një të tillë vetëm në transportin publik dhe në orët e pikut. Në mbarë botën, njerëzit kishin përshtypjen se ndërsa shumë vende po izoloheshin dhe po përjetonin një krizë të fortë ekonomike, në Suedi biznesi vijonte si zakonisht. Por realiteti ishte ndryshe.

“Në fillim mendova se do të punonim nga shtëpia për vetëm1 muaj, dhe më pas do të riktheheshim në zyrë. Por pas 10 muajsh, unë kam qenë në zyrë vetëm 1 ditë”- thotë Erik Numan, një drejtor arti 56-vjeçar nga Stokholmi. Numan thotë se ai nuk shkon më në palestër, nuk i viziton prindërit e tij, dhe takohet shumë rrallë me miqtë.

Edhe pse ai vetë nuk i frikësohet shumë virusit, ndihet solidar me të tjerët që ka të ngjarë të infektohen, dhe është i shqetësuar për sistemin e mbingarkuar spitalor. “Askush nuk më kontrollon, dhe policia nuk do të më arrestojë nëse unë nuk i respektoj rekomandimet. Por kur ka një krizë,unë mendoj se shumica e suedezëve bëjnë atë që është e nevojshme”-thotë ai

Vajza 16-vjeçare e Numan u infektua nga Covid-19, ajo shfaqi simptoma të lehta dhe ishte në karantinë për 2 javë. “Kur ajo takon tani të dashurin e saj, ata përqafohen si zakonisht, ndërsa ne të rriturit e kemi të ndaluar dhe t’i japim dorën njëri-tjetrit”- shprehet Numan.

Suedia ka disa disavantazhe në lidhje me pandeminë aktuale. 20 për qind e popullsisë është mbi 65-vjeç, moti është i ftohtë, kufijtë e saj janë të hapura ndaj vendeve të tjera, popullsia e saj është shumë e ndryshme nga pikëpamja etnike, dhe nuk është mësuar me situata emergjente.

Por gjithashtu ajo kishte përparësi:një sistem shëndetësor cilësor, shërbime qeveritare të qëndrueshme dhe të mirë-financuara, dhe shumë familje me një person të vetëm. Duke marrë parasysh strategjinë e fillimit 1 vit më parë, është e vështirë të vlerësosh efektin e vërtetë të politikës suedeze në raport me nivelet e rasteve dhe vdekshmërisë.

Krahasuar me fqinjët e saj nordikë – Finlanda, Danimarka dhe Norvegjia – vdekshmëria në Suedisë ka qenë shumë e lartë. Vendi me 10 milion njerëz ka pësuar rreth 12.000 vdekje, pra 1.444 të vdekur për 1 milionë banorë. Në Danimarkë, Finlandë dhe Norvegji, numri i viktimave është përkatësisht 363, 121 dhe 104.

Por krahasuar me shumë vende të tjera evropiane, përfshirë edhe ato që vendosën bllokime, mbyllën shkolla dhe mbyllën ekonominë, shkalla e vdekshmërisë është modeste. Për shembull, në Britani, Spanjë dhe Itali, numri i të vdekurve nga Covid-19 për 1 milion banorë është respektivisht 1.591, 1.254 dhe 1.473.

Disa ekspertë besojnë se shmangia e bllokimeve, i ka sjellë Suedisë rezultate më të mira në parametrat që nuk janë matur ende, si norma e depresionit, shtimi i tepërt në peshë, varësia, dhuna dhe sëmundjet e ndryshme, nga diabeti tek sulmet në zemër dhe goditjet në tru. Ministrja suedeze e Shëndetësisë, Lena Hallengren, deklaroi për “Haaretz” shtatorin e vitit të kaluar se ishte shumë herët për të gjykuar politikën suedeze, pasi kjo ishte një maratonë, dhe jo një vrapim i shpejtë.

Por ka gjithsesi prova të shumta të dështimeve në menaxhimin e pandemisë nga Suedia. Media suedeze ka raportuar për raste ku banorët e azileve të të moshuarve nuk kanë parë asnjë mjek, dhe që nuk janë çuar në spitale pavarësisht nga gjendja e tyre e rëndë. Gjithashtu, personeli në azile nuk ishte i pa pajisur dhe aspak i trajnuar për t’u përballur me një pandemi.

Edhe Agjencia e Shëndetit Publik e Suedisë është kritikuar ashpër. Kritikët thonë se gjatë ditëve të para të pandemisë, agjencia ishte e vetëkënaqur dhe nuk e vlerësoi me saktësi rrezikun. Edhe në lidhje me vaksinat, Suedia është e vonuar, edhe pse kjo dukuri po vërehet në gjithë Evropën.

Deri tani, Suedia ka vaksinuar 256.978 persona me dozën e parë dhe 28.279 me të dytën. Pra përkatësisht 3.13 dhe 0.34 qind e popullsisë mbi 18 vjeç. Megjithëse në përgjithësi politikanët suedezë e mbështetën qeverinë gjatë vitit të kaluar, zëra të tjerë janë dëgjuar gjatë javëve të fundit.

“Ne tani duhet të reagojmë ndryshe. Nëse qeverisë i mungon guximi për të udhëhequr, ajo duhet të japë dorëheqjen”- tha për të përditshmen suedeze“Aftonbladet”, Eba Bush, udhëheqëse e Partisë Demokristiane në opozitë. Gjithsesi, Partia Social Demokrate në pushtet po kryeson në sondazhe me 28.5 për qind në janar, një rritje me 2 pikë që nga nëntori/ Bota.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin