Për të kuptuar gjeninë e Viktor Hygosë, duhet t’ia nisim nga fundi, nga vdekja më 22 maj 1885, në varrimin e të cilit morën pjesë më shumë se dy milionë njerëz, një nga funeralet më të mëdha parë ndonjëherë në Paris, madje më shumë se tërësia e qytetit asokohe./Konica.al
Viktor Hygo lindi në Besançon më 26 shkurt 1802. Intelektual, shkrimtar, poet dhe dramaturg, ai konsiderohet ati themelues i romantizmit francez, njëherazi figurë e angazhuar politikisht. Është ndërthurja midis poetikës dhe politikës, që do ta shndërrojë atë në figurën emblematike të shekullit të 19-të. Rezistenca ndaj Napolonit III, internimi, rikthimi në Paris do të shënojë si veprën, aq edhe legjendën e gjeniut të letrave.
Të përshkruash jetën e një njeriu si Viktor Hygo nuk është aspak e lehtë, pasi ajo ndërthuret absolutisht si me krijimtarinë e larmishme, ashtu dhe me ngjarjet historike të kohës kur jetoi. Viktor Hygo – përbindëshi i shenjtëruar: përbindësh, për shkak të volumit të punës që kreu në rrugëtimin e jetës. Romane monumentale, drama dhe poezi me ambicie totale, pozicione politike që ndërmori… Hygo ishte i uritur për gjithçka dhe gllabëroi gjithçka. I shenjtëruar, sepse mbetet shkrimtari i madh francez i patëdytë, i njohur dhe admiruar nga të gjitha shtresat e popullsisë. Reputacioni i kapërceu menjëherë kufijtë, ndërsa vështrimi i urtë dhe rebel, mishërojnë përzierjen e madhështisë dhe drejtësisë. Gjeniu i letrave duket se është lëkundur gjithë jetën midis tokësores dhe sublimes, ai u përpoq të ngrihej mbi statusin e njeriut të thjeshtë, duke qëndruar thellësisht njerëzor.
Viktor Hygo luajti një rol tejet të rëndësishëm për kohën, si njeri i letrave dhe politikan. Në nivelin letrar, qe babai i romantizmit dhe në prishjen e rregullave të teatrit klasik. Politikisht, ai është njeri mendjehapur: mbron idealet e drejtësisë dhe lirisë. Luftoi për paqe, kundër dënimit me vdekje dhe për gratë. Një mendje e fuqishme e madhështisë epike. Mbrojtësi i të shtypurit dhe nismëtari i ideve liberale, poezitë e tij i këndojnë mirësisë dhe njerëzimit, por edhe përgjegjësisë individuale. Hygo u shndërrua në zëdhënësin e romantikëve, përçues i ideve dhe metaforave, i pajisur me një imagjinatë pjellore dhe figura të fuqishme përshkruese, ai pasqyron kohën dhe e lidh poetin me profetin e masave.
Gjeniu i letrave është një takim i vazhdueshëm dhe një dialog i pafund. Për akademikun, është shoku i pazëvendësueshëm i ftuar në ishullin e shkretë. Për ambasadorin e leximit, një pyll që hap gjithë shtigjet e imagjinatës, duke na çuar si në pallate luksoze dhe baraka modeste. Për shkrimtarin udhëtues, Hygo është forca e oqeaneve, e mërgimit, e angazhimit të drejtpërdrejtë. Një gjigant që mbart pasione njerëzore, jehona universale e të cilit bën jehonë te secili prej nesh. Të rrallë janë shkrimtarët, me përjashtim të Homerit, Shekspirit, Servantesit apo Balzakut, vepra e të cilëve përqafon një “tërësi” të tillë, sepse Hygoi është pasioni i të jetuarit. Ai eksploron të gjitha moshat, nga fëmija tek i moshuari, natyrisht duke i trajtuar njëlloj si burrat dhe gratë. Na ballafaqon me pikat e forta dhe bukuritë e një natyre që është përtej nesh, na zhyt në thellësitë e legjendës, në zemër të të gjitha ëndrrave njerëzore. Krijimtaria e tij na çon në një eksplorim të mrekullueshëm të jetës, ku gjithçka është e lidhur dhe e ndërthurur. Rëndësia qëndron në saktësinë, e ushqyer përherë nga nuancat. Tek ai, njeriu dhe shkrimtari janë një. Nuk e braktisi jetën për punën. Mishëron njëherazi vetjaken dhe epopenë – është dëshpërimi i babait që vajton vdekjen e së bijës dhe legjenda e shekujve. Me vështrimin kritik dhe humanist, Hygo krijon kombinimin e mrekullisë dhe vigjilencës, magjepsjes dhe denoncimit./Konica.al
Kryevepra “Të mjerët” dhe aktualiteti i saj i fortë
Kryevepra “Të mjerët” i dha zë vegjëlisë, histori që mund t’i hasim edhe sot në shoqërinë tonë. Romani historik, botuar në 1862, qe një sukses i vërtetë, drafti i parë daton në vitin 1843, por përfundoi vetëm gjatë viteve të mërgimit. Romani gjurmon historinë e Francës në Parisin pas restaurimit, që mbulon periudhën nga 1815 deri në 1833. “Të mjerët” rrëfen ngjarjet dramatike të viktimave të shoqërisë, të cilët shpesh njiheshin si kriminelë. Historia është e qartë dhe komplekse, ka personazhe të ndryshëm, thuajse të gjithë kanë një jetë që duan t’ia mbathin. Protagonistët e gjejnë veten në situata tragjike dhe fatkeqe për shkak të shkaqeve të jashtme, që i bëjnë të veprojnë në mënyrë të gabuar në sytë e njerëzve të tjerë. Kjo është arsyeja pse quhen të mjerë, sepse jetojnë në mjerim. “Të mjerët” kapi betejat, heroizmat dhe njerëzimin e atyre që ishin dënuar në të padobishmen. Aktualiteti i romanit jeton në dëshpërimin e migrantëve, qofshin ata në Mesdhe, në Meksikë apo në Mianmar. E shohim në vazhdën e varfërisë së shkaktuar nga koronavirusi, i atyre, që, si Fantina, kanë humbur punën. Gjithsecili duhet ta lexojë “Të mjerët”, ose, të paktën, të përpiqemi, të bëhemi pak më shumë më njerëzorë. Ne jemi “Të mjerët”, “Punëtorët e detit”, “Njeriu që qesh”, me plagën e përhershme që e quajmë buzëqeshje në fytyrën tonë. Po ashtu, jemi “Katedralja e Parisit”: ndërtesa në rrezik, të kërcënuara nga zjarret, ku monstrat çmenden për zonjat bukuroshe. Në një shekull të 19-të dhune, mizorie dhe përbuzjeje, Hygo nxjerr mësimin humanist, duke na treguar se njerëzimi qëndron te çdo qenie njerëzore, se në çdo kopsht është e gdhendur e gjithë kozmogonia. Ai gjurmon rrugën nga Perandoria në Republikë, mbron lirinë me respekt për jetën, merr në pyetje demokracinë. Duke dhënë më shumë sesa një mesazh, Hygo bën thirrje për vetëndërgjegjësim. Betejat e tij janë aktuale, asnjë nuk është fituar. Pra, ai mishëron gjeninë e vëllazërisë.
Viktor Hygo do të kthehet në Francë vetëm me shpalljen e Republikës, me një rikthim triumfal, tashmë gëzonte famë ndërkombëtare. Më 22 maj 1885, Viktor Hygo pati një funeral sa madhështor, aq edhe prekës. Trupi u ekspozua nën Harkun e Triumfit dhe u vëzhgua nga dymbëdhjetë poetë. Sot, prehet në Panteon së bashku me Aleksandër Dymanë dhe Emil Zolanë. Krahas bashkëkohësit Luis Pastër, poeti simbolizon triumfin e Republikës dhe lavdinë më të madhe të kulturës franceze.
Nëse Bahu na bën të besojmë në Zot, Hygoi na bën të besojmë te të gjallët. Më shumë sesa një trashëgimi, një ftesë që na dërgon krijimtaria e tij./Konica.al
*Fotografitë i përkasin ditës së ceremonisë për përcjelljen e shkrimtarit të madh, Paris 1885