Ngjyra kuqezi vijon të afrojë shqiptarët pranë ekipeve kombëtare. Nëse bëhet fjalë për Kombëtaren, gjithmonë duhet vendosur me zemër dhe asnjëherë me lapsin në dorë. Llogaritë bëhen gjithmonë në ekipet që përfaqësohen, për të mbërritur sa më lartë në karrierë.
Ndërsa sa i përket Kombëtares, gjithmonë duhen mbrojtur ngjyrat e vendit që përfaqëson. Një shembull të qartë e ka dhënë edhe futbollistja 18-vjeçare, Luana Zajmi. Kjo e fundit ka luajtur me grupmoshat e Sllovenisë, duke përfaqësuar edhe U-19 e kësaj Kombëtare.
Pra besimi do t’i jepet në vendin që luan aktualisht, por Zajmi mori vendimin për të përfaqësuar Shqipërinë. Së fundmi 18-vjeçarja është paraqitur në grumbullimin e bërë nga Kombëtarja sa i përket thirrjes së bërë nga Amir Grima.
Trajneri i Kombëtares kuqezi është shprehur shumë i kënaqur nga futbollistja në fjalë: “Në këtë grumbullim munda të evidentoj disa elementë mjaft cilësorë, si për shembull Luana Zajmi, e cila erdhi nga Sllovenia dhe mendoj se ka shumë potencial për të ardhmen”.