MENU
klinika

Nga Col Mehmeti

Lista? Fake news, Greqia s’do i publikonte kurrë emrat

23.10.2018 - 20:10

Këto listat me emna e mbiemna të njerzve që demek paskan marrë dhrami në këmbim të shërbimeve të ndryshme për shtetin grek, janë nji dëshmi qysh vnohet në lajthim nji opinion i tanë nga nji fake news i vetëm.

Dritëpasti Umberto Eco ka pas të drejtë kur thojke që mediat e shërbimet sekrete sot i kanë alternue rolet: nëse në vitet ’70 nji gazetë ose shumë sosh banin çmos, burim mas burimi e degë mas dege, me e sigurue nji raport të nji agjencie inteligjente, sot âsht e kundërta.

Asht bota e inteligjencës ajo që rreket me sigurue informacion nga mediat.

Sipas Eco-s, publikimet e Wikileaks-it dëshmojnë që shumica e raporteve, që iu ndajshtohej togfjalëshi “top sekret”, nuk ishin gja tjetër veçse prej-ngjit (copy-paste) titujsh të gazetave, screen shot-a lajmesh nga portalet e përmbledhje vegëzash për nji përmbajtje të caktuem.

Fondet-sekrete-konica.al
Fondet-sekrete-konica.al

Nejse…impresioni i opinionit kur vihet përballë listash të tilla natyrisht se nuk mundet me qenë tjetër pos hakërrim e mosbesim ndaj secilit.

Prapë te Eco…te novela e tij “Numri Zero” drejtuesit e nji gazete fantome (që nuk do të dalë asnjiherë në dritë) ndërdymen qysh me ja shkatërrue reputacionin nji gjykatësi të ndershëm, që në nji të ardhme jo të largët mundet me qenë kërcënues për manjatin që e mbështet gazetën fantome.

Kryeredaktori e çon nji paparazz-i që me e përcjell këtë gjykatësin. Masi lodhet kot pa i gjetë asnji behane, paparazzi i gazetës e shkrep edhe nji foto ku gjykatësi pi limonadë me nji lokal gjatë pushimit.

Aty bijnë n’sy çorapet ngjyrë smeraldi të gjykatësit. Për kryeredaktorin kjo âsht festë. “Bash kjo na duhet – thotë tu i fërkue duert – lexuesit tonë i interesojnë çorapet ngjyrë smeraldi të gjykatësit”. ?

Përndryshe, edhe shelgu me ba rrush, se Greqia kurrën e kurrës nuk do ta dritësonte listën e bashkëpunëtorëve të vërtetë n’Shqipni.

Fondet-sekrete-konica.al
Fondet-sekrete-konica.al

A nuk do të këputeshin sa e sa koka në inteligjencën greke nëse nji portal i dhjerë shqiptar do të zbulonte ‘lista’ të tilla?

Por, hesapet kanë ndrrue kryekreje për kaq pak kohë. Greqia e sotme nuk âsht as hija e Greqisë së Papandreut, Samarasit e Micotaqisit kundruall Shqipnis’, ashtu qysh faktori shqiptar sot peshon shumë ma shumë sesa në harkun kohor 1990-2010.

E di që evzonët e forcat speciale kanë me vazhdue me kore antishqiptare, e di që gjithnji ka me dalë ndonji derdimen me harta të Vorio Epirit, por lavjerrësi gjeopolitik po çon drejt rrethanave të paimagjinueshme.

Turkia erdoganiste e ka krijue nji transversale tejballkanike me Serbinë, si aleaten e saj kryesore, ndërkohë që Bullgarinë e Rumaninë i ka neutralizue prej kohësh.

Nën konditat kur Greqia i duron mijëra provokime në Egje, âsht e pritshme që politika e saj e jashtme me kqyr me e ba nji pacifikim largvajtës me Shqipnin’.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN