MENU
klinika

Sot i voton Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i PD

Basha mbyll listën me kandidatët

08.03.2021 - 09:59

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përmbyllur në fundjavë procesin e nisur që në verë, atë të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

Java që lamë pas ishte më intensivja për kryedemokratin, duke pritur me radhë në zyrë drejtuesit politikë, por edhe drejtuesit e degëve për secilin qark, për të diskutuar mbi emrat përfundimtarë që do të jenë në listën shumemërore që do t’i dorëzohet KQZ-së për t’u regjistruar. Ashtu siç premtoi rreth tri vite më parë dhe e normoi në statutin e PD-së, lista finale që do regjistrohet në institucionin e zgjedhjeve do të marrë edhe bekimin e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.

“Kryesia e PDSH-së vendos për: kandidatët për deputetë, pas konsultimit me anëtarësinë e plotë të PDSH sipas parimit ‘një anëtar, një votë’. Lista e kandidatëve për deputetë i paraqitet për miratim Këshillit Kombëtar”, thuhet në nenin 53 të statutit të Partisë Demokratike.

Sipas burimeve, kryetari i PD-së do të thërrasë sot rreth pasdites Kryesinë për të diskutuar dhe miratuar listën me kandidatët. Mbledhja me 28 anëtarët e kryesisë së PD-së, ku përfshihen nënkryetarët dhe sekretarët, do të zhvillohet në prani fizike, ndërsa fill pas tyre, kreu i PD-së do të mbledhë online 343 anëtarët e Këshillit Kombëtar për të miratuar apo rrëzuar listën me kandidatët që do t’i propozojë Kryesia e PD-së për zgjedhjet e 25 prillit.

“Këshilli Kombëtar, me propozim të Kryesisë së PDSH-së ose kryetarit të Partisë, ushtron edhe këto përgjegjësi apo të drejta: miraton listën e kandidaturave elektorale sipas vendimit të Kryesisë së PDSH-së”, shkruhet në paragrafin 5, pika B, të nenit 50 të statutit të PD-së.

LISTA

Përpos emrave që vijnë nga strukturat e PD-së apo nga prurjet e reja të Kryesisë, në listën e PD-së do të jenë edhe aleatët e Partisë Demokratike. Basha firmosi pak ditë më parë marrëveshjen e koalicionit me Partinë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës, PR-në e Fatmir Mediut, PDK-në e Nard Ndokës, LZHK-së dhe 8 parti të tjera. Ata do të jenë pjesë e skuadrës elektorale të PDsë për të maksimalizuar votat. Ndërkohë, sipas një marrëveshje të 2019-ës, 5 aleatët e PD-së që dogjën mandatet do të jenë brenda vijës jeshile të zonës fituese. Ndërkohë, pas ndryshimeve të njëanshme në Kodin Zgjedhor, LSI-ja do të jetë aleate me PD-në, pasi kanë firmosur edhe një marrëveshje politike, por do të kandidojë me listë më vete.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nesër afati i fundit për të dorëzuar listat me kandidatë

Paralajmërimi i Yuri Kim: SHBA ka qenë e qartë! Votuesit më thonë…