MENU
klinika

Nga Frrok Çupi

Dy shpejtësitë tragjike të PD

09.03.2021 - 15:28

Mbrëmë në mesnatë, Partia Demokratike mbërriti në pikën e ‘vlimit’; ishte momenti më i fundit kur brenda në trupin e ethshëm u përplasën shpejtësia e ulët dhe nxitimi, ballë përballë. Nxitimi për të plotësuar sa më shpejt listat për deputetët e ardhshëm- dhe ndërkohë- vonesa në dërgimin e emrave në KQZ. Si në një akt mortor, kur brenda familjes disa rendin për të kapur orën e shpallur; ndërsa të tjerë tentojnë ta mbajnë ‘edhe pak, edhe pak’ njeriun që nuk do të jetë më.

Partia Demokratike i dërgoi listat e kandidatëve 7 minuta pas orës 12.00 të natës. Në një akt kaq të fundit, brenda shtatë minutave, u shfaq gjithë tragjedia e dy shpejtësive brenda në Partinë Demokratike.

Cila ishte shpejtësia e lartë?

Kryetari legal i PD, Basha, prej kohësh ka hapur një derë të pasme në seli nga ku hyn e del për t’u fshehur jo vetëm nga gazetarët. Mbrëmë e përdori ‘tunelin’ ndërkohë që udhëheqësi i tij, Berisha, kishte humbur vigjilencën duke u ngulur në një ekran televizioni në tentativë për fshehur të vërtetën mbi listat. Në këtë copë kohe ndodhi shumëçka: U hoqën disa emra të lidhur ngushtë me Berishën dhe aktet e tij; u sajuan disa të rinj, njërin prej tyre as e kishin njoftuar se po e vinin në listë; u paketuan kandidatët dhe u dërguan në KQZ. Kush nxitonte kundër kujt. Në nxitim e sipër disa u lanë pa emër babai, ose pa ditëlindje, ose pa gjini…. Atëherë kthimi pas për në seli!- Ja kjo ishte vonesa ose ulja e shpejtësisë. Mëngjesi u hap i mugët për PD. Kush mund t’i besojë kësaj qenieje që edhe ditën e fundit nuk di ku ka emrin, ku ka byzylykët, ku ka rimelin dhe me cilin do të martohet. PD kishte tetë vjet në opozitë, 3 vjet malit jashtë Parlamentit, 30 vjet në luftë me të vetët.., dhe më në fund prapë me vonesë.

Dy shpejtësitë kanë qenë tragjike për vetë PD-në dhe për fatet e vendit gjatë tre dekadave.

Shpejtësia e fillimit për të fshirë veprën ‘socialiste’.

Kjo nisi menjëherë sa nisi kompozimi i Partisë Demokratike, në vitin 1991. Objektivi i parë i saj ishte eliminimi i veprave industriale, i fermave, i vreshtave, i ndërmarrjeve, i fabrikave…, gjithçka duhej fshirë. Nisi mbi gjithçka ishte ndërtuar gjatë pesë dekadave në vend, mbi 5000 vepra; ose u dogjën, ose u. Aktet e dhunës u mbështollën me një zarf ideologjik: ‘Të mos lihet më këmbë asgjë nga Partia e Punës’. Udhëtimi i llahtarshëm i rrënimit të ekonomisë vazhdoi me të njëjtën shpejtësi edhe në fushën e ligjeve: U ngrit Universiteti Juridik i Plepave me 6 muaj, u përpilua ligji 7501 që fundosi pronën e shqiptarëve edhe për dhjetë shekuj të tjerë.

Ja kështu nisi: Shpejt dhe ngadalë.

Shpejtësia e ‘kapitalizmit shqiptar’.

Edhe kjo ‘makinë’ i ndezi motorët në mars, por në marsin e vitit 1993. Një grua me emrin ‘Sude’ ngriti kompaninë e parë të mashtrimit financiar me moton ‘më jep dy lekë, të të kthej gjashtë’. Presidenti i Republikës inauguroi aktin ‘kapitalist’ në një mbrëmje Gala me ambasadorë e personalitete në hotel Dajti, duke e shpallur këtë si ‘kapitalizmi shqiptar’. Pas kësaj rendën disa të tjerë dhe ndërtuan skemën piramidale mashtruese ‘Ponzi’. Gjithçka u krye më një shpejtësi marramendëse: Shteti vetë lau paratë e grumbulluara në kontrabandë, individët shitën shtëpitë dhe i sollën në ferr, birra e gosti pa fund… Derisa vendi ra në gropën më të thellë, 1997. Aty PD kreu aktin e luftës së armatosur kundër popullit dhe aktin monstruoz të armatosjes së gjysmës së popullsisë kundër gjysmës tjetër.  Këtu ndali ora e njeriut.

Shpejtësia për mbledhur gjithë qilimin e pushtetit.

Objekti ‘qilim’ më erdhi në kujtesë nga akti i ish presidentit Berisha që kur doli nga Presidenca mori me vete edhe qilimin e zyrës. Por Partia Demokratike është e vetmja gjë që nuk bëhet më-siç thonë disa dashamirës naiv ‘ta ribëjmë PD-në’ siç mund të ri thuret një qilim. Vetë PD nxiton kur ka si qëllim të bëjë ndonjë të keqe për vendin; dhe ndalon shpejtësinë në kohën kur vendit i duhet shpejtësi. U shpejtua për në Konferencën Islamike në vitin 1992, por i vuri shulin derës së OSBE dhe Amerikës. U nxitua për të dalë sa më shpejt nga Parlamenti në vitin 2019, por vuri gjithë pengesat kundër Reformës në Drejtësi dhe Amerikës. Dhjetë vjet më parë, në vitin 2009, PD u nxitua që të merrte zvarrë popullin e vet drejt qendrave të votimit në favor të 17 kullave që po ngriheshin nga dhëndëri i ish- kryeministrit në kompleksin Partizani me 150 milionë euro përfitim…Po të mos fitonte PD, kullat nuk bëheshin…. Pasi u mor malli, aty u ndal shpejtësia: U shkarkuan gjeneralët, u shty presidenti i vjetër, u kap presidenti i ri, u firmosën letrat, u krye krimi…, ja kjo ishte shpejtësia. Në gjithë jetën PD ka punuar për mirëqenien e liderit…

Herën e fundit, dmth., mbrëmë në mesnatë, ishin të gjithë të paqartë mbi shpejtësitë, secili për vete.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin