Numri total i bizneseve që kalojnë në status pasiv ka ardhur në rritje vit pas viti. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2018, 7,058 biznese iu shtuan listës së kompanive me status pasiv, me një rritje prej gati 50% krahasuar me një vit më parë, kur numri i tyre që 4,732.
Në fillim të vitit, referuar përditësimit të të dhënave të regjistrit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, numri total i bizneseve pasive arriti në rreth 112 mijë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjatë dy viteve të fundit po aplikon procedurën për përditësimin e listës së këtyre subjekteve, kjo në sajë të funksionimit edhe të sistemit të ri informatik të tatimeve. Ky sistem tashmë po nxjerr automatikisht edhe strukturën e bizneseve që janë “borxhli” ndaj tatimeve, si dhe bizneset e tjera që janë në proces falimenti.
Duke krahasuar qarqet e vendit në raport me numrin e ndërmarrjeve aktive, rezulton se, qarku me performancën më të mirë në këtë drejtim është Korça, ku ka 1 ndërmarrje pasive për 31 ndërmarrje aktive, çka do të thotë se, ndërmarrjet pasive zënë vetëm 3% të totalit të bizneseve të regjistruara në këtë qark.
Në anën tjetër të medaljes kemi Durrësin, ku ka një biznes në status pasiv për 5 subjekte aktive. Në përqindje, kjo do të thotë se, bizneset pasive zënë 16% të totalit të bizneseve në këtë qark. Në Tiranë ndërkohë, numërohet 1 biznes pasiv për çdo 6 biznese aktive. Në përqindje kjo përkthehet në 13.7% të totalit të bizneseve. Renditja e qarqeve në këtë drejtim, nga performanca më e keqe në performancën më të mirë është kështu: Durrësi, Gjirokastra, Tirana, Fieri, Berati, Vlora, Lezha, Shkodra, Elbasani, Dibra, Kukësi dhe Korça.
Prezenca e numrit të madh të subjekteve pasive në raport me totalin e ndërmarrjeve, ka disa arsye. Por kryesorja, çka shpjegon edhe përqindjen e lartë në qytete si Tirana apo Durrësi, duket se është mekanizmi ligjor i transferimit të ndërmarrjes, pra mbylljes së subjektit primar, për të hapur një të dytë, që ushtron ekzaktësisht të njëjtin aktivitet.