MENU
klinika

Zgjerohet lista e shteteve që e kanë pezulluar përdorimin

Polemika për vaksinimin e mësuesve me “AstraZeneca”

15.03.2021 - 08:24

Teksa zgjerohet lista e shteteve që i mbyllin derën përkohësisht “AstraZeneca”- s, vendi ynë, me të marrë dozat e para, pa më të voglin hezitim, vendos t’i aplikojë te targetgrupi i synuar, arsimtarët.

Sinjalet e alertit të ndezur javën e shkuar në jo pak shtete, ku afro 30 qytetarë pësuan mpiksje gjaku pas injektimit të vaksinës, nuk ndikuan në procesin për të përmbushur planin në një hark të shkurtër kohor. Për fat të keq, këto lajme ndodhën pikërisht në ditët kur Shqipëria priste me padurim dozat e radhës për të shtrirë fushatën e vaksinimit në çdo shkollë.

Mbi këtë çështje, derimë tani ka folur Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila përjashton lidhjen midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut. “Të gjitha incidentet janë duke u investiguar me shumë kujdes dhe deri më tani nuk ka asnjë indicie që ato janë të lidhura me procesin e vaksinimit. S’ka arsye të pezullohet vaksinimi”, deklaroi i sapoemëruari i zyrës së OBSH në Shqipëri, Gerlad Rockenschaub.

Ndërkohë që organizma shëndetësorë në Europë përpiqen të bindin se vaksina është e sigurt, duke mos gjetur prova që ndërlikimet shëndetësore të ishin shkaktuar nga lëngu i çmuar, EMA (Agjencia e Barnave në Europë) nuk e ka thënë ende fjalën e saj. Në këto kushte, shumë shtete kanë vendosur t’i ruajnë në frigorifer vaksinat që kishin gjendje. Dje, Irlanda iu bashkua listës së vendeve që i mbyllën derën për ca kohë “AstraZenecas”-s, pasi administroi rreth 110 mijë doza vaksine.

Përveç saj, edhe Danimarka, Norvegjia, Islanda, Bullgaria, Tajlanda dhe disa rajone në Spanjë kanë pezulluar përdorimin pas rasteve të mpiksjes së gjakut te disa persona që kishin marrë vaksinën. Italia dhe Austria kanë pezulluar vetëm disa furnizime të caktuara si masë parandaluese.

ARGUMENTET E QEVERISË

Sigurinë për partinë e dozave të ardhura në vendin tonë, kreu i qeverisë e lidh me vendin prej nga e ka marrë. Duke insistuar që bëhet fjalë më shumë për një luftë tregtare dhe nuk ka vend për shqetësim real, kreu i qeverisë, Edi Rama, deklaroi se Suedia nuk do të sillte vaksina të pasigurta.

“Është e pamundur teorikisht se nëse do kishte të vërtetë shqetësuese të lejonte bota, lëvrimin e sasive. Sasia që morëm dje erdhi nga Suedia. Dhe nuk do të lejonte të vinin nëse do kishte diçka.

Drejtori i Institutit Publik në Shëndetësor në Itali tha se ka një seri të veçantë që është pezulluar për të bërë verifikimin. Në Britani po vaksinohen me këtë vaksinë dhe nuk ka shanse të jetë një injeksion që të shkaktojë situata dramatike për shëndetin. Lidhen me të kuptuarit. Nuk ka asnjë problem dhe është një vaksinë që qarkullon. Suedia nuk do ta lejonte të vinte nëse do kishte probleme. Ka shumë luftë tregtare, mos e harroni. S’ka asnjë shqetësim. ‘AstraZeneca’, ndryshe nga ‘Pfizer’, ka afat për dozën e dytë më të madhe. Dhe do të realizojmë atë që kemi synuar”, u shpreh Rama të shtunën, ditën kur nisi vaksinimi i mësuesve, i cili do të shtrihet nga sot në të gjitha shkollat e vendit.

Me të njëjtën siguri shprehet edhe shefja e sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino. “Është një vaksinë tepër e sigurt. Edhe gjatë provave klinike nuk është vënë re asnjë gjë. Shiringat janë vetëshkatërruese. Kështu që nuk ka as hollim, asgjë. Ky është një vaksinim masiv, i bukur”. Ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, komunikoi vendimin e komitetit të ekspertëve për të vijuar vaksinimin masiv për çdo moshë, pa bërë diferencime, pavarësisht se për “AstraZeneca” ka rezerva edhe për moshën e personave, në të cilët injektohet.