Këtë vit në “Eurovision” konkurrojnë 2 shqiptarë, Anxhela Peristeri dhe Gjon’s Tears.
Ky i fundit në fakt përfaqëson Zvicrën, duke qenë se aty është rritur dhe konkurron me këngën “Tout l’Univers”.
Deri më tani në pjesën më të madhe të sondazheve, Gjon renditet i pari dhe është pretendent kryesor për fitoren e madhe në “Eurovision”.
Mirëpo ç’mendon vetë artisti me origjinë shqiptare për këtë gjë?
Në një intervistë të dhënë ditën e sotme në emisionin “ABC e Pasdites”, ai ka treguar se do të ishte shumë i lumtur edhe nëse do të renditej në “Top 5”. Gjithashtu ai tha se tashmë ka më shumë presion, duke qenë se të gjithë njerëzit presin shumë prej tij dhe e pyesin gjatë gjithë kohës për performancën në “Eurovision”.
“Kjo është diçka problematike. Mua më bëhet qejfi, por edhe kam më shumë presion tani, sepse njerëzit më pyesin shumë edhe për skenën, çfarë do të bëhet si do dali. Publiku e ka pëlqyer shumë këngën dhe kërkojnë rezultat sa më të mirë. Nëse unë do jem tek 5 të parët do jetë gjëja më e bukur”, tha Gjoni.
Ndërsa sa i përket Anxhela Peristerit ai tha:
“Anxhela është yll. Sa më shumë e dëgjoj aq më shumë më pëlqen. Për mua ka mundësi të fitoj, pse jo”.
Kujtojmë se “Eurovision” do të mbahet në datat 18, 20 dhe 22 maj në Roterdam.