Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit mori mjaft vota në zgjedhjet lokale në Nikshiq, por megjithatë nuk do të jetë në gjendje të formojë pushtetin.
Zgjedhjet lokale që u mbajtën në qytetin e Nikshiqit, të dytin për nga numri i popullsisë në Mal të Zi vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e opinionit të gjerë. Ekipi Evropian për Nikshiqin, koalicion i udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialitëve e Presidentit Gjukanoviq edhe pse fitoi 40.4 % të votive apo 18 mandate, nga 41 sa numëron parlamenti lokal, do të duhet sipas të gjitha gjasave të kalojë në opozitë, sepse i mungon një partner për koalicion. Kjo për shkak se dy listat e tjera zgjedhore të mbështetura nga partitë që janë pjesë e qeverisë aktuale në nivel republikan, kanë kaluar pragun e shumicës prej 50% dhe kanë paralajmëruar fillimin e bisedimeve për formimin e pushtetit.
Andrija Mandic njëri nga liderët e Frontit Demokratik paralajmëroi së shpejti fillimin e bisedimeve për formimin e pushtetit lokal. “Bartësi i listës “Për të ardhmen e Nikshiqit” Marko Kovaçeviq u ka bërë thirrje të gjithë partnerëve të koalicionit në nivel republikan që edhe në Nikshiq të formojnë pushtetin. Sipas tij, “Nikshiqin pas 76 viteve do ta udhëheqë një serb”.
Zgjedhjet në qytetin e Nikshiqit u cilësuan njësoj të rëndësishme dhe thelbësore për mbijetesën në skenën politike si për partitë që qeverisin në Mal të Zi, ashtu edhe për opozitën. Presidenti Millo Gjukanoviq duke komentuar zgjedhjet tha se ato nuk përfaqësuan fundin e tij politik sikurse prisnin kundërshtaret e tij, por ato treguan se Partia Demokratike e Socialistëve ende është forca më e fuqishme politike në Mal të Zi.
Nevojitet më shumë punë për reformimin e partisë
Për analistin politik, Zlatko Vujovic këto zgjedhje kanë dhënë disa përgjigje, por edhe kanë hapur disa të pyetje të reja. Duke folur për DW ai tha se Fronti Demokratik që ështe pjese përbërëse e qeverisë ka shënuar rënie prej 11% më pak vota se në zgjedhjet e 30 gushtit të vitit të kaluar, ku kishte përkrahjen e kreut të kishës serbe ortodokse, përkrahje e cila në këto zgjedhje ka munguar. Ndërsa partitë e tubuara rreth koalicionit që përkrahen nga kryeparlamentari Aleksa Beçiq dhe kryeministri Zdravko Krivokapiq kanë arritur sukses të jashtëzakonshëm duke u përkrahur edhe nga mitropoliti Joanikije që zëvendëson Mitriopolitin Amfillohije.
Analisti Zlatko Vujoviq thotë po ashtu se Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq në zgjedhjet e Nikshiqit ka arritur sukses të madh, sepse ka ruajtur trupin votues edhe pse para 6 muajsh ka humbur pushtetin në nivel republikan të cilin e ka pasur 30 vite me radhë. Vujoviq tha se ndryshimet që janë bërë në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë Demokratike të Socialistëve kanë ndikuar në konsolidimin e përkrahjes së zgjedhësve dhe kanë ndalur derdhjen e votes së elektoratit të tyre. Analisti Vujoviq shton se kjo parti ende duhet të vazhdojë me transformimin dhe reformat në parti, nëse pretendon që sërisht të rikthehet në pushtet.
Fushata zgjedhore për qytetin e Nikshiqit u mbajt mes tensioneve dhe fërkimeve të shumta midis forcave politike. Situata u tensionua edhe nga fakti se në fushatë kishte ndërhyrje të drejtpërdrejtë të përfaqësuesve politikë nga Beogradi, nga Republika Serbe e Bosnjës e Hercegovinës dhe nga Lista Serbe e Kosovës, të cilët mbështeten forcat politike proserbe dhe proruse në Mal të Zi. Për zgjedhjet lokale në Nikshiq kishte një interesim tejet të madh edhe nga vendet e fqinje, sepse ato sipas analistëve mbartnin rrezikun e destabilizimit të Malit të Zi dhe rajonit. Në Nikshiq sipas regjistrimit të vitit 2011 jetojnë 72,500 banorë, ku rreth 46.000 mijë vetë janë të deklaruar si malazezë, 18 mijë si serbë, nderkohë që gjuhën serbe e kanë paraqitur si gjuhë amtare rreth 33 mijë vetë, ndërsa gjuhën malazeze 32 mijë banorë të Nikshiqit. /DW/