Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 40-vjeçarit Edmond Çekiçi, anëtarit të bandës së Durrësit.
Bëhet me dije se në Sukth është gjetur një makinë e djegur.
Dyshohet se automjeti tip “Benz”, me targa të vjedhura, është përdorur nga autorët e krimit.
Ndërkaq, në foton e mësipërme shfaqet i ndjeri i shtrirë për tokë, pas ekzekutimit në rrethana ende të paqarta. Krimi ka ndodhur në një zonë të populluar, pranë Drejtorisë Arsimore në qytetin e Durrësit.
I njohur ndryshe si “Mond Çekiçi”, ai ishte një emër i njohur për Policinë e Durrësit. I ndjeri jo vetëm që ishte pjesë e Bandës së Durrësit, por rezulton të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë.
Në vitin 2009 ai do të dënohej me 2 vite burg për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”.
Njoftimi paraprak i Policisë
Më datë 20.03.2021, rreth orës 08:40, në lagjen nr.16, Durrës, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri e për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi E. K., rreth 40 vjeç.
Menjëherë forca të shumta Policie kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën ku vijon krehja e zonës për kapjen e autorëve.
Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore në hyrje e në dalje të Durrësit si dhe në drejtim të Tiranës e Kavajës.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes për të bërë të mundur identifikimin kapjen e autorëve.