MENU
klinika

Nga Ylli Pata: Dhe pse sot pas 30 vjetësh, ajo frymë nuk ekziston?

Si e humbi PD-ja “frymën” e 22 marsit 1992?

22.03.2021 - 11:14

30 vjet më parë, më 22 mars të vitit 1992, Partia Demokratike arriti fitoren e saj të parë dhe të fundit në ato përmasa politike në vend.

E krijuar një vit e 3 muaj përpara asaj fitorje, PD-ja erdhi në fitoren e 22 marsit të vitit 1992 jo vetëvetiu, por ngaqë kishte me vete disa kushte tepër të rëndësishme, që në politikë janë determinuese për të fituar.

Kishte frymën popullore, e cila kishte vullnetin për ndryshim epokal në vend: për të larguar nga pushteti grupin politik që kishte qeverisur që nga 29 nëntori 1944 në vend, e kjo frymë u pa në rezultatin e thellë që PD-ja mori në fitoren e saj 62% të konsensusit popullor.

Kishte një grup të gjerë intelektualësh në drejtim, të cilët ishin të njohur publikisht dhe të admiruar në kontributin që ata kishin dhënë në shoqëri: arkeologë të njohur, inxhinierë me reputacion, profesorë universiteti që kishin simpatinë e studentëve të tyre, si dhe pak të burgosur politikë të regjimit komunist, ku spikaste i ndjeri Pjetër Arbnori.

Por natyrisht të gjithë këto asete nuk mjaftonin të vetmet për të bindur njerëzit për të dhënë mazhorancën politike.

Ndaj dhe përballjen e parë në zgjedhje, vetëm 4 muaj nga themelimi, më 31 mars 1991, PD e humbi.

Ajo nuk njihej mirë, kishte vetëm një vizion të vagullt e shumë dyshime, ndaj sidomos në pjesën rurale të vendit, PD nuk arriti të fitojë në 1991.

Njerëzit kishin mjaft dëshirë për të ndryshuar vendin politikisht, por ende nuk e shihnin forcën e re politike si alternativë, por vetëm si kontestuese.

Por në 1 vit, Partia Demokratike krijoi premisat politike për të qenë një alternativë.

Përfaqësuesit e saj në Parlament, edhe pse pakicë, dominuan debatin politik në institucionin më të lartë të vendit.

Kontestuan projektin e Kushtetutës që propozoi Ramiz Alia dhe morën pjesë në hartimin e Paketës Kushtetuese, ku spikatën Genc Ruli, Arben Imami, Gramoz Pashko, Bashkim Kopliku etj.

Pra PD-ja së bashku me PS-në shkruan së bashku librin themeltar të shtetit.

Më pas, PD pranoi të ulet në një qeveri të përbashkët me PS-në dhe të zbatonte një detantë-pakt mos-sulmimi për qetësimin e gjendjes që ishte në vlim në vend e shoqëri.

Në qeveri PD-ja vendosi emra mjaft të kualifikuar si Gramoz Pashko, Genc Ruli, Emin Musliu, etj.

Ndërkaq, PD-ja kishte mbështetjen më të madhe ndërkombëtare sesa PS-ja, pasi e shikonin këtë forcë politike si përkrahëse e reformave të mëdha që do ta kthenin vendin në një shtet demokratik e perëndimor.

Pas 22 marsit 1992, Partia Demokratike nuk i mori kurrë votat e asaj kohe, pasi njerëzit e panë se fryma u kishte shkuar kot.

PD u kthye në një klan i udhëhequr nga Sali Berisha, i cili qeverisi me metoda autoritare dhe të dështuara, si dhe nuk kreu asnjë reformë reale në vend.

Nuk bëri dot një Kushtetutë, edhe kur e hartoi e kreu vetëm, jo me konsensusin e opozitës, nuk reformoi drejtësinë, por thjeshtë hoqi gjyqtarët e Enverit dhe vuri të vetët, Prokurorinë e ktheu në një vegël politike etj.

Në 1996, votimet e para kur kërkoi mandatin e dytë, i manipuloi keqas, duke përdorur edhe dhunën e aparateve të shtetit ndaj opozitës, e në 1997 e çoi vendin në kaos.

Në 2005, PD-ja arriti të vinte në pushtet pas 8 viteve të socialistëve në pushtet, ku thuajse një mandat e shpenzuan në luftën e tyre politike të brendshme.

Zgjedhjet e 2005-s ishin më të çuditshmet dhe më absurdet, pasi me të ashtuquajturën “Megadushk”, votat proporcionale u shpërndanë tek partitë e tjera të vogla e jo tek kryesoret, që në fakt u përplasën në 100 zonat e mazhoritarit ku deputetët zgjidheshin direkt.

Këtu faktori vendimtar ishte LSI-ja e Ilir Metës, ngaqë si lojtar i tretë, me emra shumë të rëndësishëm të së majtës, bëri të mundur t’i hiqte vota PS-së.

Ilir Meta e pranoi për herë të para para pak kohësh se “isha unë që sigurova rrotacionin dhe ardhjen e Doktorit në pushtet”.

Atëherë Meta mori vota si më radikal se Fatos Nano kundër Sali Berishës.

Pra edhe në 2005-s, dhe pse kishte një frymë të qartë pakënaqësie në popull, PD-ja nuk erdhi në pushtet me frymë, por me taktikë dhe intriga pallati.

Në vitin 2009, Berisha tashmë kryeministër mori mandatin e dytë jo si një konfirmim suksesi qeverisës, apo rinovim i imazhit, por në bazë të taktikave nëpërmjet koalicionit “tren” dhe aleancës me LSI-në,

PD-ja dhe aleatët e vet morën 712, 745 vota, ndërsa PS-ja mori 688, 748 vota, pra as 24 mijë vota më pak.

Në vitin 2013, PD-ja mori votë ndëshkuese, por bashkë me aleatët e saj në koalicionin tren grumbulloi 680 mijë vota. Pra vetëm 30 mijë më pak se në 2009-n, dhe mori 57 mandate.

Po të mos kishte marrë PS-ja me LSI-në rreth 1 milionë vota, PD e Berishës mund të kishte fituar më shumë mandate deputetësh, gati 66 deputetë.

PS-ja, që arriti të fitojë si koalicion me LSI e të tjerët 83 mandate, vetë kishte 65, më pak se në 2009-n.

Pra LSI, e cila sulmoi sistemin aktual proporcional rajonal, ishte përfituesja më e madhe e aleancës me PS-në.

Megjithatë, rezultati i 2013-s u cilësua si një plebishit, pra frymë- i ngjashëm me 1992, të cilin e quajti të tillë edhe ish-ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Alexandër Arvizu.

Kjo, pasi ndihej në ajër, në shoqëri, ndihej në çdo deje të vendit, por çfarë është e rëndësishme mbështetja nga komuniteti ndërkombëtar, kryesisht SHBA e BE; fryma plebishitare e ndryshimit.

Aktualisht kur jemi në një situatë pas dy mandateve të Edi Ramës, duket qartë edhe nga këto sondazhet se kjo frymë nuk ekziston.

Ka natyrisht pakënaqësi në popull, por kjo pakënaqësi, nuk duket se do të kanalizohet në votë për PD-në.

Kjo, jo vetëm pse lidershipi i saj nuk bind, por edhe se ekziston frika që mund të rikthehet Sali Berisha e Ilir Meta në qeveri.

Pra kemi mundësinë e një referendumi në krah të kundërt. Sondazhet e publikuara po e tregojnë këtë deri tani…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përse Basha nuk e ka vendosur në program?!

Ylli Pata: “Çështja çame” e 25 prillit si parodi


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin